Beselidhja e VjeterEster: 1 Kur dasma mori fund
- 1 Kur dasma mori fund, Tobiti e thirri djalin e vet Tobinë e i tha: Njeriut që udhëtoi me ty na duhet t`ia shprehim falënderimin tonë dhe është e rrugës t`ia shtojmë shpërblimin.
- 2 Tobia iu përgjigj: Babë, sa thua ti t`i japim për shpagim? Nuk bjerr edhe nëse ia jap gjysmën e pasurisë që e solli bashkë me mua.
- 3 Ai më solli mua shëndosh e mirë, e shëroi gruan time, me mua i solli paratë e në fund të shëroi edhe ty! Si mund ta shpërblejmë për të gjitha këto të mira?
- 4 Atëherë iu përgjigj Tobiti: E meriton, biri im, ta marrë gjysmën e të gjitha këtyre të mirave që solli me ty.
- 5 Atëherë Tobia e thirri bashkudhëtarin e vet e i tha: Merre gjysmën e pasurisë që ma solle si shpërblim që të takon e t`u priftë e mbara gjithmonë!
- 6 Atëherë Rafaeli i mori të dy, i ndau veçmas, e u tha: Bekojeni Hyjin dhe lëvdojeni Atë ndër sy të gjithë të gjallëve për të mirat që na i bëri! Bekojeni e lëvdojeni Emrin e tij! Bëni që të gjithë njerëzit t`i dinë veprat e Zotit ashtu si ato e meritojnë! Mos pushoni duke iu falënderuar!
- 7 Fshehtësitë e mbretit është mirë të mbahen si fshehtësi, por është nder të zbulohen e të shpallen veprat e Hyjit. Bëje të mirën e s`do t`ju gjejë asnjë e keqe!
- 8 Është e mirë lutja me agjërim dhe lëmosha me drejtësi. Më mirë është të kesh pak e me drejtësi se pasuri të madhe e me padrejtësi. Është më mirë të japësh lëmoshë se të grumbullosh ar.
- 9 Lëmosha shpëton nga vdekja, ajo pastron nga çdo mëkat. Ata që bëjnë lëmoshë, do të jenë jetëgjatë,
- 10 kurse ata që bëjnë mëkate e padrejtësi, janë armiq të vetvetes.
- 11 Dua t`jua zbuloj tërë të vërtetën dhe s`do t`jua fsheh asnjë fjalë. Jua shpjegova më parë e ju thashë: Të fshehësh fshehtësinë e mbretit është punë e mirë, kurse t`i shpallësh veprat e Hyjit është nder.
- 12 Tani: kur ti e Sara luteshi, unë i paraqitja lutjet tuaja para Lavdisë së Zotit, po ashtu edhe kur ti i varrosje të vdekurit.
- 13 Po edhe atë ditë kur nuk ngurrove ta lësh drekën tënde e u çove dhe e varrose të vdekurin, unë qesh dërguar te ti për të të vënë në provë.
- 14 Por përsëri Hyji më dërgoi mua për të të shëruar ty e Sarën, renë tënde.
- 15 Unë jam Rafaeli, njëri nga shtatë engjëjt e shenjtë që jemi të gatshëm të hyjmë në praninë e Lavdisë së Zotit.
- 16 Atëherë ata i pushtoi një tmerr i madh, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së forti.
- 17 or ai u tha: Mos kini frikë! Paqja me ju! Bekojeni Hyjin gjithmonë!
- 18 Kur isha me ju, s`isha me ju prej nismës sime, por me vullnetin e Hyjit. Atë duhet ta bekoni gjithmonë, Atij këndoni lavde!
- 19 Juve u dukej se unë po haja, e unë s`haja asgjë, por juve ashtu u dukej.
- 20 Por, bekojeni Zotin mbi tokë dhe falënderone Hyjin! Ja, unë po ngjitem tek Ai që më ka dërguar. Shkruani të gjitha këto që ju kanë ndodhur! Dhe ai u ngrit.
- 21 Ata u çuan në këmbë, por më s`e panë.
- 22 E bekonin Hyjin, i këndonin himne, i falënderonin për të gjitha këto mrekulli të tija dhe u rrëfenin të gjithëve se si u ishte dukur engjëlli i Hyjit.