Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Mbretëria e Joramit
- 1 Jozafati pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur me ta në Qytetin e Davidit. Në vend të tij u bë mbret Jorami, biri i tij.5. PAUDHËSITË DHE VËSHTIRËSITË NËN SUNDIMIN E JORAMIT, AKAZISË, ATALISË DHE JOASITMbretëria e Joramit
- 2 Jorami ka pasur gjashtë vëllezër, bij të Jozafatit: Azarinë, Jahielin, Zakarinë, Azarinë, Mikaelin e Safatinë. Të gjithë këta ishin bijtë e Jozafatit, mbretit të Izraelit.
- 3 I ati i tyre u dha shumë dhurata në argjend dhe ar, gjëra të çmueshme dhe qytete të fortifikuara në Judë, kurse mbretërinë ia dha Joramit, sepse ky ishte i parëlinduri.
- 4 Jorami, si e mori në dorë mbretërinë e të atit dhe, pasi e përforcoi pushtetin, me shpatë i preu të gjithë vëllezërit e vet dhe disa prej prijësve të Izraelit.
- 5 Jorami ishte tridhjetë e dy vjeçar kur u bë mbret. Në Jerusalem mbretëroi tetë vjet.
- 6 Ndoqi udhën e mbretërve të Izraelit, siç kishte vepruar shtëpia e Akabit, sepse bija e Akabit ishte gruaja e tij. Ai bëri gjëra që janë të këqija para syve të Zotit.
- 7 Megjithatë Zoti nuk deshi ta zhdukte familjen e Davidit, për shkak të besës që e kishte lidhur me të dhe pse i kishte premtuar se do t`ia linte atij dhe bijve të tij një dritë të ndezur përgjithmonë.
- 8 Gjatë mbretërimit të tij Edomi u çua në kryengritje për të mos ndenjur nën sundimin e Judës dhe e vuri mbretin e vet.
- 9 Jorami, së bashku me prijësit e vet dhe me karrocat e luftës që ishin me të, e kaloi kufirin, u çua natën e i ra Edomit që e kishte rrethuar atë dhe të gjithë prijësit e karrocave të luftës, dhe i mundi.
- 10 Megjithatë Edomi u çua në kryengritje për të mos qenë nën sundimin e Judës dhe e fitoi pavarësinë që e ka edhe në ditën e sotme. Po në këtë kohë u shkëput nga dora e tij edhe Lobna, sepse Jorami e kishte lënë Zotin, Hyjin e etërve të vet.
- 11 Për më tepër ai ndërtoi edhe lartësira në malet e Judës, i bëri të lavirësojnë banorët e Jerusalemit e ta lërë Juda rrugën e Zotit.
- 12 Aso kohe i arriti një letër prej profetit Eli, në të cilën i shkruante: Kështu thotë Zoti, Hyji i Davidit, babait tënd: Pasi nuk ece udhëve të Jozafatit, babait tënd, as udhëve të Asës, mbretit të Judës,
- 13 por more rrugën e mbretërve të Izraelit dhe bëre të lavirësojë Juda e jerusalemasit duke e ndjekur lavirësinë e shtëpisë së Akabit e, pasi, për më tepër i vrave edhe vëllezërit e tu, bijtë e atit tënd, më të mirë se veten:
- 14 ja, Zoti do ta godasë me fatkeqësi të madhe popullin tënd, bijtë e gratë e tua dhe gjithë pasurinë tënde.
- 15 E ti do të sëmuresh me një sëmundje tepër të keqe barku, kështu që, dalëngadalë, për çdo ditë zorrët e tua do të dalin përjashta.
- 16 Atëherë Zoti e zgjoi kundër Joramit shpirtin e armiqësisë të filistinëve e të arabëve që jetojnë afër etiopiasve.
- 17 Ata i ranë Judesë, e sulmuan dhe e rrëmbyen gjithë pasurinë që kishte pallati mbretëror, pastaj edhe bijtë e gratë e tija dhe s`i mbeti djalë tjetër, përveç Joakazit, që ishte djali më i vogël.
- 18 Pas kësaj Zoti e goditi me një sëmundje të pashërueshme barku.
- 19 Ditë pas dite, koha po shkonte e, në krye të dy vjetëve, kështu e shkriu sëmundja e gjatë deri sa i dolën zorrët dhe vdiq në dhembje të papërshkrueshme. Vdiq prej kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Populli nuk i bëri djegie erërash të mira, siç u kishte bërë të parëve të tij.
- 20 Ishte tridhjetë e dy vjeçar kur u bë mbret dhe në Jerusalem mbretëroi për tetë vjet. Vdiq pa iu dhembsur askujt. E varrosën në Qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.