Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Davidi fillon jetën e çetarit
- 1 U largua, pra, prej andej Davidi dhe u strehua në shpellën Odolam. Kur e morën vesh vëllezërit e tij dhe mbarë shtëpia e t`et, zbritën atje, tek ai.
- 2 U bashkuan tek ai edhe të gjithë ata që ndodheshin ngushtë për shkak të detyrimeve, të shtypjes dhe të pakënaqësive dhe Davidi u bë prijës i tyre. Ishin me të rreth katërqind vetë.
- 3 Prej këndej Davidi shkoi në Masfë, që është në tokën e Moabit. Mbretit të Moabit i tha: Po të lutem, prano të qëndrojnë me ju im atë dhe nëna ime derisa të mësoj se ç`do të bëjë Hyji për mua.
- 4 Dhe i la ata te mbreti i Moabit. Ata ndenjën tek ai për tërë kohën sa Davidi qëndroi në strehim.
- 5 Por profeti Gad i tha Davidit: Mos rri më në strehim. Nisu e shko në tokën e Judës. Davidi u çua e shkoi në pyllin e Haretit.Vrasja e priftërinjve të Nobit
- 6 Sauli e mori vesh se ishin parë Davidi dhe njerëzit që ishin me të. Sauli ndodhej në Gaba. Po rrinte nën marenën që është në një lartësirë. Në dorë mbante heshtën, i rrethuar prej të gjithë oborrtarëve të vet.
- 7 Atëherë u tha oborrtarëve të vet, që po i rrinin pranë: Dëgjoni, beniaminas! A do t`ju japë të gjithë juve edhe i biri Isait toka e vreshta, a do t`ju bëjë të gjithë mijëtarë e qindtarë,
- 8 që të gjithë u bëtë tok kundër meje. Si s`u gjet një që të më njoftojë se im bir bëri besëlidhje me të birin e Isait? Si s`u gjet një që ta ankojë gjendjen time? Si s`u gjet asnjë që të më vërë në dijeni se im bir e nxit shërbëtorin tim kundër meje për të më vënë prita mua, siç po bën sot?
- 9 Atëherë foli Doegu idumeas që ishte me oborrtarët e Saulit, e tha: E pashë të birin e Isait në Nob te prifti Akimelek, biri i Akitobit.
- 10 Ai e pyeti për të Zotin dhe i dha ushqime. I dha, madje, edhe shpatën e Goliatit filiste.
- 11 Atëherë mbreti dërgoi për ta sjellë Akimelekun prift, bir i Akitobit, dhe mbarë shtëpinë e babait të tij, priftërinj që ishin në Nob. Të gjithë erdhën te mbreti.
- 12 Sauli tha: Dëgjo, biri i Akitobit! Ai u përgjigj: Urdhëro, zotëri!
- 13 Sauli vazhdoi: Përse u lidhët me përbetim kundër meje ti dhe biri i Isait? I dhe bukë e shpatë dhe e pyete për të Hyjin, që të çohet kundër meje e të më vërë prita siç po bën sot?
- 14 Akimeleku iu përgjigj mbretit: Po kush është ndër të gjithë oborrtarët e tu besnik si Davidi, dhëndri i mbretit, prijësi i rojës sate, një njeri i nderuar në familjen tënde?
- 15 Pse, a sot fillova ta pyes Hyjin për të? Qoftë larg meje kjo që mbretit t`i shkojë edhe ndër mend një gjë e tillë kundër shërbëtorit të vet, kundër mbarë shtëpisë së tim eti. Për këtë punë as që ka ditur gjë shërbëtori yt, as të vogël as të madhe.
- 16 Mbreti iu përgjigj: Dënohesh me vdekje, Akimelek, ti dhe mbarë shtëpia e babait tënd!
- 17 Mbreti u urdhëroi kasnecëve që i kishte përreth: Suluni dhe vritini priftërinjtë e Zotit, sepse edhe ata, përkrahin Davidin. E kanë ditur se ka ikur e nuk më kanë njoftuar. Por shërbëtorët e mbretit nuk deshën të ngrinin dorën për t`i vrarë priftërinjtë e Zotit.
- 18 Atëherë mbreti i tha Doegut: Sillu ti e sulu mbi priftërinjtë! U soll Doegu dhe i sulmoi priftërinjtë. I copëtoi atë ditë tetëdhjetë e pesë burra të veshur me shpinorë të linjtë.
- 19 E sulmoi edhe Nobin, qytetin e priftërinjve dhe i goditi me teh shpate trim e grua, të vegjël e foshnja, ka, gomar e dele, të gjitha i përshkoi në teh të shpatës.
- 20 Shpëtoi vetëm një djalë i Akimelekut, birit të Akitobit, i cili e ka emrin Abiatar. Ky u strehua te Davidi
- 21 dhe i tregoi se Sauli i kishte vrarë priftërinjtë e Zotit.
- 22 Davidi i tha Abiatarit: Ma merrte mendja atë ditë se, meqenëse aty ndodhej Doegu idumeas, do t`i lajmëronte patjetër Saulit. Unë jam fajtor për vdekjen e të gjithë anëtarëve të familjes së babait tënd.
- 23 Qëndro me mua e mos ki frikë. Ai që kërkon të ma marrë mua jetën, kërkon ta marrë edhe ty. Tek unë do të jesh i ruajtur mirë.