Beselidhja e Vjeter1 i Mbretërve: Rrethimi i Samarisë
- 1 Benadadi, mbreti i Sirisë, e mblodhi mbarë ushtrinë e vet me të ishin edhe tridhjetë e dy mbretër, me kuaj e me karroca lufte. U nis kundër Samarisë dhe e rrethoi për ta pushtuar.
- 2 Dërgoi lajmëtarë tek Akabi, mbreti i Izraelit, në qytet
- 3 e i tha: Kështu thotë Benadadi: Imi është argjendi yt e ari yt, gratë e tua dhe djemtë e tu, ata më të mirët, janë të mitë.
- 4 Mbreti i Izraelit iu përgjigj: Le të jetë ashtu siç thua ti, mbret, zotëria im! Yti jam unë me gjithçka kam.
- 5 Por lajmëtarët u rikthyen e thanë: Kështu thotë Benadadi: Të kam urdhëruar: `M`i jep argjendin tënd, arin tënd, gratë e tua e fëmijët e tu`.
- 6 Kështu pra, nesër, po në këtë orë, do t`i dërgoj shërbëtorët e mi tek ti. Ata do ta kërkojnë shtëpinë tënde e shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe gjithçka të gjejnë që është e çmueshme për sytë e tu, do të vënë dorë mbi të e do ta marrin.
- 7 Mbreti i thirri të gjithë krerët e vendit dhe u tha: Shikoni e shihni se ky do të na e bëjë të keqen, sepse dërgoi të m`i kërkojë gratë e mia, fëmijët, argjendin e arin dhe unë nuk ia mohova.
- 8 Të gjithë krerët dhe mbarë populli i thanë: Mos e dëgjo as mos i prano!
- 9 Këndej, pra, iu përgjigj kasnecëve të Benadadit: Tregoni zotërisë tim, mbretit: Gjithçka ke kërkuar nga shërbëtori yt herën e parë, do ta plotësoj; por këtë gjë nuk mund ta bëj. Lajmëtarët u kthyen dhe i treguan.
- 10 Ai i nisi përsëri e tha: Kështu e kështu e më zi ma bëfshin zotat, nëse pluhuri i Samarisë do të mjaftojë për të mbushur grushtin të gjithë njerëzit që do të vijnë me mua!
- 11 Atëherë mbreti i Izraelit iu përgjigj: Thoni lirisht: Të mos lëvdohet ai që e ngjesh shpatën si ai që e zhgjesh!
- 12 Benadadi, posa i dëgjoi këto fjalë;ishte duke pirë me mbretërit në çadra;u urdhëroi shërbëtorve të vet: Rrethojeni qytetin! Dhe ata e rrethuan.Fitorja e izraelitëve
- 13 Dhe ja, një profet u afrua tek Akabi mbret e i tha: Kështu thotë Zoti:`Do ta kesh parë patjetër gjithë këtë shumicë të madhe! Ja, pra, unë sot do të ta lëshoj në dorën tënde që ta dish se unë jam Zoti!
- 14 Akabi pyeti: Me anë të kujt? Ai i tha: Kështu thotë Zoti: `Me anë të djelmoshave të qeveritarëve të krahinave. E pyeti: Kush do ta fillojë luftën? Ai iu përgjigj: Ti!
- 15 I rreshtoi djelmoshat e qeveritarëve të krahinave: ishin dyqind e tridhjetë e dy. Pas tyre rreshtoi mbarë ushtrinë e Izraelit: ishin shtatë mijë.
- 16 Këta dolën në mesditë ndërsa Benadadi i dehur po pinte në çadra me tridhjetë e dy mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë.
- 17 Djelmoshat e qeveritarëve të krahinave dolën të parët në vijën e frontit. Benadadi kërkoi ta njoftonin. I treguan: Disa njerëz kanë dalë prej Samarisë.
- 18 Ai dha urdhër: Si në paçin dalë për paqe, kapni gjallë, si në paçin dalë për të luftuar, kapni gjallë.
- 19 Kishin dalë, pra, prej qytetit djelmoshat e qeveritarëve të krahinave, kurse ushtira vinte pas tyre.
- 20 Secili djalosh vrau atë që i vinte përballë. Sirianëve iu dha ikja, kurse izraelitët i ndoqën. Iku gjithashtu me kalë edhe Benadadi, mbreti i Sirisë, e me të edhe kalorësit.
- 21 Doli edhe mbreti i Izraelit. Ai zuri robër kuaj e karroca dhe i shkaktoi Sirisë humbje të madhe.Ndërkohë
- 22 Profeti u afrua te mbreti i Izraelit e i tha: Të lumtë! Mos e humb guximin, por kujdes! Shqyrto e mendo mirë çfarë duhet të bësh, sepse në vitin e ardhshëm mbreti i Sirisë do të të sulmojë!
- 23 Kurse shërbëtorët e mbretit të Sirisë i thanë: Hyji i tyre është Hyj malesh, prandaj na mundën; por ne do të luftojmë kundër tyre në rrafsh dhe do të fitojmë.
- 24 Prandaj bëj kështu: Shkarko prej detyre të gjithë mbretërit e në vend të tyre vër prijës.
- 25 Pastaj bashko ushtri të madhe sa ç`ka qenë ajo që humbe, aq kuaj sa ç`kanë qenë ata më parë, aq karroca lufte sa ç`ishin ato më parë, do të luftojmë kundër tyre në rrafshinë, dhe do të shohësh se do t`i mundim. Ai i besoi këshillit të tyre dhe ashtu bëri.Fitorja e Afekut
- 26 Në fillim të vitit të ardhshëm, Benadadi, pra, i mblodhi sirianët dhe u ngjit në Afek për të luftuar kundër Izraelit.
- 27 Po ashtu u bashkuan edhe bijtë e Izraelit dhe, duke marrë me vete ushqimet, u nisën kundër tyre. Izralitët ngulën fushimin përballë tyre: ishin si dy mrete të vogla dhish, kurse sirianët kishin mbuluar vendin.
- 28 Një njeri i Hyjit u afrua te mbreti i Izraelit e i tha: Kështu thotë Zoti: `Pasi sirianët thanë: Zoti është Hyji i maleve e jo edhe i rrafshinave, gjithë këtë mori të madhe do ta lëshoj në duart e tua e kështu do ta dini se unë jam Zoti.
- 29 Për shtatë ditë qëndruan të fushuar njëri përballë tjetrit. Të shtatën ditë plasi luftimi. Bijtë e Izraelit i vranë në një ditë njëqind mijë këmbësorë sirianë.
- 30 Ata që në Afek mbetën gjallë, ikën në qytet, por mbi njëzet e shtatë mijë vetë që patën mbetur gjallë, u rrëzuan muret.Iku edhe Benadadi. Hyri në qytet dhe u ndry në një dhomë të fshehtë.
- 31 Shërbëtorët e tij i thanë: Kemi dëgjuar se mbretërit e Shtëpisë së Izraelit janë zemërdhimbshëm: t`i ngjeshim, pra, ijët me grathore, t`i vëmë litarët në qafat tona dhe të dalim para mbretit të Izraelit: ndoshta ta fal jetën.
- 32 I ngjeshën rreth ijëve grathoret, i vunë rreth qafe litarët, dolën para mbretit të Izraelit dhe thanë: Shërbëtori yt Benadadi thotë: Të lutem, ma fal jetën! Ai iu përgjigj: Nëse është ende gjallë, vëlla e kam.
- 33 Njerëzit hetuan një shenjë të mirë e shpejtuan ta kapin për fjale. I thanë: Benadadin e ke vëlla! Akabi u përgjigj: Shkoni e silleni! Erdhi, pra, Benadadi tek ai e ky e vuri në karrocën e vet.
- 34 Atëherë Benadadi i tha: Do t`i kthej qytetet që im atë ia mori babait tënd; ti hapi tregjet e tua në Damask, siç i ka pasë hapur im atë në Samari. Akabi tha: Atëherë me këtë kusht po të lë të shkosh. Bëri me të besëlidhje dhe e la të shkojë.Profeti e prozhmon Akabin
- 35 Atëherë njëri prej bijve të profetëve me urdhër të Zotit i tha shokut të vet: Më bjer! Por ai nuk deshi t`i bjerë.
- 36 Ai i tha: Pasi s`deshe ta dëgjosh urdhrin e Zotit, ja, posa të largohesh prej meje, do të të copëtojë luani! Posa u largua prej tij, hasi një luan dhe luani e copëtoi.
- 37 Profeti takoi një tjetër njeri dhe i tha: Më rrah! Ai e rrahu dhe e plagosi.
- 38 Profeti shkoi, i doli mbretit shul në rrugë, vuri mbi sy një lidhëse për të mos e njohur.
- 39 Kur po kalonte mbreti, ai bërtiti e i tha mbretit: Shërbëtori yt ka marrë pjesë në luftim personalisht, dhe ja, prej rreshtit të luftimit doli një njeri e ma dorëzoi një të ikur e më tha: `Ruaje këtë njeri! Në qoftë se të ikën, jeta jote do të shkojë në vend të jetës së tij ose do të paguash një talent`.
- 40 Tashti, ndërsa unë, shërbëtori yt, isha i zënë me punë e po sillesha andej e këndej, ai u zhduk. Atëherë mbreti i Izraelit iu përgjigj: Ti vetë e caktove dënimin tënd.
- 41 Ai menjëherë e hoqi lidhësen prej syve të vet dhe mbreti i Izraelit e njohu se ishte një prej profetëve.
- 42 Profeti i tha: Kështu thotë Zoti: `Pasi e lëshove prej duarve të tua njeriun që e kisha ngarkuar me dënimin e vdekjes, në vend të jetës së tij do të shkojë jeta jote, e në vend të popullit të tij, populli yt.
- 43 Mbreti i Izraelit u kthye në Samari e shkoi në shtëpinë e vet i zymtë dhe i vranët.