Beselidhja e Vjeter2 i Kronikave: Kushtimi
- 1 Kur Salomoni e kreu lutjen, nga qielli zbriti zjarri dhe e përpiu flinë e shkrumbimit e theroret dhe madhëria e Zotit e mbushi Shtëpinë.
- 2 Priftërinjtë nuk mund të hyjnë në Shtëpinë e Zotit, sepse madhëria e Zotit e mbushi Tempullin.
- 3 Po ashtu edhe të gjithë bijtë e Izraelit e shikonin zjarrin dhe lavdinë e Zotit duke zbritur mbi Shtëpinë dhe duke rënë me fytyrë përmbi truall të shtruar me gurë, e adhuruan dhe e lavdëruan Zotin: Sepse ai është i mirë, sepse e amshueshme është dashuria e tij!
- 4 Atëherë mbreti dhe mbarë populli zunë të flijojnë therore para Zotit.
- 5 Kështu mbreti Salomon kushtoi fli njëzet e dy mijë bagëti të trasha, njëqind e njëzet mijë bagëti të imëta dhe mbreti me mbarë popullin e shuguroi Shtëpinë e Zotit.
- 6 Priftërinjtë i kryenin shërbesat e tyre e levitët i jepnin lavdi Zotit me veglat muzikore të Zotit që i kishte punuar mbreti David për të lavdëruar Zotin: Sepse e amshueshme është dashuria e tij! Ata i këndonin këngët që i kishte nxjerrë Davidi. Ndërkaq priftërinjtë u binin borive para tyre e populli mbarë qëndronte qiri në këmbë.
- 7 Salomoni e shuguroi gjithashtu edhe mesin e tremes para Tempullit të Zotit; sepse aty i kishte kushtuar flitë e shkrumbimit, dhjamin e flive të pajtimit, sepse lteri i bronztë që e kishte punuar, nuk mund t`i zinte flitë e shkrumbimit, kushtimoret dhe dhjamin e tyre.
- 8 Në atë kohë Salomoni festoi shtatë ditë dhe bashkë me të edhe mbarë Izraeli, një tubim shumë i madh, prej hyrjes në Emat e deri te përroi i Egjiptit.
- 9 Të tetën ditë u bë një kuvend i madh meqënëse shugurimi i lterit zgjati shtatë ditë, edhe kremtimi zgjati po aq ditë.
- 10 Kështu më njëzet e tre të muajit të shtatë e lëshoi popullin të shkojë në çadrat e veta, të kënaqur e të gëzuar për të mirën që ia kishte bërë Zoti Davidit e Salomonit dhe Izraelit, popullit të vet.Përgjigjja hyjnore
- 11 Salomoni e kreu Shtëpinë e Zotit dhe pallatin e vet, dhe ia doli të përfundojë gjithçka kishte synuar të bënte në Shtëpinë e Zotit e në pallatin e vet.
- 12 Atëherë natën Salomonit iu dëftua Zoti e i tha: E dëgjova lutjen tënde dhe këtë vend e zgjodha për vend flie timin.
- 13 Kur unë ta mbyll qiellin që të mos bjerë shi, kur t`u urdhëroj karkalecave ta shkretojnë tokën e kur ta çoj murtajën në popullin tim,
- 14 e populli im, i ndëshkuar, mbi të cilin qe thirrur Emri im, nëse ka për t`u lutur, nëse ka për ta kërkuar fytyrën time e nëse do të kthehet prej udhëve të veta të mbrapshta, atëherë unë prej qiellit do ta dëgjoj dhe do t`ia falë mëkatet e tija dhe do ta shëroj tokën e tyre.
- 15 Tani sytë e mi do të jenë të çelur e veshët e mi të prirur ta dëgjojnë lutjen e atij që do të lutet në këtë vend.
- 16 Vërtet e zgjodha dhe e shugurova këtë vend që të banojë në të përgjithmonë Emri im, sytë e mi dhe zemra ime do të qëndrojnë aty përgjithmonë.
- 17 Në qoftë se edhe ti do të jetosh në praninë time, siç eci yt atë Davidi, dhe nëse do të bësh gjithçka si të kam urdhëruar dhe nëse do t`i mbash rregulloret dhe vendimet e mia,
- 18 do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate, siç i jam zotuar Davidit, babait tënd kur i thashë: Nuk do të mungojë prej derës sate trashëgimtari që të jetë prijës në Izrael.
- 19 Por, në qoftë se do të më lini e do t`u shmangeni urdhërave dhe urdhërimeve të mia që jua parashtrova, e do të shkoni t`u shërbeni hyjnive të huaja e do t`i adhuroni ato,
- 20 atëherë do t`ju çrrënjos prej tokës sime që jua dhurova dhe këtë Shtëpi që ia kushtova Emrit tim, do ta flak prej syve të mi dhe do ta bëj përrallë e lojë për të gjithë popujt.
- 21 E për këtë Shtëpi, që ishte e mrekullueshme, kushdo do të kalojë përbri saj do të çuditet e do të thotë: `Pse Zoti ia bëri kështu këtij vendi dhe kësaj Shtëpie`?
- 22 E do të përgjigjen: `Sepse e lanë Zotin, Hyjin e etërve të vet, që i kishte nxjerrë prej Egjiptit e u lidhën me zota të huaj dhe i adhuruan ata e i nderuan, prandaj edhe erdhën mbi ta të gjitha këto të zeza`.