Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Shërimi i Naamanit
- 1 Naamani, prijësi i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte njeri me rëndësi të madhe në sytë e zotërisë së vet dhe i nderuar shumë, sepse me anë të tij Zoti e kishte shpëtuar Sirinë; porse ky trim i mirë ishte i gërbulur.
- 2 Në një çetim që bënë disa prej Sirisë, grabitën edhe një vajzë të re nga dheu i Izraelit dhe kësaj i takoi të bëhej shërbëtore e gruas së Naamanit.
- 3 Kjo po i thotë zonjës së vet: Oh, sikur t`i drejtohej imzot profetit që është në Samari! Me siguri do ta shëronte nga gërbula e tij!
- 4 Naamani shkoi dhe i tha zotërisë së vet: Kështu e kështu ka thënë një vajzë prej Izraelit.
- 5 Mbreti i tha: Ti nisu për rrugë! Unë do t`i shkruaj mbretit të Izraelit një letër. Naamani u nis. Me vete mori dhjetë talenta argjend, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë petka ndërrimi.
- 6 Ia dorëzoi letrën mbretit të Izraelit. Në të thuhej: Posa ta marrësh këtë letër, dije se e kam dërguar shërbëtorin tim Naamanin që ta shërosh prej gërbulës së tij.
- 7 Kur e lexoi letrën mbreti i Izraelit, i shqeu petkat e veta dhe tha: A mos jam unë Perëndi që të mund të vras e të ngjall, që të dërgojë ky tek unë për t`ia shëruar njeriun prej gërbulës? A po shihni se s`kërkon tjetër pos rast për të m`u ngatërruar!
- 8 Por kur Elizeu, njeriu i Hyjit, mori vesh se mbreti i Izraelit i kishte shqyer petkat e veta, dërgoi t`i thoshin mbretit: Pse i shqeve petkat e tua? Le të vijë tek unë e le ta dijë se ka profet në Izrael!
- 9 Naamani shkoi me kuaj e me karroca dhe zuri vend te dera e shtëpisë së Elizeut.
- 10 Elizeu i dërgoi një lajmëtar me këto fjalë: Shko e lahu shtatë herë në Jordan: trupi yt do të shërohet e do të pastrohesh.
- 11 Naamani u hidhërua dhe u nis duke turfulluar: Unë mendoja se do të dilte tek unë, do të qëndronte para meje e do ta thërriste Emrin e Zotit, Hyjit të tij, mbi mua, do të ma prekte me dorën e vet vendin e gërbulës e do të më shëronte!
- 12 Pse a nuk janë më të mira Abana e Farfari, lumenjtë e Damaskut, se të gjitha ujërat e Izraelit për t`u larë në to e për t`u shëruar?, dhe u kthye duke shfryrë i hidhëruar.
- 13 Por iu afruan shërbëtorët e tij e i thanë: Po të të kishte urdhëruar profeti një punë të vështirë, patjetër se do ta kishe kryer; aq më tepër pasi tani të tha: `Lahu e do të pastrohesh`.
- 14 Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.
- 15 Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: Tani po e di se s`ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd.
- 16 Por ai iu përgjigj: Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s`i marr. Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi.
- 17 I tha Naamani: Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t`i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.
- 18 Por Zoti le t`ia falë këtë sjellje shërbëtorit tënd: kur do të shkojë zotëria im në tempullin e Remonit për të adhuruar atje e do të mbështetet në dorën time, edhe unë do të bie në adhurim në tempullin e Remonit ndërsa ai të adhurojë; të lutem për këtë gjë le të më falë Zoti mua, shërbëtorin tënd.
- 19 Elizeu iu përgjigj: Shko në paqe!Pasi Naamani qe larguar jo shumë larg Elizeut,
- 20 Gjiezi, shërbëtori i njeriut të Hyjit, tha me vete: Imzoti e nisi Naamanin, këtë sirian, e s`mori prej tij dhuratat që i solli.Pasha Zotin, po i vihem vetë prapa e s`po e lë pa i marrë ndonjë gjë.
- 21 Gjiezi iu vu pas Naamanit. Ky, kur e vuri re se po vraponte pas tij, zbriti prej karroce dhe u kthye ta takojë. I tha: A është gjithçka mirë?
- 22 Gjiezi iu përgjigj: Mirë! Por imzoti më dërgoi të të them:` Posa më erdhën dy djelmosha prej malit të Efraimit, dy prej bijve të profetëve. Po të lutem më jep për ta një talent argjendi dhe dy palë petka ndërrimi`.
- 23 Naamani i tha: Më mirë merri dy talenta. Dhe iu vu t`i merrte. I lidhi në dy qese dy telentat, dha dy palë petka dhe ua dha dy shërbëtorëve të vet e këta i sollën para tij.
- 24 Kur arritën në kodër, Gjiezi i mori prej tyre dhe i vendosi në shtëpi: djelmoshat i nisi dhe ata u kthyen.
- 25 Gjiezi hyri te zotëria i vet e qëndroi para tij. Elizeu e pyeti: Gjiezi, prej nga po vjen? Iu përgjigj: Shërbëtori yt nuk shkoi askund.
- 26 Elizeu i tha: Pse a nuk qeshë në shpirt aty unë kur një njeri zbriti nga karroca për të ardhur në takim me ty? A thua ishte koha të merrje argjend, petka, ullishta, vreshta, dele, lopë, shërbëtorë e shërbëtore?
- 27 Ama edhe gërbula e Naamanit do të kalojë mbi ty e mbi farën tënde për amshim! Dhe doli prej tij i gërbulur bardhë si bora!