Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Shikim i përgjithshëm mbi mbretërinë
- 1 Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi në Jerusalem tridhjetë e një vjet.
- 2 Bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe i ndoqi udhët e Davidit, stërgjyshit të vet. Nuk u shmang as në të djathtë as në të majtë.Reformat e para
- 3 Në vitin e tetë të mbretërimit të vet, kur ende ishte djalosh, nisi ta kërkonte Hyjin e stërgjyshit të vet Davidit. Në të dymbëdhjetin vit filloi ta pastronte Judën dhe Jerusalemin prej lartësirave, prej banirëve, prej idhujve të gdhendur e të derdhur.
- 4 Ndër sytë e tij i rrënuan lterët e Baalëve edhe lterët e kemimit që ishin të vënë përmbi ta. Banirët dhe idhujt e gdhendur e të derdhur i rrënoi e i copëtoi, dhe grimcat e tyre i shpëdau përmbi varret e atyre që u kishin kushtuar fli.
- 5 Eshtrat e priftërinjve i dogji mbi lterët e tyre. E pastroi Judën dhe Jerusalemin,
- 6 por edhe qytetet e Manaseut, të Efraimit e të Simonit deri në Neftali, kudo në sheshet e tyre
- 7 i rrënoi lterët e banirët, ndërsa idhujt e gdhendur i copëtoi në grimca. I rrënoi të gjithë lterët e kemimit në mbarë tokën e Izraelit dhe atëherë u kthye në Jerusalem.Punimet në Tempull
- 8 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të vet, pasi e pastroi vendin dhe Tempullin, e ngarkoi birin e Eselisë, Safanin, prijësin e qytetit Maasinë, dhe birin e Joakazit, Johën, kancelar për ta rindërtuar Shtëpinë e Zotit, Hyjit të tij.
- 9 Këta shkuan te Helcia që ishte kryeprift, dhe, pasi i morën prej tij paratë që kishin qenë dhuruar në Shtëpinë e Zotit dhe që i kishin mbledhur levitët, derëtarët e faltores prej Manaseut dhe Efraimit dhe prej mbarë Tepricës së Izraelit si dhe prej mbarë Judës, Beniaminit e banorëve të Jerusalemit,
- 10 ua dhanë në dorë kryepunëtorëve që i mbikëqyin punimet në Shtëpinë e Zotit. Këta ua dhanë punëtorëve që punonin në Shtëpinë e Zotit për ta rindërtuar Tempullin, për ta përforcuar ku ishte ligështuar.
- 11 U dhanë d. t. th. marangozëve e mjeshtrave të gurit për të blerë gurë latimi dhe lëndë për trarë për ta forcuar godinën dhe shtëpitë që i kishin rrënuar mbretërit e Judës.
- 12 Këta njerëz e kryenin punën me ndërgjegje. Në krye të punëtorëve ishin: Jahati e Abdia, levitë prej bijve të Merariut, Zakaria e Mosolami, prej bijve të Kaatit. Këta i drejtonin punimet. Të gjithë levitët që ishin mjeshtër në vegla muzikore,
- 13 i mbikëqyin barrëmbartësit dhe i drejtonin të gjithë ata që bënin punë të ndryshme. Prej levitëve ishin shkruesit, mbikëqyrësit dhe derëtarët.Zbulimi i Ligjit
- 14 Kur po i dorëzonin paratë që kishin qenë sjellë në Tempullin e Zotit, prifti Helci e gjeti Librin e Ligjit të Zotit dërguar me anë të Moisiut.
- 15 Helcia i tha shkruesit Safan: E kam gjetur Librin e Ligjit në Shtëpinë e Zotit. Dhe ia dha.
- 16 Ky e çoi vëllimin te mbreti dhe i lajmëroi: Gjithçka ke urdhëruar të bëhet, shërbëtorët e tu po e zbatojnë.
- 17 Paratë që ishin në Shtëpinë e Zotit i zbrazën dhe ua dhanë kryepunëtorëve dhe punëtorëve.
- 18 Pastaj shkruesi Safan e njoftoi mbretin e i tha: Prifti Helci ma dha një libër. Dhe Safani ia lexoi mbretit librin.
- 19 Kur mbreti i dëgjoi fjalët, i shqeu petkat e veta
- 20 dhe i urdhëroi Helcisë, Ahikamit, birit të Safanit, Abdonit, birit të Mikës, si dhe shkruesit Safan dhe shërbëtorit të mbretit Asajë:
- 21 Shkoni e këshillohuni me Zotin në vendin tim e të mbarë Tepricës të mbetur të Izraelit e të Judës lidhur me fjalët e librit që është gjetur. I madh duhet të jetë zemërimi i Zotit që është zbrazur mbi ne për shkak se etërit tanë nuk i kanë zbatuar fjalët pikërisht ashtu siç janë të shkruara në këtë vëllim.Përgjigjja e profeteshës
- 22 Helcia, bashkë me këta që kishin qenë dërguar prej mbretit, shkoi te profetesha Holdë, që ishte gruaja e Selum Tekue Haraasit, rojëtarit të petkave që banonte në Jerusalem në qytetin e ri. Ia thanë fjalët që i kishin
- 23 e ajo u përgjigj: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Thuajini njeriut që ju ka dërguar tek unë:
- 24 Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t`i çoj të gjitha të zezat mbi këtë vend e mbi banorët e tij, të gjitha mallkimet që janë të shkruara në këtë libër, të cilin e lexuan para mbretit të Judës,
- 25 sepse më lanë mua e u flijuan zotave të huaj për të më ngacmuar mua me hidhërim me të gjitha veprat e duarve të veta: prandaj do të zbrazet zemërimi im mbi këtë vend e kurrë nuk do të shuhet.
- 26 Kurse mbretit të Judës, që ju dërgoi për të marrë këshillë prej Zotit, thuajini kështu: Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Pasi i dëgjove fjalët e vëllimit
- 27 dhe pasi t`u përmallua zemra dhe u përvujtërove para Hyjit kur i dëgjove fjalët që janë thënë kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të Jerusalemit, e, i përvujtëruar para meje, i shqeve petkat e tua e qave para meje, edhe unë gjithashtu të dëgjova;është fjala e Zotit.
- 28 Ja, do të bashkoj me etërit e tu e në paqe do të vendosesh në varrin tënd; sytë e tu nuk do ta shohin të keqen që unë do ta çoj mbi këtë vend e mbi banorët e tij.Ata i treguan mbretit gjithçka kishte thënë ajo.Përtëritja e besëlidhjes
- 29 Atëherë mbreti i bashkoi të gjithë krerët e Judës e të Jerusalemit,
- 30 shkoi në Shtëpinë e Zotit bashkë me të gjithë burrat e Judës e me banorët e Jerusalemit: priftërinj, levitë, mbarë populli, prej më të voglit e deri te më i madhi. Mbreti në Shtëpinë e Zotit i lexoi para tyre të gjitha fjalët e vëllimit të Besëlidhjes së gjetur në Shtëpinë e Zotit.
- 31 Mbreti, në këmbë në mëkëmbëzën e vet, bëri besëlidhje para Zotit se do të ecë pas tij, do t`i ruajë urdhërimet e tija, dëshmitë dhe rregulloret e tija me gjithë zemrën e vet e me gjithë shpirtin e vet dhe se do t`i zbatojë fjalët e besëlidhjes që janë të shkruara në këtë libër.
- 32 Kërkoi gjithashtu të betohen për këtë gjë të gjithë ata që u gjetën në Jerusalem e në Beniamin. Banorët e Jerusa lemit vepruan siç kërkon besëlidhja e Zotit, Hyjit të etërve të tyre.
- 33 Prandaj Jozia i mënjanoi të gjitha fëlliqësitë nga të gjitha krahinat e bijve të Izraelit. Bëri që të gjithë ata që jetonin në Izrael t`i shërbejnë Zotit, Hyjit të vet. Gjatë tërë jetës së tyre nuk u larguan nga Zoti, Hyji i etërve të tyre.