Beselidhja e VjeterDalja: 3. LIDHJA E BESËLIDHJES
- 1 Atëherë i tha Moisiut: Ngjitu te Zoti ti e Aroni, Nadabi e Abihui dhe shtatëdhjetë pleq prej Izraelit e adhuroni prej së largu.
- 2 Vetëm Moisiu le të ngjitet te Zoti, por këta të mos afrohen, dhe as populli të mos ngjitet me të.
- 3 Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: Do t`i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti.
- 4 Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes hëngri dhe e ndërtoi një lter rrëzë malit, me dymbëdhjetë gugulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
- 5 Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit viça në nder të Zotit.
- 6 Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi lter.
- 7 Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli u përgjigj: Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm.
- 8 Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: Ky është gjaku i Besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve.
- 9 Atëherë Moisiu u ngjit me Aronin, Nadabin e Abihuin dhe me shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit.
- 10 Dhe e panë Hyjin e Izraelit: nën këmbët e tija thuajse shtroja prej gurëve të paçmueshëm të safirit e shkëlqyeshme pothuajse si vetë qielli kur është i kthjellët.
- 11 As dorën e vet nuk e ngriti mbi të zgjedhurit e Izraelit: mundën ta shikojnë Hyjin. Hëngrën e pinë.Moisiu në mal
- 12 Zoti i tha Moisiut: Ngjitu tek unë në mal e qëndro aty. Do t`i jap rrasat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që i kam shkruar për t`i mësuar.
- 13 U ngritën Moisiu dhe Jozuehi, përcjellësi i tij. Duke u nisur Moisiu për malin e Hyjit,
- 14 u tha pleqve: Pritni këtu deri që të kthehemi te ju. Me ju janë Aroni dhe Huri, nëse lind ndonjë çështje, drejtohuni atyre.
- 15 Moisiu u ngjit në mal dhe reja e mbuloi malin.
- 16 Lavdia e Zotit erdhi të banojë në mal të Sinait dhe reja e mbuloi gjashtë ditë. Të shtatën ditë Hyji e thirri prej resë Moisiun.
- 17 Lavdia e Zotit u dukej në sy të bijve të Izraelit në trajtë të zjarrit përpijës në majën e malit.
- 18 Moisiu u fut në re dhe u ngjit në mal. Qëndroi atje dyzet ditë e dyzet net.