Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Davidi në Cejlë
- 1 I lajmëruan Davidit e i thanë: Ja, filistenjtë e kanë rrethuar Cejlën dhe po i plaçkitin lëmenjtë.
- 2 Davidi e pyeti Zotin e tha: A të shkoj e t`i godas këta filistenj? Zoti i tha: Shko, se do t`i mundësh filistenjtë e do ta shpëtosh Cejlën.
- 3 Njerëzit që ishin me Davidin, i thanë: Shiko: ne jemi në frikë të vazhdueshme edhe këtu në Judë! Po si do të jetë nëse do të shkojmë në Cejlë kundër çetave të filistenjëve?
- 4 Davidi përsëri kërkoi këshillë prej Zotit, i cili iu përgjigj:Ngrihu e shko në Cejlë, sepse unë do t`i lëshoj filistenjtë në dorë tënde.
- 5 Atëherë Davidi u nis me njerëzit e vet e shkoi në Cejlë, luftoi kundër filistenjve, i dëboi bagëtitë e tyre dhe i mundi keqas. Kështu Davidi i shpëtoi banorët e Cejlës.
- 6 Asohere kur Abiatari u strehua te Davidi, edhe ai zbriti me Davidin në Cejlë duke marrë me vete shpinorin.
- 7 E lajmëruan Saulin se Davidi kishte zbritur në Cejlë. Sauli tha: E lëshoi Zoti në duar të mia: ai vetë e qiti veten në lak pasi ka hyrë në qytet të mbyllur me dyer e me shula!
- 8 Sauli mblodhi mbarë popullin për të zbritur në luftë në Cejlë për ta rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.
- 9 Kur e mori vesh Davidi se Sauli po bëhej gati për t`ia bërë të zezën tinëz, i tha Abiatarit prift: Bjere shpinorin!
- 10 Atëherë Davidi tha: O Zot, Hyji i Izraelit! Shërbëtori yt dëgjoi se Sauli po bëhet gati që të vijë kundër Cejlës për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.
- 11 A do të më lëshojnë njerëzit e Cejlës në dorë të Saulit? A do të zbresë Sauli siç dëgjoi shërbëtori yt? O Zot, Hyji i Izraelit, dëftoji shërbëtorit tënd! E Zoti i tha: Do të zbresë!
- 12 E Davidi vazhdoi: A do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi te Sauli këta, njerëzit e Cejlës? Zoti iu përgjigj: Do të të dorëzojnë!
- 13 U çua, pra, Davidi dhe njerëzit e tij;ishin gjashtëqind vetë;dolën prej Cejlës dhe endeshin andej;këndej, pa qëllim. E lajmëruan edhe Saulin se Davidi kishte dalë prej Cejlës, prandaj as nuk doli për sulm.
- 14 Davidi shkoi për të jetuar në shkretëtirë, në vende të pakalueshme dhe qëndroi në male në shkretëtirën Zif. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Hyji nuk e lëshoi kurrë në duar të tija.Davidi në Horesë. Jonatani vjen për ta parë
- 15 Davidi e mori vesh se Sauli kishte dalë që ta kërkonte për t`ia marrë jetën. Davidi gjendej në shkretëtirën e Zifit, në Horesë.
- 16 U çua Jonatani, biri i Saulit, dhe shkoi te Davidi në Horesë. Ai i dha zemër Davidit në emër të Zotit. I tha:
- 17 Mos ki frikë! Ti s`do të biesh në duar të Saulit, tim eti. Ti do të mbretërosh mbi Izrael e unë do të jem i dyti pas teje. Këtë e di edhe im atë, Sauli.
- 18 U lidhën, pra, besa;besë me njëri -tjetrin para Zotit. Davidi qëndroi në Horesë, kurse Jonatani u kthye në shtëpinë e vet.Davidi shpëton prej Saulit
- 19 Zifasit shkuan te Sauli në Gaba e i thanë: Davidi fshihet ndër ne në vende të sigurta në Horesë, në malin Hakilë, që është në jug të shkretëtirës.
- 20 Tani, pra, po deshi zemra jote, o mbret, që të zbresë atje, zbrit; është puna jonë që ta shtiem në duar të mbretit.
- 21 Sauli u tha: Qofshi bekuar prej Zotit, pasi po ankoni gjendjen time!
- 22 Shkoni, po ju lutem, e përgatitni gjithçka me kujdes, shikoni me vëmendje e vëreni vendin nga kalon ai dhe meri hetime kush e ka parë aty: po më thonë se është shumë dinak.
- 23 Gjeni e vëreni të gjitha strehimet e tija ku fshihet e, kur t`ia gjeni vendin e sigurt, kthehuni tek unë që të vij edhe vetë me ju. E në qoftë se ecën nëpër tokë, do ta kërkoj në çdo vend të Judës.
- 24 Ata atëherë u ngritën e shkuan në Zif para Saulit.Davidi e njerëzit e tij ishin në shkretëtirën Maon, në Arabë, në jug të shkretëtirës.
- 25 Atëherë doli edhe Sauli me njerëzit e vet për ta kërkuar Davidin. E lajmëruan për këtë Davidin. Davidi zbriti në Qetë e qëndronte në Maon. Kur e mori vesh Sauli, iu vu pas Davidit në shkretëtirën e Maonit.
- 26 Sauli ecte njërit shpat të malit, kurse Davidi me njerëzit e vet shkonte shpatit tjetër të malit. Davidi u jepte sa ku mundte këmbëve për t`i ikur Saulit. E Sauli me njerëzit e vet po krijonte rrethin për ta zënë Davidin me gjithë ta,
- 27 kur ja, arriti lajmëtari që tha: Shpejto e eja se filistenjtë e vërshuan tokën!
- 28 Atëherë Sauli e la ndjekjen e Davidit e u kthye për t`u ndeshur me filistenjtë. Për këtë arsye ai vend u quajt: Qeta e shpëdarjes.