Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Lufta
- 1 Të tetëmbëdhjetin vit të mbretërisë së Jeroboamit, mbi Judë u bë mbret Abia.
- 2 Mbretëroi tre vjet në Jerusalem. E ëma e tij quhej Mikajë. Ishte bija e Urielit nga Gabaa.Atëherë shpërtheu lufta ndërmjet Abisë e Jeroboamit.
- 3 Abia nisi luftën me një ushtri katërqind mijë burrash të zgjedhur për luftë, kurse Jeroboami i rreshtoi në luftë kundër tij tetëqind mijë njerëz, të gjithë trima të zgjedhur e për luftë tejet të fortë.Fjalimi i Abisë
- 4 Abia qëndroi në majë të malit Semeron që është në malet e Efraimit e tha: Dëgjo, Jeroboam e mbarë Izraeli!
- 5 Vallë a nuk e dini se Zoti, Hyji i Izraelit, ia ka dhënë mbretërinë përgjithmonë Davidit mbi Izraelin, atij dhe pasardhësve të tij! Dhe kjo me një besëlidhje të pashkatërrueshme!
- 6 U çua Jeroboami, biri i Nabatit, shërbëtori i Salomonit, birit të Davidit, dhe bëri kryengritje kundër zotërisë së vet,
- 7 rreth tij u bashkuan disa njerëz të mbrapshtë e askushi dhe ia dolën t`i kundërshtojnë Roboamit, birit të Salomonit. Roboami ishte i ri dhe jo guximtar e s`mundi t`u bënte ballë.
- 8 Por edhe tani ju thoni se mund t`i bëni ballë mbretërisë së Zotit që është në dorë të bijve të Davidit. Keni një sasi të madhe populli dhe viça të artë që jua punoi për zotat tuaj Jeroboami.
- 9 Ju i flakët priftërinjtë e Zotit, bijtë e Aronit, edhe levitët dhe caktuat për priftërinj siç bëjnë popujt paganë. Kushdo që vjen tek ju me mëzat për dore e me shtatë desh, bëhet prift i atij që nuk është Hyj.
- 10 Kurse Hyji ynë është Zoti, të cilin ne nuk e kemi lënë; priftërinjtë, bijtë e Aronit, i shërbejnë Zotit edhe levitët kryejnë shërbesën e tyre.
- 11 Për çdo ditë i kushtojnë Zotit fli shkrumbimi, në mëngjes e në mbrëmje, djegin kem të erëmirë, paraqiten bukët e kushtimit në tryezë të pastër. Ndër ne është shandani i artë dhe dritëzat e tija që ndizen çdo mbrëmje: sepse ne i mbajmë urdhërimet e Zotit, Hyjit tonë, që ju e flakët.
- 12 Prandaj, në ushtrinë tonë Prijës është Hyji dhe priftërinjtë e tij që u bien borive të tingëllojnë thekshëm kundër jush, o bijtë e Izraelit! Mos luftoni kundër Zotit, Hyjit të etërve tuaj, se qe besa s`ju del mirë!Luftimi
- 13 Ndërkaq Jeroboami i rrethoi judenjtë me një pritë pas shpine. Izraelitët ishin kështu përballë Judës dhe pas shpinës së tyre.
- 14 Si u sollën judenjtë, panë se u duhej të luftonin për ballë e pas shpine. Atëherë thirrën ndihmën e Zotit e priftërinjtë filluan t`u bien borive.
- 15 Të gjithë trimat e Judës e lëshuan britmën e kushtrimit. Dhe, ja, ndërkohë që ata po lëshonin britmën e kushtrimit, Hyji ia futi frikën në palcë Jeroboamit dhe mbarë Izraelit para Abisë dhe Judës.
- 16 Bijtë e Izraelit u vunë të iknin para Judenjve dhe Hyji i lëshoi në duar të tyre.
- 17 Kështu, pra, Abia dhe ushtria e tij bënë një emnesë mbi ta: prej izraelitëve mbetën të vrarë pesëqind mijë trima të zgjedhur.
- 18 Aso kohe qenë përvujtëruar rëndë bijtë e Izraelit, kurse bijtë e Judës erdhën e u forcuan, sepse shpresën e kishin vënë në Zotin, Hyjin e etërve të tyre.Mbarimi i mbretërimit të Abisë
- 19 Abia e pëdoqi Jeroboamin që u vu në ikje dhe i pushtoi disa qytete të tija: Betelin me fshatrat e tij, Jesanën me fshatrat e tij edhe Efronin me fshatrat e tij.
- 20 Gjatë jetës së Abisë, Jeroboami s`mundi më të përtërihej në fuqi. Zoti e goditi dhe Jeroboami vdiq.
- 21 Abia erdhi duke u forcuar. Mori katërmbëdhjetë gra dhe i lindën njëzet e dy djem e gjashtëmbëdhjetë vajza.
- 22 Historia e Abisë, sjellja dhe fjalimet e tija janë të shkruara në tregimin e profetit Ado.
- 23 Pastaj edhe Abia fjeti me etërit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Asa, i biri. Në kohën e këtij vendi pati paqe dhjetë vjet.