Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Humbja e luftës së izraelitëve dhe grabitja e Arkës
- 1 Ndër ato ditë u bashkuan filistenjtë për të luftuar. Edhe izraelitët u dolën para filistenjve për t`u ndeshur në luftë. E ngulën fushimin përgjatë Abeneserit, kurse filistenjtë në Afek
- 2 dhe e renditën rreshtin e luftës kundër Izraelit. Por, kur u ndez lufta, izraelitët u sollën shpinën filistenjve. Mbetën të vrarë atë ditë nëpër ara rreth katër mijë burra.
- 3 Populli u kthye në fushim e pleqtë e Izraelit thanë: Pse na goditi sot Zoti me anë të filistenjve? Të shkojmë në Silo e ta marrim Arkën e Besëlidhjes së Zotit dhe ta çojmë në mesin tonë që të na shpëtojë prej dorës së armiqve tanë.
- 4 Populli dërgoi disa njerëz në Silo dhe morën prej andej Arkën e Besëlidhjes së Zotit të ushtrive që rri përmbi kerubinë. Me Arkën e Besëlidhjes së Hyjit ishin të dy bijtë e Heliut, Ofniu dhe Fineesi.
- 5 Posa arriti në fushim Arka e Besëlidhjes së Zotit, mbarë Izraeli lëshoi një britmë kushtrimi aq të fortë, saqë ushtoi toka.
- 6 Filistenjtë dëgjuan brohoritjen e thanë: Ç`do të jetë kjo britmë kushtrimi në fushimin e hebrenjve? E morën vesh se kishte ardhur në fushim Arka e Zotit.
- 7 Filistenjtë u trembën e thanë: Hyji i erdhi në fushim! Dhe britën e thanë:
- 8 Të mjerët ne! Nuk kishte një gëzim të tillë më parë! Të mjerët ne! Kush do të na shpëtojë prej duarve të zotave të tillë të madhërishëm? Këto janë hyjnitë që i goditën egjiptianët me të gjitha ato shuplaka në shkretëtirë!
- 9 Meri zemër e bëhuni trima, o filistenj, që të mos u shërbeni hebrenjve, sikurse ata ju shërbyen juve. Jini trima e luftoni!
- 10 Atëherë filistenjtë e filluan betejën, izraelitët u thyen dhe secili u fut në çadrën e vet. Qe kjo një humbje e madhe fort: ranë në luftim izraelitët tridhjetë mijë këmbësorë.
- 11 U zu edhe Arka e Hyjit, po edhe të dy bijtë e Heliut mbetën të vrarë: Ofniu e Fineesi.Vdekja e Heliut
- 12 Po atë ditë erdhi me vrap në Silo një burrë prej fisit të Beniaminit nga fronti i luftës me petka të shqyera e me kokë të përhitur nga pluhuri.
- 13 Kur arriti ky, Heliu rrinte në ndenjësen e vet në hyrje, me fytyrë nga rruga: e kishte zemrën të shqetësuar lidhur me Arkën e Hyjit. Ky njeri si arriti e dha lajmin e zi. Mbarë qyteti lëshoi një britmë të madhe.
- 14 Heliu e dëgjoi britmën e pyeti: Ç`do të thotë kjo britmë kryengritjeje? Ndërkaq ai njeri vrapoi e i tregoi Heliut.
- 15 Heliu kishte nëntëdhjetë e tetë vjet, sytë i ishin errësuar e më nuk shihte.
- 16 Ky i tha Heliut: Jam unë që po vij nga fronti i luftës dhe sot ika nga lufta. E ai e pyeti: Çfarë ka ndodhur, biri im?
- 17 Lajmëtari iu përgjigj: Iku para filistenjve Izraeli e u bë kërdi e madhe në popull. Për më tepër, mbetën edhe të dy djemtë e tu, Ofniu dhe Fineesi dhe ata e morën edhe Arkën e Hyjit.
- 18 Kur dëgjoi të përmendet Arka e Hyjit, u rrëzua përmbrapa nga ndenjësja, ra në prak të derës, theu arrçin e qafës e vdiq. Sepse ishte njeri i moçëm e i rëndë.Qe gjyqtar në Izrael për dyzet vjet.Vdekja e gruas së Fineesit
- 19 Reja e tij, gruaja e Fineesit, ishte shtatzënë dhe afër për të lindur. Kur dëgjoi se është marrë Arka e Hyjit, se i vdiq vjehrri dhe se i kishte mbetur burri, ra e lindi: papritmas e kapën dhembjet e të lindurit.
- 20 Ndërsa ajo ishte duke dhënë shpirt, ato që e rrethonin, i thoshin: Mos u tremb se ke lindur djalë. Por ajo nuk u përgjigj as që i dëgjoi.
- 21 Ajo e quajti djalin Ikabod, d. m. th. I shkoi nderi Izraelit, sepse u mor Arka e Hyjit, e vdiq vjehrri dhe iu vra burri.
- 22 Tha: Shkoi nderi i Izraelit, pasi u mor Arka e Hyjit!