Beselidhja e Vjeter2 i Mbretërve: Rrëmbimi i Elisë që lë për pasardhës Elizeun
- 1 Ja çfarë ndodhi kur Zoti e ngriti Elinë në qiell në vorbull. Elia e Elizeu e lëshuan Galgalën.
- 2 Elia i tha Elizeut: Rri ti këtu, sepse mua Zoti po më dërgon deri në Betel. Por Elizeu iu përgjigj: Pasha Zotin e gjallë e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm. . Kur zbritën në Betel,
- 3 bijtë e profetëve, që ishin në Betel, i dolën para Elizeut e i thanë: A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde? Ai u përgjigj: Edhe vetë e di, po heshtni!
- 4 Elia i tha: Elize, qëndro këtu, sepse Zoti po më dërgon në Jerik . Ai iu përgjigj: Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm. Kur arritën në Jerik,
- 5 iu afruan Elizeut bijtë e profetëve që ishin në Jerik, e i thanë: A e di se sot Zoti do ta marrë zotërinë tënd përmbi kokën tënde? Ai iu përgjigj: Edhe vetë e di, po heshtni!
- 6 Elia i tha Elizeut: Rri këtu se mua Zoti po më dërgon deri në Jordan. Ky iu përgjigj: Pasha jetën e Zotit e pasha jetën tënde, unë nuk do të të lë vetëm. Kështu shkuan së bashku.
- 7 Pesëdhjetë vetë nga bijtë e profetëve shkuan pas tyre.Këta zunë vend përballë tyre, pakëz më larg, kurse ata të dy shkuan te Jordani.
- 8 Elia e hoqi leshnikun, e mbështolli dhe me të i ra ujit. Uji u nda në dy pjesë dhe ata kaluan terikut.
- 9 Kur kaluan matanë, Elia i tha Elizeut: Kërko çfarë do që të bëj për ty para se të më marrin prej teje. Elizeu iu përgjigj: Të lutem të vijnë mbi mua dy pjesë të shpirtit tënd.
- 10 Ai u përgjigj: Ti po kërkon një gjë të vështirë. Megjithatë, nëse do të më shohësh kur do të më marrin prej teje, do ta fitosh atë që kërkove, e në qoftë se nuk do të më shohësh, nuk do ta fitosh.
- 11 Ndërsa ata po vazhdonin rrugën duke biseduar, dhe ja, një karrocë e zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë i ndanë dhe Elia me anë të vorbullës u ngjit në qiell.
- 12 Elizeu e shikonte e bërtiste: Im atë, o im atë! Karroca e Izraelit e kalorësi i tij! Dhe më nuk e pa; i kapi petkat e veta dhe i shqeu në dy pjesë.
- 13 E mori leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, u kthye dhe zuri vend në bregun e Jordanit.
- 14 Me leshnikun e Elisë, që i kishte rënë, i ra ujit e tha: Ku është tani Hyji i Elisë? I ra ujit, uji u nda këndej e andej dhe Elizeu kaloi.
- 15 Kur e panë bijtë e profetëve që ishin përballë në Jerik, thanë: Shpirti i Elisë pushoi mbi Elizeun. Ata i dolën përpara në takim, ranë me fytyrë përdhe para tij
- 16 dhe i thanë: Ja këtu me shërbëtorët e tu edhe pesëdhjetë burra që janë të gatshëm të shkojnë e ta kërkojnë zotërinë tënd ndoshta Shpirti i Zotit e ka marrë dhe e ka hedhur në ndonjë mal ose në ndonjë luginë. Elizeu u tha: Mos i nisni!
- 17 Por ata iu vunë aq shumë, saqë pranoi dhe u tha: Dërgoni! Ata i nisën pesëdhjetë burrat. Pasi e kërkuan për tri ditë e nuk e gjetën,
- 18 u kthyen tek ai. Ai banonte në Jerik e u tha: Po a nuk ju pata thënë: mos shkoni!Dy mrekulli të Elizeut
- 19 Banorët e qytetit i thanë Elizeut: Ja, është bukur të banohet në qytet, siç po e sheh vetë, zotëri; porse mjerisht ujët është shumë të këq dhe toka e papëlleshme.
- 20 E ai u tha: Më sillni një enë të re dhe qitni në të kripë! Kur ia sollën ata,
- 21 shkoi te burimi i ujit, e qiti kripën në të e tha: Kështu thotë Zoti: Ja, e shërova ujët! Në të s`do të ketë më vdekje as shterpësi!
- 22 Dhe u shërua uji deri më sot sipas fjalës që e tha Elizeu profet.
- 23 Prej andej Elizeu u ngjit në Betel. Ndërsa po ecte rrugës, i dolën para disa fëmijë të vegjël prej qytetit dhe e shpotitnin duke thënë: Hajde, tullac! Hajde, tullac!
- 24 Ky i shikoi e, kur i pa, i mallkoi në emër të Zotit. Dhe ja, dolën dy arinj nga pylli dhe i shqyen dyzet e dy fëmijë.
- 25 Prej andej shkoi në malin e Karmelit dhe prej andej u kthye në Samari.