Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Vdekja e Samuelit. Historia e Nabalit dhe e Abigajlës
- 1 Samueli vdiq. Mbarë Izraeli u bashkua, i bënë gjëmën dhe e varrosën në vendin e tij në Ramë.Davidi u çua dhe zbriti në shkretëtirën Maon.
- 2 Ndodhej njëfarë burri në shkretëtirën Maon. Pronën e kishte në Karmel. Ishte njeri shumë i pasur. Kishte tri mijë dele e një mijë dhi. Ishte në Karmel për qethjen e deleve.
- 3 Njeriu quhej Nabal e gruaja e tij Abigajlë. Ishte një grua shumë e urtë dhe e pashme. Burri i saj ishte i vrazhdtë dhe i keq. Ishte prej barkut të Kalebit.
- 4 Kur Davidi në shkretëtirë dëgjoi se Nabali po qethte delet e veta,
- 5 i dërgoi dhjetë djelmosha e u tha: Dilni në Karmel, shkoni te Nabali e përshëndeteni prej anës sime.
- 6 Thuajini kështu vëllait tim: `Paqja me ty, paqja me shtëpinë tënde, paqja qoftë me gjithçka ke!
- 7 Tani mora vesh se kishe qethtarë. Barinjtë e tu kanë qenë me ne në shkretëtirë e ne kurrë nuk i kemi trazuar. Asnjëherë nuk u mungoi asnjë kokërr prej grigjës për tërë kohën sa qenë me ne në Karmel.
- 8 Pyeti shërbëtorët e tu dhe ata do të të tregojnë. Prandaj, le të gjejnë pritje të mirë këta djelmosha tek ti: të kemi ardhur në ditë feste! Ç`të kesh për doresh, jepu shërbëtorëve të tu dhe birit tënd Davidit`.
- 9 Djelmoshat e Davidit, kur erdhën, ia thanë Nabalit të gjitha këto fjalë në emër të Davidit dhe heshtën.
- 10 Por Nabali iu përgjigj djelmoshave të Davidit e u tha: Po kush është Davidi e kush është biri i Isait?! Sot u shtuan skllevërit që u ikin zotërinjve të vet!
- 11 A thua më duhet, pra, ta marr bukën time, ujët tim, mishin e bagëtive që i preva për qethtarët e mi, e t`ua jap njerëzve që nuk di nga janë!?
- 12 U sollën, pra, djelmoshat e Davidit dhe u kthyen udhës nga erdhën dhe i treguan Davidit të gjitha këto fjalë.
- 13 Atëherë Davidi u tha njerëzve të vet: Le të ngjeshë secili shpatën e vet! Secili ngjeshi shpatën e vet, po edhe Davidi ngjeshi shpatën e vet dhe, rreth katërqind burra i shkuan pas, kurse dyqind vetë ndenjën te pajisjet.
- 14 Por Abigajlën, gruan e Nabalit, e lajmëroi një nga shërbëtorët e saj e i tha: Ja, Davidi prej shkretëtirës i dërgoi lajmëtarët e vet për t`i sjellë urimet e veta zotërisë sonë, por ai i dëboi me fjalë.
- 15 Këta njerëz kanë qenë shumë të mirë me ne: nuk kanë qenë të mërzitshëm; asnjë gjë nuk na humbi gjatë krejt kohës sa jetuam me ta në shkretëtirë.
- 16 Mur mburonjës i kemi pasur natë e ditë gjatë krejt kohës sa i kullotëm grigjat ndër ta.
- 17 Për këtë arsye mendo e pleqëro çfarë të duhet të bësh, sepse me siguri do t`i bëjnë ndonjë të zezë zotërisë sonë dhe mbarë familjes së tij. E zotëria është njeri i keq, kështu që askush s`mund të flasë me të.
- 18 Abigajla shpejt e shpejt mori dyqind bukë, dy rrëshiqa me verë, pesë desh të pjekur, pesë masa grurë të pjekur, njëqind vile rrushi të thatë, dyqind ëmbëlsira fiqsh dhe i ngarkoi mbi gomarë.
- 19 Shërbërorëve të vet u tha: Nisuni para meje, se ja, do t`ju zë. Burrit të vet, Nabalit, nuk i tregoi.
- 20 Ndërsa ajo, kaluar mbi një gomar, po zbriste pas një bërryli malor, edhe Davidi, me njerëzit e vet, po zbriste përballë saj, kështu që ajo u takua me ta.
- 21 Davidi thoshte: Vërtet kot ia ruajta gjënë e tij që e kishte në shkretëtirë, dhe nuk i humbi asnjë kokërr që i përkiste atij e ky ma ktheu të mirën me të keqe.
- 22 Kështu ua bëftë Hyji armiqve të Davidit e edhe më zi nëse do t`i lë gjallë deri nesër në mëngjes a ndonjë mashkull të tij!
- 23 Posa e pa Abigajla Davidin, zbriti me të shpejtë prej gomarit, ra me fytyrë përdhe para Davidit e u përkul deri në tokë.
- 24 Ra para këmbëve të Davidit e tha: Gabimi im, gabimi im, Imzot! Të lutem, lejo të të flasë shërbëtorja jote e dëgjo fjalët e shërbëtores sate.
- 25 Të mos shqetësohet, lutem, Imzoti për punë të atij marroçi;Nabalit, sepse siç i thotë edhe emri i tij: është i marrë dhe marrëzira është me të. Kurse unë, shërbëtorja jote, nuk i pashë djelmoshat e imzotit që i kishe nisur.
- 26 E tani, imzot, pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, vetë Zoti nuk deshi që të derdhje gjak e ta çoje në vend drejtësinë me dorën tënde. E tani si Nabali u bëfshin të gjithë armiqtë e tu e të gjithë ata që imzotit ia mendojnë të keqen!
- 27 Prandaj pranoje këtë dhuratë që ia solli shërbëtorja jote zotërisë sim dhe ua jep djelmoshave që ndjekin imzotin.
- 28 Falja, po të lutem, fajin shërbëtores sate.E Zoti që bën mirë gjithmonë, do t`i bëjë imzotit një shtëpi të qëndrueshme, sepse imzoti lufton luftërat e Zotit: prandaj të mos gjendet vepër e keqe në zotërinë tim gjatë krejt jetës sate.
- 29 E në qoftë se ndonjëherë do të ngrihet ndonjë njeri për të të salvuar e për të ta marrë jetën tënde, jeta e imzotit do të jetë e ruajtur në arkën e jetës te Zoti, Hyji yt; kurse jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë tej vrullshëm me rrotullim të bahes!
- 30 E kur Zoti do t`i çojë në vend të gjitha të mirat që t`i ka premtuar, ai do të të vërë prijës mbi Izraelin,
- 31 atëherë zotëria im s`do të ketë ankth në shpirt e bremje në zemër se ke derdhur gjak më kot e se je hakmarrë me dorën tënde. E kur ta ketë bekuar Zoti imzotin, le të të bjerë ndërmend për shërbëtoren tënde.
- 32 Davidi i tha Abigajlës: Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që të dërgoi sot ty në takim me mua! Qoftë bekuar edhe urtësia jote
- 33 e qofsh bekuar edhe ti që më pengove sot të mos derdhi gjak e të mos hakmerrem me dorën time!
- 34 Se, pëdryshe, pasha Zotin, Hyjin e Izraelit, që më ndaloi të mos të të bëj keq, po të mos më kishe ardhur me kohë në takim, gjallë s`do t`i kishte mbetur deri në agimin e mëngjesit Nabalit asnjë mashkull.
- 35 Atëherë Davidi pranoi prej dorës së saj gjithçka i kishte sjellë ajo dhe i tha: Shko në paqe në shtëpinë tënde. Shiko: ta dëgjova fjalën: qofsh falur!
- 36 Abigajla u kthye te Nabali. Dhe ja, në shtëpi po bënte gosti, me të vërtetë një gosti mbretërish! Ishte shumë i gëzuar e krejtësisht i dehur. Ajo nuk i tregoi asgjë deri në mëngjes.
- 37 Në mëngjes, kur Nabalit i kishte dalë vera, gruaja e tij ia tregoi të gjitha. Atëherë e lëshoi zemra përbrenda në parzëm: u bë si gur.
- 38 Pasi kaluan dhjetë ditë, Zoti e goditi Nabalin e vdiq.
- 39 Kur e mori vesh Davidi se kishte vdekur Nabali, tha: Qoftë bekuar Zoti që e shpagoi fyerjen që ma bëri Nabali e që e ruajti shërbëtorin e vet të mos hakmerrej vetë dhe që të keqen që bëri Nabali e solli mbi kokën e tij.Atëherë Davidi dërgoi njerëzit për t`i thënë Abigajlës se kishte qëllim ta merrte për grua.
- 40 Shkuan, pra, djelmoshat e Davidit tek Abigajla në Karmel dhe i thanë: Davidi na ka dërguar tek ti për të të marrë për grua të tij.
- 41 Ajo u ngrit, u përkul në shenjë nderimi e tha: Ja, shërbëtorja jote është e gatshme t`ua lajë këmbët shërbëtorëve të imzotit.
- 42 U ngrit me nxitim Abigajla, hipi në gomar, pesë shërbëtoret e saja i shkuan pas. Ajo shkoi pas të dërguarve të Davidit dhe u bë gruaja e tij.
- 43 Davidi e kishte marrë për grua edhe Akinoamën prej Jezrahelit dhe të dyja ishin gra të tija.
- 44 Kurse Sauli Mikolën, bijën e vet, gruan e Davidit, ia kishte dhënë Faltiut, birit të Lajisit, që ishte prej Galimit.