Beselidhja e VjeterEster: Të gjitha festat tuaja do të kthehen në zi
- 1 Nën mbretin Asarhadon u ktheva në shtëpinë time ku më ishin kthyer edhe Ana, gruaja ime, dhe im bir Tobia. Ditën e Pesëdhjetores, që është e kremtja e Javëve, më qe bërë gati një drekë e mirë dhe u ula të ha.
- 2 Më ishte shtruar tryeza dhe pashë se kishte gjellëra të shumta. Atëherë i thashë Tobisë, djalit tim: Dil e, nëse gjen ndonjë skamnor prej vëllezërve tanë që janë robër në Ninivë, por që me gjithë zemër të vet e kujton Zotin, sille këtu e të hajë bashkë me mua. Ja, unë po të pres, biri im, deri të kthehesh.
- 3 Tobia shkoi të kërkonte ndonjë skamnor nga vëllezërit tanë, u kthye e më tha: Atë! Unë i përgjigja: Fol, biri im! Ai vazhdoi: Është dikush nga populli ynë i vrarë, i varur në litar dhe e kanë hedhur në shesh, edhe taniaty është.
- 4 Brofa në këmbë, e lashë pa e prekur bukën, e mora dhe e prura në një dhomë që pasi të perëndonte dielli, ta varrosja.
- 5 Pasi u ktheva, u lava dhe e hëngra bukën time me vaj.
- 6 Atëherë më ranë ndër mend fjalët e profetit Amos që i tha në Betel:Të gjitha festat tuaja do të kthehen në zi, të gjitha këngët tuaja në vajtime.
- 7 Dhe qava. Pasi perëndoi dielli shkova, e hapa një varr dhe e varrosa.
- 8 Të afërmit e mi më përqeshnin e thoshin: Ende ky njeri s`po u tremka! E pra, për shkak të kësaj gjëje ka qenë kërkuar të vritej, pati ikur dhe, ja, përsëri po i varros të vdekurit!
- 9 Po atë natë, u lava e dola në oborr. Rashë të flej përbri murit të oborrit. Fytyrën, për shkak se ishte nxehtë, e lashë të zbuluar.
- 10 Nuk e dija se trumcakët ishin në mur përmbi mua. Glasat e tyre ende të nxehta më ranë në sy dhe fitova të bardhët e syve. Shkoja te mjekët për t`u shëruar dhe, sa më shumë baa që më vënin aq më tepër të bardhët ma merrte të pamët e syve, deri sa u verbova krejtësisht. Katër vjet mbeta pa dritën e syve. Të gjithë vëllezërit e mi hiqnin keq për këtë me mua. Për dy vjet Ahihari më mbajti me ushqime deri sa shkoi në Elimaidë.
- 11 Aso kohe gruaja ime Ana punonte me pagë punë grash e përpunonte lesh në tezjahë
- 12 dhe pastaj ua çonte porositësve e ata e paguanin. Të shtatën ditë të muajit Distër e kreu pëlhurën dhe ua çoi të zotëve. Ata ia dhanë pagën e plotë, dhe përveç pagës së pëlhurës i falën edhe një edh.
- 13 Kur edhi hyri në shtëpi, nisi të vërrasë. E thirra e i thashë: Nga është ky kec? A mos është ndoshta i vjedhur? Kthejua të zotëve! Sepse ne nuk guxojmë të hamë gjënë e vjedhur!
- 14 Ajo më tha: Ma dhanë si dhuratë përveç pagesës. Por unë nuk i besova dhe i thashë ta kthente te të zotët, dhe skuqesha para saj për këtë punë. Ajo atëherë m`u përgjigj: Ku janë lëmoshat e tua? Ku është drejtësia jote?! Ja, fort bukur po shihen në ty!