Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Shugurimi i Davidit
- 1 Zoti i tha Samuelit: Deri kur do ta qash Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Isai betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij.
- 2 Samueli i tha: Po si të shkoj? Do të dëgjojë Sauli e do të më vrasë. E Zoti i tha: Merre me vete një viçe e thuaj: `Erdha të flijoj për nder të Zotit`.
- 3 Thirre në fli Isain dhe atëherë unë do të të tregoj se çfarë të duhet të bësh. Pastaj lyeje atë që të të them unë.
- 4 Samueli bëri siç i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem. Pleqtë e qytetit i kapi frika, i dolën para dhe i thanë: A është e paqme hyrja jote?
- 5 Ai u përgjigj: E paqme. Erdha për t`i bërë kushtim Zotit. Shenjtërohuni dhe ejani me mua që të flijoj. Pastaj shenjtëroi Isain dhe bijtë e tij dhe i grishi ata në fli.
- 6 Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: S`ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij.
- 7 Por Zoti i tha Samuelit:Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.
- 8 Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e solli para Samuelit, i cili tha: As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti.
- 9 Isai e solli Samën, për të cilin tha: As këtë nuk e ka zgjedhur Zoti.
- 10 Kështu Isai i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Isait: Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin.
- 11 Samueli i tha përsëri Isait: A janë vetëm këta bijtë e tu? Ai iu përgjigj: Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet. Samueli i tha Isait: Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu.
- 12 Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: Çohu e lyeje, sepse ky është.
- 13 Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi mes vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej asaj dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë.Davidi në shërbim të Saulit
- 14 Shpirti i Zotit ishte larguar prej Saulit dhe e trazonte një shpirt i keq i dërguar prej Zotit.
- 15 Atëherë shërbëtorët e tij i thanë Saulit: Ti po sheh se po të mundon një shpirt i keq i dërguar prej Zotit.
- 16 Le të japë urdhër zotëria ynë, dhe shërbëtorët e tu, që janë pranë teje, do të kërkojnë një njeri që di t`i bjerë harpës, me qëllim që, kur të të pushtojë shpirti i keq i dërguar prej Hyjit, ai t`i bjerë harpës e ti do të bëhesh më mirë.
- 17 Sauli u tha shërbëtorëve të vet: Më gjeni një njeri që di t`i bjerë bukur harpës e ma sillni tek unë.
- 18 Njëri prej shërbëtorëve iu përgjigj e tha: Unë e kam parë njërin djalë të Isait betlehemas: ai di t`i bjerë harpës. Është burrë i fortë dhe trimaloç, gojëmbarë dhe burrë i pashëm. Dhe Zoti është me të.
- 19 Kështu pra, Sauli dërgoi lajmëtarë tek Isai e i tha: Dërgoje tek unë tët bir, Davidin, që merret me grigjën.
- 20 Isai mori gomarin, ca bukë, një rrëshiq me verë dhe një edh dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, djalit të vet.
- 21 Davidi shkoi te Sauli dhe qëndroi para tij. Saulit i pëlqeu dhe e bëri armëmbajtës të vet.
- 22 Sauli dërgoi njerëzit tek Isai e i tha: Le të qëndrojë Daviti tek unë, sepse po më pëlqen.
- 23 Kështu, sa herë që e sulmonte shpirti i Hyjit Saulin, Davidi e merrte harpën e i binte dhe Sauli binte në qetësi, e ndiente veten më mirë: shpirti i keq largohej prej tij.