Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Mbretërimi i Ozesë në Izrael
- 1 Në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Akaz, në Samari u bë mbret mbi Izraelin Ozeja, biri i Elës. Mbretëroi për nëntë vjet.
- 2 Bëri ç`është e keqe para syve të Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që kishin qenë para tij.
- 3 Kundër tij u çua Salmanasari, mbreti i asirëve, dhe Ozeja iu nënshtrua e i paguante telozna.
- 4 Kur e hetoi mbreti i Asirisë se Ozeja kishte për qëllim të çohej kundër tij, sepse kishte dërguar kasnecë të mbreti i Egjiptit, Sua, dhe nuk i kishte paguar teloznat siç e kishte zakon t`i paguajë çdo vit, e kapi Ozenë, e lidhi në pranga dhe e qiti në burg.Pushtimi i Samarisë /721/
- 5 Mbreti i Asirisë e pushtoi mbarë vendin dhe u ngjit dhe e rrethoi Samarinë. E mbajti në rrethim për tre vjet.
- 6 Në vitin e nëntë të mbretërimit të Ozesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, i shpuri izraelitët në Asur dhe i vendosi në Halë, në brigjet e Haborit, lumë i Gozanit dhe në qytetet e medëve.Përsiatje mbi shpartallimin e mbretërisë së Izraelit
- 7 E ndodhi kështu, sepse bijtë e Izraelit mëkatuan kundër Zotit, Hyjit të vet, i cili i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit, prej kthetrave të faraonit, mbretit të Egjiptit, e ata nderuan hyjnitë e huaja.
- 8 Jetuan sipas zakoneve të kombeve që i zhduku Zoti në ardhjen e bijve të Izraelit, e sipas ligjeve që i vunë në fuqi mbretërit e Izraelit.
- 9 Bijtë e Izraelit e fyen me vepra jo të drejta Zotin, Hyjin e vet. Ndërtuan mogila në të gjitha qytetet e veta që nga kullat e vëzhgimit deri në qytete të fortifikuara.
- 10 Punuan gugulë dhe banirë në majë të çdo kodre e nën çdo lëndë të gjelbër
- 11 dhe digjnin kem në të gjitha lartësirat sikurse edhe kombet që Zoti i kishte shpëgulur para tyre. Bënë vepra tmerrësisht të këqija duke e hidhëruar Zotin
- 12 dhe adhuruan idhuj të fëlliqët, që u kishte urdhëruar Zoti të mos e bënin atë gjë.
- 13 E Zoti i kishte përkujtuar zyrtarisht izraelitët e judenjtë me anë të gjithë profetëve e të gjithë veguesve duke u thënë: Kthehuni prej udhëve tuaja të këqija e mbani urdhërimet e rregulloret e mia sipas ligjit që ua urdhërova etërve tuaj dhe sipas të gjithave që jua kam zbuluar me anë të profetëve, shërbëtorëve të mi. .
- 14 Por ata nuk dëgjuan. E ngurruan zverkun e vet në gjasim të zverkut të etërve të tyre, që nuk deshën të besonin në Zotin, Hyjin e vet.
- 15 E përbuzën Ligjin dhe Besëlidhjen e tij, që e lidhi me etërit e tij, kërkesat që ai ua kishte bërë: shkuan pas gjërave të kota dhe u bënë asgjë.I ndoqën kombet që ishin përreth tyre, kurse Zoti u kishte urdhëruar të mos bëjnë siç bënin ato.
- 16 I lanë të gjitha urdhërimet e Zotit, Hyjit të vet, dhe punuan idhuj të metaltë: dy viça e banirin, adhuruan mbarë ushtrinë qiellore, i shërbyen Baalit,
- 17 i kushtuan bijtë e bijat e veta duke i kaluar nëpër zjarr; pyetnin shortarët e ushtronin magjinë e kështu u dhanë të bënin çka është e keqe ndër sy të Zotit me qëllim që ta ngacmonin.
- 18 Atëherë Zoti u hidhërua në Izraelin për së tepërmi dhe e flaku larg syve të vet. Mbeti vetëm fisi i Judës.
- 19 Por mjerisht as ata të fisit të Judës nuk i ruanin urdhërimet e Zotit, Hyjit të vet, por ecnin në gabimet që kishte bërë Izraeli.
- 20 Zoti e flaku mbarë farën e Izraelit, i përvujtnoi ata dhe i lëshoi në duar të grabitqarëve derisa i flaku krejtësisht prej fytyrës së vet.
- 21 Që prejkohës që Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit dhe vuri për mbret të vetin Jeroboamin, birin e Nabatit,;sepse Jeroboami e ndau Izraelin prej Zotit dhe e bëri të bëjë mëkatin e madh,;edhe Zoti e braktisi Izraelin.
- 22 Bijtë e Izraelit ecën në të gjitha mëkatet që i kishte bërë Jeroboami. Nuk u larguan prej tyre
- 23 derisa e dëboi Zoti Izraelin prej fytyrës së vet, siç u kishte thënë me gojën e të gjithë profetëve, shërbëtorëve të vet. Kështu qe humbur me dhunë Izraeli prej tokës së vet në Asur deri në ditën e sotme.Prejardhja e samarianëve
- 24 Mbreti i Asirisë atëherë solli popuj prej Babilonit, prej Kutës, prej Avahit, prej Ematit e prej Sefarvaimit dhe i vendosi në vend të bijve të Izraelit në qytetet e Samarisë. Këta e bënë pronë Samarinë e banuan në qytetet e saja.
- 25 Tashti, që në fillim të nguljes së tyre në të, nuk e kishin frikë Zotin. Zoti dërgoi kundër tyre luanë që mbytën disa prej tyre.
- 26 Qe lajmëruar mbreti i asirëve: Njerëzit që çove dhe i vendose të banojnë në qytetet e Samarisë, nuk e dinë mënyrën si duhet të nderohet Hyji i vendit. Prandaj u çoi luan dhe, ja, po i mbysin, sepse nuk e dinë mënyrën si duhet nderuar Hyji i vendit.
- 27 Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi: Çojeni atje një prej priftërinjve që sollet s`andejmi si skllevër, le të shkojë e le të banojë ndër ta e t`ua mësojë mënyrën e nderimit të Hyjit të vendit.
- 28 Kështu, kur erdhi njëri prej atyre priftërinjve që kishin qenë marrë skllevër prej Samarisë, banoi në Betel dhe i mësonte se si duhej ta nderonin Zotin.
- 29 Megjithatë, secili popull punoi hyjin e vet. I vendosën në tempujt e lartësirave që i kishin ndërtuar samarianët, secili popull në qytetin e vet ku banonte.
- 30 Kështu ata prej Babilonit punuan Sokotbenotin, kutenët Nergelin, ata prej Ematit Asimën,
- 31 kurse hevenjtë punuan Nebahazin dhe Tartakun, kurse ata që ishin prej Sefarvaimit i digjnin fëmijët e vet në zjarr për nder të Adramelekut e të Anamelekut, hyjnive të Sefarvaimit.
- 32 E migjithatë nderonin edhe Zotin. Bënë prej mesit të vet priftërinj të lartësirave dhe i vendosnin në tempuj të lartësirave;
- 33 dhe, ndërkohë që nderonin Zotin, u shërbenin edhe hyjnive të veta sipas zakoneve të popujve prej të cilëve kishin ardhur në Samari.
- 34 Deri më sot e përfillin zakonin e vjetër: nuk e druajnë Zotin, nuk e rregullojnë jetesën e vet brenda hullive të Ligjit as urdhërimeve as rregulloreve që ua urdhëroi Zoti bijve të Jakobit, të cilin e pat quajtur Izrael.
- 35 Zoti ka lidhur me ta një besëlidhje dhe u kishte urdhëruar duke thënë: Mos i druani zotat e huaj, mos i nderoni, mos i adhuroni dhe mos u flijoni atyre,
- 36 por nderojeni vetëm Zotin që ju nxori nga toka e Egjiptit me fuqi të madhe e krah të shtrirë. Vetëm atë druani, atë adhuroni dhe atij i flijoni!
- 37 Urdhërimet e ritet, Ligjin e urdhrin, që e ka shkruar për ju, kujdesohuni ta zbatoni në të gjitha ditët e jetës suaj. Mos druani të tjerë zota!
- 38 Besëlidhjen që e rraha me ju, mos e harroni dhe mos i druani zotat e huaj,
- 39 por druani vetëm Zotin, Hyjin tuaj, dhe ai do t`ju shpëtojë nga dora e të gjithë armiqve tuaj.
- 40 Por ata nuk dëgjuan e vazhduan të veprojnë sipas zakonit të tyre të vjetër.
- 41 Kështu, pra, këta popuj e druanin Zotin, por megjithatë u shërbenin edhe idhujve të vet. Krejtësisht siç vepruan etërit e tyre, bijtë e bijtë e bijve të tyre vazhdojnë të veprojnë edhe sot si ata.