Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Samueli tërhiqet para Saulit
- 1 Atëherë Samueli i tha mbarë Izraelit: Ja, jua dëgjova fjalët tuaja dhe gjithë ç`kërkuat prej meje, jua vura mbretin.
- 2 Që tani para jush do të shkojë mbreti. Unë tashmë jam plakur e thinjur dhe djemtë e mi tani janë me ju. Unë ju kam prirë që nga rinia ime e deri tani.
- 3 Ja, këtu jam para jush: dëshmoni para Zotit e para të shuguruarit të tij: a i kam marrë kujt ndonjë ka ose gomar, a i kam mbetur kujt në qafë, a kam shtypur ndokënd, a kam marrë prej ndokujt ndonjë dhuratë për t`i mbyllur sytë e mi lidhur me çështjen e tij: jam i gatshëm të përgjigjem.
- 4 Ata u përgjigjën: As s`na ke mbetur në qafë, as s`ke shtypur ndokënd, as s`ke marrë prej kujt dhurata.
- 5 E shtoi: Dëshmitar është Zoti kundër jush e dëshmitar është i shuguruari i tij se nuk keni gjetur gjë në dorën time ditën e sotme? Ata u përgjigjën: Ashtu është!
- 6 Samueli shtoi e i tha popullit: Dëshmitar është Zoti, që i përdori Moisiun e Aronin e i nxori etërit tanë prej Egjiptit.
- 7 Tani qëndroni e dëgjoni t`jua përkujtoj para Zotit të gjitha mëshirat e Zotit që i kreu për ju e për etërit tuaj:
- 8 si hyri Jakobi në Egjipt e egjiptianët i shtypën. Etërit tuaj i lëshuan kushtrimin e Zotit e Zoti dërgoi Moisiun e Aronin dhe i nxori etërit tuaj nga Egjipti dhe i vendosi në këtë vend.
- 9 Ata e harruan Zotin, Hyjin e vet, dhe ai i lëshoi në dorë të Sisarës, prijësit të ushtrisë së Asorit. Pastaj në duar të filistenjve e në dorë të mbretit të Moabit, të cilët luftuan kundër tyre.
- 10 Pastaj i bënë kushtrimin Zotit e thanë: `Mëkatuam që e lamë Zotin dhe u shërbyem baalëve dhe astarotëve e Tani na shpëto prej duarve të armiqve tanë e do të të shërbejmë vetëm ty.
- 11 E Zoti dërgoi Jerobbaalin dhe Barakun, Jefteun e Samuelin dhe ju shpëtoi prej duarve të armiqve tuaj përreth dhe jetuat në qetësi.
- 12 Por, kur patë se Naasi, mbreti i bijve të Amonit, po vjen kundër jush, ju më thatë:`Jo, mbreti duhet të sundojë mbi ne!`, e pra, Zoti, Hyji juaj, sundonte mbi ju.
- 13 Tani, pra, këtu tek është mbreti juaj, që e zgjodhët dhe e kërkuat: ja, pra, Zoti jua dha mbretin.
- 14 Nëse do ta druani Zotin e nëse do t`i shërbeni, nëse do ta dëgjoni zërin e tij dhe nëse nuk do ta përbuzni fjalën e Zotit, atëherë po do ta ndiqni ju dhe mbreti që mbi ju mbretëron, Zotin, Hyjin tuaj.
- 15 Por, nëse nuk do ta dëgjoni zërin e Zotit, por do ta përbuzni fjalën e Zotit, dora e Zotit do të jetë mbi ju e mbi mbretin tuaj për t`jua humbur farën.
- 16 Por edhe tani zini vend e vëreni mirë një shenjë të madhe që do ta bëjë Zoti para syve tuaj.
- 17 Pse, a nuk është sot korrja e grurit? Unë do ta thërras Zotin e ai do të çojë bubullimë e shira, dhe do të shihni se bëtë një të keqe të madhe para syve të Zotit kur kërkuat për vete mbret.
- 18 Atëherë Samueli iu lut Zotit e Zoti çoi bubullimë e shi po atë ditë.
- 19 Popullin e kapi frikë tejet e madhe e Zotit dhe e Samuelit dhe mbarë populli i tha Samuelit: Lutiu për shërbëtorët e tu Zotit, Hyjit tënd, që të mos vdesim. Të gjitha mëkateve tona ua shtuam edhe këtë të keqe që kërkuam për ne mbretin.
- 20 Por Samueli i tha popullit: Mos kini frikë! Vërtet, që ju i bëtë të gjitha këto të këqija, por megjithatë, tashmë mos u largoni prej Zotit e shërbejini Zotit me gjithë zemrën tuaj
- 21 dhe mos shkoni pas idhujve të kotë, të cilët nuk do t`ju ndihmojnë as nuk do të mund t`ju shpëtojnë, sepse janë të kotë.
- 22 Me siguri Zoti nuk do ta lëshojë dore popullin e vet për nder të emrit të vet të madhërueshëm, sepse ai vetë u denjua t`ju bëjë popull të vetin.
- 23 E qoftë larg meje të mëkatoj kundër Zotit që të pushoj të lutem për ju e të mos jua mësoj rrugën e mirë e të drejtë.
- 24 Prandaj, druani Zotin dhe shërbejini atij me besnikëri e me gjithë shpirt, sepse i patë veprat e madhërishme që i kreu në mesin tuaj!
- 25 Por, përkundrazi, nëse do të qëndroni duke bërë keq, ju, dhe me ju së bashku mbreti juaj, do të sharroni.