Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Filistenjtë nisin luftën kundër Izraelit
- 1 Në ato ditë filistenjtë i mblodhën çetat e tyre për t`u përgatitur për luftë kundër Izraelit. Atëherë Akisi i tha Davidit: Tani duhet ta dish se do të vish me mua në ushtri, ti dhe njerëzit e tu.
- 2 Davidi iu përgjigj Akisit: Mirë! Por edhe ti do ta dish, çka do të bëjë shërbëtori yt! Akisi i tha Davidit: Prandaj po të vë rojtar të kokës sime përgjithmonë.Sauli dhe shortarja e Endorit
- 3 Samueli kishte vdekur. Mbarë Izraeli e kishte qarë dhe e kishin varrosur në Ramë, në qytetin e tij. Sauli i kishte dëbuar prej vendit dijetarët dhe grishësit e shpirtrave.
- 4 U bashkuan filistenjtë, erdhën dhe u fushuan në Sunam. Po ashtu edhe Sauli bashkoi mbarë Izraelin dhe ngulën fushimin në Gjelbou00e9.
- 5 Sauli i pa taborret e filistenjve, mbeti i tmerruar dhe zemra e tij u drodh prej frikës.
- 6 E pyeti për këshillë Zotin, por nuk iu përgjigj as me ëndrra, as me Urim, as me anën e profetëve.
- 7 Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të vet: Ma kërkoni një grua që thërret të vdekurit, se do të shkoj tek ajo e do ta pyes me anë të saj. Shërbëtorët i thanë: Është në Endor një grua që thërret të vdekurit.
- 8 Atëherë Sauli i ndërroi petkat e veta e u vesh me petka të tjera dhe shkoi ai e me të edhe dy të tjerë. Natën arritën te gruaja e i tha: Ma trego të ardhmen me anë të përbetimit të të vdekurve e ma ngri atë që të të them.
- 9 Gruaja iu përgjigj: Ti e di mirë se ç`ka bërë Sauli, si i çrrënjosi prej vendit magjistarët e thirrësit e shpirtrave. Pse po më ngre lak për të më vrarë?
- 10 Sauli iu përbetua me Zotin e i tha: Pasha Zotin e gjallë, kurjë e keqe nuk do të të ndodhë për këtë punë.
- 11 Gruaja i tha: Kë do të ta thërras? Ai tha: Ma thirr Samuelin.
- 12 Gruaja, kur e pa Samuelin, bërtiti me zë të lartë e i tha Saulit: Pse më tradhtove? Ti je Sauli!
- 13 Atëherë mbreti i tha: Mos ki frikë! Çfarë po sheh? Gruaja i tha Saulit: Shoh një njeri hyjnor që ngjitet nga toka.
- 14 E pyeti pastaj: Ç`pamje ka. Ajo tha: Po ngjitet një plak dhe është i mbështjellë me leshnik. Sauli e mori vesh se ishte Samueli dhe ra, në shenjë nderimi me fytyrë përdhe.
- 15 Samueli i tha Saulit: Pse më trazove që të ngrihem? E Sauli iu përgjigj: Jam tepër ngushtë. Filistenjtë po luftojnë kundër meje, Zoti është larguar prej meje dhe nuk deshi të më dëgjojë as me anë të profetëve, as më anë të ëndrrave; prandaj të thirra ty që të më tregosh ç`më duhet të bëj.
- 16 Samueli i tha: Pse më pyet mua, kur e di se Zoti është larguar prej teje dhe është bërë kundërshtari yt?
- 17 Zoti ka bërë ashtu siç ka thënë përmes meje, e hoqi mbretërinë prej dorës sate e ia dha të afërmit tënd, Davidit,
- 18 sepse nuk e ke dëgjuar zërin e Zotit dhe s`e ke kryer zemërimin e tij të hidhur kundër amalekasve. Prandaj edhe Zoti u soll me ty kështu sot.
- 19 Zoti bashkë me ty do ta lëshojë në dorë të filistenjve edhe Izraelin. Nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua, kurse ushtrinë e Izraelit Zoti do ta lëshojë në dorë të filistenjve.
- 20 Aty për aty Sauli u shtri përtokë sa gjërë e gjatë. E tmerruan fjalët e Samuelit, por edhe fuqia e kishte lënë, sepse nuk kishte ngrënë bukë gjithë ditën e gjithë natën.
- 21 Gruaja iu afrua Saulit, e pa se ishte shtanguar nga frika e i tha: Ja, shërbëtorja jote e dëgjoi kërkesën tënde, e vura jetën time në rrezik dhe i dëgjova fjalët e tua që m`i the.
- 22 Tani dëgjoje edhe ti fjalën e shërbëtores sate, po të vë para një kafshatë bukë, ha e forcohu që të mund të bësh rrugë.
- 23 Ai s`pranoi e tha: S`do të ha! Por e shtrënguan shërbëtorët e tij dhe gruaja dhe, dikur, ua dëgjoi fjalën, u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.
- 24 Gruaja e kishte në shtëpi një viç për majmëri. Nxitoj dhe e preu, mori miellin dhe poqi bukë ndore.
- 25 Ua vuri para Saulit dhe shërbëtorëve të tij. Këta, pasi hëngrën, u çuan dhe shkuan po atë natë.