Beselidhja e VjeterGjyqtarët: Izraeli i ndrydhur prej madianëve
- 1 Prapë bijtë e Izraelit bënë të keqen ndër sy të Zotit dhe Zoti i lëshoi në duar të madianëve për shtatë vjet.
- 2 Dora e madianëve erdhi gjithnjë duke u rënduar mbi izraelitët. Izraelitët prej frikës së tyre jetonin shpellave të maleve e në vende të papërshkueshme.
- 3 Kur izraelitët mbillnin, vinin madianët, amalekët e të tjerë të popujve të lindjes,
- 4 i ngulnin çadrat e veta ndër ta, dhe siç ishin në kullota, rrënonin gjithçka deri në hyrje në Gazë dhe nuk linin në Izrael asgjë që nevojitet për jetesë, as dele, as lopë, as gomarë.
- 5 Sepse vinin me çadra me bagëtitë e tyre me shumicë të madhe si karkalecat dhe mbulonin gjithçka shumica e madhe e njerëzve dhe e deveve, kështu që çkado preknin, shkretëtonin.
- 6 Kështu Izraeli ra në mjerim tejet të madh për shkak të madianëve.Ndërmjetësimi i një profeti
- 7 Izraeli i lëshoi kushtrimin Zotit dhe i kërkoi ndihmë kundër madianëve.
- 8 Zoti u dërgoi një profet, i cili tha: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: `Unë ju kam bërë të dilni prej Egjiptit, unë ju nxora nga shtëpia e skllavërisë,
- 9 unë ju lirova prej duarve të egjiptianëve e prej të gjithë armiqëve që ju mundonin. Kur arritët ju, unë i dëbova ata para jush dhe tokën e tyre jua dhashë juve.
- 10 Atëherë ju thashë: `Unë jam Zoti, Hyji juaj, mos i nderoni zotët e amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Por ju nuk deshët ta dëgjonit zërin tim`.Të dukurit e engjëllit të Zotit Gjedeonit
- 11 Erdhi engjëlli i Zotit e ndenji nën qarrin që ishte në Efër dhe që ishte i Joasit, prej barkut të Abiezerit. Ndërsa Gjedeoni, biri i tij, po fshinte me shqupi dhe po pastronte grurin për ta fshehur prej madianëve,
- 12 iu dëftua engjëlli i Zotit e i tha: Zoti me ty, o burrë i fortë!
- 13 Gjedeoni iu përgjigj: Më fal, Imzot; nëse Zoti është me ne, pse na gjetën të gjitha këto të zeza? Ku janë të gjitha ato mrekullitë e tija, për të cilat na folën etërit tanë e na thanë: `Zoti na nxori nga Egjipti!?` Por tani Zoti na la e na lëshoi në duart e Madianit.
- 14 Zoti ia nguli sytë dhe i tha: Me atë fuqi që ke shko dhe çliroje Izraelin prej dorës së Madianit! Dije se unë të dërgova!
- 15 Por Gjedeoni iu përgjigj: Më fal, o Zot, po si do ta çliroj Izraelin? Ja, barku im është më i vogël në Manasu00e9 e unë më i vogli në shtëpinë e tim eti!
- 16 E Zoti i tha: Unë do të jem me ty. Ti do ta shfarosësh Madianin si të ishte një njeri i vetëm.
- 17 Gjedeoni vijoi: Nëse vërtet gjeta hir para teje, më jep një shenjë që je Ti që po flet me mua.
- 18 Mos u largo prej këndej para se të kthehem e të të sjell një dhuratë për ta kushtuar. Ai iu përgjigj: Do të të pres derisa të kthehesh.
- 19 Gjedeoni hyri në shtëpi, përgatiti një edh dhe një ef miell bukë ndore. Mishin e qiti në shportë e lëngun e mishit në vorbë, i solli të gjitha nën qarr dhe ia shtroi përpara.
- 20 Atëherë engjëlli i Hyjit i tha: Merre mishin dhe bukët ndore e vëri në atë gur dhe hidh mbi ta lëngun e mishit. Kur ai bëri ashtu,
- 21 engjëlli preku me majë të shkopit që kishte në dorë mishin dhe bukët ndore. Shpërtheu zjarri prej qetës dhe përpiu mishin e bukët e pabrumë. Atëherë engjëlli i Zotit u zhduk prej syve të tij.
- 22 Kur pa Gjedeoni se kishte qenë engjëlli i Zotit, tha: Heu! Keq për mua, o Zot Perëndi! Po unë e pashë engjëllin e Zotit faqe-faqas!
- 23 Por Zoti i tha: Paqja me ty! Mos u tremb! Jo, nuk do të vdesësh.
- 24 Gjedeoni në atë vend ndërtoi një lter për nder të Zotit dhe e quajti: Zoti;Paqe.Edhe sot e kësaj dite gjendet në Efër të bijve të Abiezerit.Gjedeoni kundër Baalit
- 25 Po atë natë Zoti i tha: Merre mëzatin e tyt eti, po edhe një tjetër, shtatë vjeç; rrënoje lterin e Baalit, që i përket tyt eti, po edhe banirin që është përgjatë lterit, preje.
- 26 Atëherë ndërto për nder të Zotit, Hyjit tënd, bukur e mirë një lter në majë të këtij shkëmbi. Merre pastaj mëzatin e dytë dhe kushtoje fli shkrumbimi mbi turrën e druve të banirit që do të presësh.
- 27 Andaj Gjedeoni i mori dhjetë burra prej shërbëtorëve të vet dhe bëri siç i kishte urdhëruar Zoti. Por, prej frikës së familjes së vet e të njerëzve të atij qyteti, këtë s`e bëri ditën, por të gjitha i kreu natën.
- 28 Kur, atë mëngjes u ngritën njerëzit e atij qyteti, panë se lteri i Baalit ishte i rrënuar, ishte i prerë edhe baniri dhe ishte i kushtuar mëzati në lterin që atëherë ishte ndërtuar.
- 29 I thoshin njëri-tjetrit: Kush e bëri këtë? Pasi bënë hetime rreth atij që e kishte bërë këtë punë, u tha: Gjedeoni, biri i Joasit, i bëri të gjitha këto.
- 30 I thanë Joasit: Qite djalin tënd ta vrasim se ai e rrënoi lterin e Baalit dhe e preu banirin.
- 31 Joasi iu përgjigj të gjithë atyre që e rrethonin: Pse, a doni të luftoni në vend të Baalit për ta shpëtuar? Kush të luftojë për Baalin, do të vdesë deri në mëngjes. Nëse është Hyj, le të luftojë për vetvete kundër atij që ia rrënoi lterin.
- 32 Prej asaj dite Gjedeoni u quajt Jerobbaal, sepse u thoshte: Le të luftojë kundër tij Baali sepse ai i rrënoi lterin.Thirrja nën armë
- 33 Kështu, pra, mbarë Madiani, Amaleku dhe popujt e Lindjes u bënë së bashku, kaluan Jordanin dhe ngulën fushimin në luginën e Jezraelit.
- 34 Shpirti i Zotit e pushtoi Gjedeonin, i cili i ra borisë dhe e grishi barkun e Abiezerit që të shkonte pas tij.
- 35 Dërgoi kasnecë në mbarë Manaseun. Edhe këta të gjithë e ndoqën. Dërgoi edhe lajmëtarë të tjerë në Aser, në Zabulon e në Neftali, dhe të gjithë ngarendën tek ai.Prova e bashkës
- 36 Atëherë Gjedeoni i tha Hyjit: Nëse do ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë,
- 37 do të vë bashkën e leshit në lëmë: nëse bie vesa vetëm në bashkë, ndërsa mbarë toka gjetiu mbetet e thatë, do ta di se me të vërtetë, përmes dorës sime do ta shpëtosh Izraelin siç the.
- 38 Ashtu edhe u bë. Gjedeoni u çua herët në mëngjes, e shtrydhi bashkën: një kupë plot me vesë.
- 39 Përsëri i tha Hyjit: Të mos ndizet flakë hidhërimi yt kundër meje, nëse edhe një herë po marr guxim të kërkoj shenjën në bashkë. Të lutem: le të jetë vetëm bashka e thatë, ndërsa mbarë toka të ketë vesë.
- 40 Sikur kishte kërkuar ky, ashtu bëri Hyji atë natë: e thatë ishte vetëm bashka, ndërsa mbi mbarë tokën kishte rënë vesa.B. Fushata e Gjedeonit në perëndim të Jordanit