Beselidhja e VjeterRuti: Ruta e Noemia
- 1 Në kohën e Gjyqtarëve u bë zi buke në vend. Një njeri prej Betlehemit të Judës shkoi për të jetuar me gruan e me dy djemtë në dheun e Moabit.
- 2 Ky njeri quhej Elimelek, gruaja Noemi dhe dy djemtë e tij quheshin njëri Mahalon e tjetri Kelion. Ishin Efrataj prej Betlehemit të Judës. Kur arritën në vendin e Moabit, aty zunë vend.
- 3 Vdiq Elimeleku, burri i Noemisë. Mbeti kështu ajo me dy djemtë.
- 4 Këta u martuan me vajza moabite. Njëra quhej Orfë e tjetra Rutë. Jetuan në atë vend rreth dhjetë vjet.
- 5 Vdiqën të dy: Mahaloni e Kelioni. Mbeti gjallë gruaja pa djemtë e pa burrin.
- 6 Atëherë ajo u bë gati për t`u kthyer prej dheut të Moabit në atdhe me të dy rejat. Kishte dëgjuar se Zoti e kishte parë popullin e saj dhe se u kishte dhënë drithëra.
- 7 Doli pra prej dheut të mërgimit të vet me të dy rejat e veta dhe, si doli në rrugë për t`u kthyer në tokën e Judës,
- 8 u tha: Shkoni në shtëpitë e nënave tuaja. Zoti pastë dhimbje për ju siç u dëftuat edhe ju të dhimbshme më të vdekurit e me mua.
- 9 E bëftë Zoti e gjetshi paqe në shtëpitë e burrave tuaj që do t`i keni fat. Dhe u përqafua me to. Ato filluan të qanin me zë të lartë
- 10 e thanë: Duam të vijmë me ty te populli yt.
- 11 Por ajo u përgjigj: Kthehuni, bijat e mija! Pse doni të vini me mua? Pse a do të kem më fëmijë nga kraharori im që të shpresoni se do të meri më burrë prej meje?
- 12 Kthehuni, bijat e mia, shkoni! Jam tepër e plakur e nuk jam më për martesë. Po edhe sikur të ngjizja sonte e të lindja djem,
- 13 pse a do të donit të prisnit e të mos martoheni derisa do të rriten ata? Mosni, ju lutem, bijat e mija, mosni! Unë jam tepër fatkeqe që të mund t`ju ndihmoj: sepse dora e Zotit është ngritur kundër meje.
- 14 Prapë ia filluan të qanin me zë të lartë. Orfa e puthi vjehrrën dhe u kthye; kurse Ruta nuk dëgjoi të ndahet prej vjehrrës.
- 15 Atëherë Noemia i tha: Ja, u kthye kunata jote te populli i vet e te zotat e vet, shko edhe ti me të.
- 16 Ajo u përgjigj: Mos m`u vër më që të të lë e të shkoj: kudo që të shkosh ti, do të vij edhe unë, ku të jetosh ti, dua të jetoj edhe unë: populli yt do të jetë populli im, Hyji yt do të jetë Hyji im.
- 17 Ai dhe që do të të mbulojë ty kur të vdesësh, aty do të vdes edhe unë e aty do të jetë vendi i varrimit tim. M`i qoftë Zoti të gjitha të këqijat nëse më ndan prej teje tjetër gjë përveç vdekjes.
- 18 Kur pa Noemia se Ruta ishte e vendosur të shkojë me të, s`deshi më t`i kundërshtojë as t`ia mbushë mendjen të kthehet te të vetët.
- 19 Kështu u nisën së bashku e erdhën në Betlehem. Kur hynë në qytet, mbarë qyteti u përmallua për to. E gratë thoshin: Po, a kjo është Noemia... ?.
- 20 Ajo u thoshte: Mos më thiri Noemia /d. m. th. E bukura/, por Mara /d. m. th. E mjera/, sepse i Gjithëpushtetshmi më mbushi me mjerim të madh.
- 21 Shkova prej këndej plot me të mira dhe Zoti më ktheu duarthatë; pse, pra, të më quani Noemi, kur Zoti më bëri të mjerë, kur i Gjithëpushtetshmi më bëri të pafat?
- 22 Erdhi pra Noemia bashkë me të renë e vet Rutën moabite, u kthye prej mërgimit në Betlehem kur po fillonte korrja e elbit.