Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Lufta kundër amalekasit
- 1 Kur Davidi dhe njerëzit e tij të tretën ditë arritën në Siceleg, amalekasit i kishin rënë pre Nagebit e Sicelegut. Sicelegun e kishin plaçkitur dhe i kishin dhënë zjarr.
- 2 Kishin marrë robër gra e të gjithë ata që kishin gjetur në të prej më të voglit e deri te të mëdhenjtë. Vrarë nuk i kishin, por i kishin marrë me vete e ishin nisur udhës së vet.
- 3 Pra, kur erdhën Davidi e njerëzit e tij në qytet dhe e gjetën të djegur, gra, djem e vajza të çuara në skllavëri,
- 4 Davidi dhe njerëzit që ishin me të e ngritën zërin dhe vajtuan derisa u mbaruan forcat e s`patën më lot.
- 5 Po ashtu të zëna rob ishin edhe dy gratë e Davidit, Akinoama jezrahelite dhe Abigajla, gruaja e Nabalit prej Karmelit.
- 6 Edhe Davidi u gjet shumë ngushtë, sepse populli donte ta vriste me gurë, meqenëse të gjithë ishin të helmuar shpirtërisht për gjendjen e bijve e të bijave të tyre. Por Zoti, Hyji i tij, i dha forcë Davidit
- 7 e i tha Abiatarit prift, birit të Akimelekut: Ma bjer shpinorin. Dhe Abiatari ia solli Davidit shpinorin.
- 8 Atëherë Davidi e pyeti Zotin për këshillë: A t`i ndjek këta cuba dhe a do t`i zë, apo jo? Iu përgjigj: Ndiqi! Padyshim do t`i zësh dhe do t`ua marrësh prenë.
- 9 U nis, pra, Davidi dhe gjashtëqind burrat që ishin me të, dhe arritën te përroi Besor. Disa u lodhën e u ndalën,
- 10 kurse vetë Davidi me katërqind vetë i ndoqi e dyqind të tjerët, të lodhur shumë, nuk mund e kaluan përruan Besor.
- 11 Në fushë takuan një egjiptian dhe e çuan te Davidi. I dhanë bukë të hajë e ujë të pijë, e hëngri.
- 12 I dhanë edhe pak bukëfike dhe dy vile rrush të thatë. Kur i hëngri këto, iu kthye fryma, sepse nuk kishte ngrënë bukë e as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri net.
- 13 Davidi i tha: I kujt je ti dhe nga je? Ai iu përgjigj: Jam egjiptian, skllav i një amalekasi. Pardje më la imzot, sepse fillova të sëmuresha.
- 14 I ramë pre Nagebit të Keretit, Nagebit të Judës, Nagebit të Kalebit dhe Sicelegun e dogjëm.
- 15 Davidi e pyeti: A mund të më prish deri tek ajo çetë? Ai iu përgjigj: M`u beto me Hyjin se nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh te zotëria im dhe unë do të të çoj deri në atë çetë. Dhe Davidi iu betua.
- 16 Djaloshi, pra, i priu dhe e çoi tek ata. Kur ja, ata ishin shpëdarë nëpër atë krahinë, hanin e pinin e bënin festimin e presë e të plaçkitjes që kishin marrë prej tokës së filistenjve e të Judës.
- 17 Të nesërmen Davidi t`i sulmoi e t`i goditi që në mëngjes e deri në mbrëmje, dhe s`shpëtoi prej tyre askush me përjashtim të katërqind djelmoshave që hipën në deve e ikën.
- 18 Kështu Davidi shpëtoi gjithçka kishin plaçkitur amalekasit, i shpëtoi edhe të dy gratë e veta.
- 19 Dhe nuk u mungoi askush prej më të voglit e deri tek më i madhi, qoftë prej djemve, qoftë prej vajzave e prej presë: gjithçka u qe marrë; Davidi përsëri ia doli t`i kthejë.
- 20 Kështu Davidi i mori të gjitha grigjat dhe loritë e i prunë para tij dhe për këtë gjë thoshin: Kjo është preja e Davidit.
- 21 Erdhi, pra, Davidi tek ata dyqind vetë që, të lodhur e të këputur, kishin mbetur e nuk kishin mundur të shkonin pas Davidit dhe që Davidi u kishte urdhëruar të rrinin te përroi Besor. Këta i dolën Davidit para dhe ushtarëve që ishin me të. U afrua tek ata Davidi dhe i përshëndeti përzemërsisht.
- 22 Por burrat e këqij e të poshtrit ndër ata që kishin shkuar me Davidin, thanë: Pasi nuk erdhën me ne, nuk do t`u japim asgjë prej presë që kapëm; mjaft e ka secili prej tyre të marrë gruan e fëmijët e vet e të çajnë e të shkojnë.
- 23 Por Davidi tha: Mos bëni ashtu, vëllezër! Pasi Zoti na i dha të gjitha e na ruajti shëndoshë e na i lëshoi në duar tona cubat që na kishin plaçkitur!
- 24 Dhe as të mos dëgjohet kjo fjalë ndër ju! E barabartë duhet të jetë pjesa e atij që bie në luftë me pjesën e atij që ruan pajisjet në fushim: të gjithë le të kenë pjesë të barabartë.
- 25 Kjo gjë që atë ditë e tutje u bë si rregullore e ligj në Izrael deri në ditën e sotme.
- 26 Kur arriti Davidi në Siceleg, u dërgoi pleqve të Judës, bashkatdhetarëve të vet, dhurata prej presë, me këto fjalë: Pranojeni këtë dhuratë prej presë që ua morëm armiqve të Zotit, (dhuratë)
- 27 atyre që ishin në Betul, atyre që ishin në Ramë të Nagebit, atyre në Jetër,
- 28 atyre në Aroer, atyre në Sefamot, atyre në Estemo,
- 29 atyre që ishin në Karmel, atyre që ishin në qytetet e Jerameelit, atyre që ishin në qytetet e Ceniut,
- 30 atyre në Hormë, atyre në Borasan, atyre në Atak,
- 31 atyre në Hebrondhe atyre që ishin në vende të tjera, ku kishte qëndruar Davidi me njerëzit e vet.