Beselidhja e VjeterDalja: Besëlidhja e përtëritur. Rrasat e Ligjit
- 1 Atëherë Zoti i tha Moisiut: Latoji dy rrasa guri si ato të parat e do të shkruaj mbi to fjalët që i patën rrasat që i theve.
- 2 Ji gati për nesër në mëngjes: nesër në mëngjes ngjitu në malin Sinai dhe qëndro atje në majë para meje.
- 3 Askush tjetër të mos ngjitet me ty, dhe të mos shihet njeri askund në mal, as bagëti të imëta e të trasha të mos kullotin përballë.
- 4 Moisiu i latoi dy rrasa guri si të parat; u çua me natë e u ngjit në malin Sinai me dy rrasat në dorë siç i kishte urdhëruar Zoti.Dëftimi i Hyjit
- 5 Atëherë Zoti zbriti në re, u ndal aty, afër tij dhe e shpalli emrin e Zotit.
- 6 Zoti kaloi përpara tij e shpalli:Zoti, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë,
- 7 që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar asgjë;që e ndëshkon paudhësinë e etërve në fëmijë, madje në nipa;në të tretën e në të katërtën brezni.
- 8 Moisiu ra vrik me fytyrë përdhe, adhuroi
- 9 e tha: O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, shtegto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurrtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde.Besëlidhja
- 10 Zoti u përgjigj: Ja, unë po bëj besëlidhje: para mbarë popullit tënd, unë do të sendërtoj mrekulli që kurrë nuk janë parë mbi mbarë botën dhe në asnjë popull, që mbarë populli, në mesin e të cilit je, ta shohë veprën e tmerrshme të Zotit që do ta bëj me ty.
- 11 Pra, mbaj të gjitha që unë të urdhëroj sot. Dhe, ja, unë do ta dëboj para fytyrës sate Amorreun, Kanaaneun e Heteun, edhe Ferezeun e Heveun dhe Jebuseun.
- 12 Ruaju se lidh miqësi me banorët e vendeve ku do të hysh që të mos dalë për rrënimin tënd.
- 13 Por, rrënoji lterët e tyre, copëtoji gugulët dhe banirët e tyre.
- 14 Mos adhuro zot të huaj: sepse Zoti i vërtetë quhet Zotëri Ziliqar,;Hyji është ziliqar.
- 15 Mos lidh besëlidhje me njerëzit e atyre vendeve, që, kur lavirsohen ata me zotat e tyre e t`u kushtojnë fli, të mos thërrasë edhe ty ndonjëri e të hash prej flive të tyre.
- 16 Mos merr grua për bijtë e tu prej bijave të tyre, që, pasi ato të jenë lavirsuar me zotat e tyre, t`i bëjnë të lavirsohen edhe bijtë e tu me zotat e tyre.
- 17 Mos puno për ty zota metali të shkrirë.
- 18 Mbaje festën e të Pabrumeve: për shtatë ditë ha bukë të pabrume, siç të kam urdhëruar, në kohë të caktuar të muajit Abib; sepse në muajin e kohës pranverore dole prej Egjiptit.
- 19 Çdo i parëlindur mashkull, më përket mua; çdo i parëlindur qoftë i bagëtive të trasha qoftë i bagëtive të imëta, mua më përket.
- 20 Të parëlindurin e gomarit shpërbleje me një kokë bagëtie të imët. Në qoftë se nuk e shpërblen, përdridhja arrçin. Çdo të parëlindur të bijve të tu shpërbleje dhe mos u duk para meje duarthatë.
- 21 Gjashtë ditë puno, të shtatën ditë pusho; mos puno as në kohë të mbjellave as të korrjeve.
- 22 Festoje të Kremten e Javëve për frytet e para të korrjes së grurit;dhe të kremten e Mbledhjes në mbarim të vitit, kur bashkohen të gjitha prodhimet.
- 23 Tri herë në vit të gjithë meshkujt e tu le të paraqiten para Hyjit të Izraelit, Zotit të gjithëpushtetshëm.
- 24 Sepse, kur t`i shpronësoj kombet para teje e kur ta zgjeroj kufirin tënd, askush nuk do ta sulmojë tokën tënde, kur tri herë në vit të ngjitesh për t`u paraqitur në praninë e Zotit, Hyjit tënd.
- 25 Mos e flijo gjakun e flisë që ke caktuar për mua me asgjë që të ketë tharm; dhe asgjë prej flisë të kushtuar për të kremten e Pashkëve të mos mbesë deri në mëngjes.
- 26 Frytet e para të tokës sate çoji në shtëpinë e Zotit, Hyjit tënd.Mos e ziej edhin në qumështin e nënës së tij.
- 27 Zoti i tha Moisiut: Shkruaj këto fjalë, sepse në bazë të këtyre fjalëve e kam lidhur besëlidhjen me ty e me izraelitët.
- 28 Moisiu qëndroi me Zotin dyzet ditë e dyzet net: as nuk hëngri bukë as nuk piu ujë dhe i shkroi në rrasa fjalët e Besëlidhjes;dhjetë Fjalët.Moisiu rizbret nga Sinai
- 29 Kur Moisiu zbriti nga mali Sinai i mbante dy rrasat e Dëshmisë dhe nuk e dinte se fytyra e tij lëshonte rreze për shkak të bisedimit të tij me Zotin.
- 30 Kur Aroni e bijtë e Izraelit panë se prej lëkurës së fytyrës së tij dilnin rreze, patën frikë t`i afrohen.
- 31 Atëherë Moisiu i thirri Aronin e të gjithë krerët e bashkësisë e shkuan tek ai. E pasi bisedoi me ta,
- 32 erdhën edhe të gjithë izraelitët tek ai, dhe Moisiu u tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti në malin Sinai.
- 33 Kur Moisiu e kreu bisedën me ta, ia qiti fytyrës një mbulesë, të cilën e hiqte kur hynte te Zoti e ndërsa bisedonte me Të, derisa dilte jashtë.
- 34 Kur dilte për t`u treguar izraelitëve çfarë i ishte urdhëruar,
- 35 izraelitët shihnin se prej lëkurës së fytyrës së Moisiut dilte dritë, por ai e mbulonte përsëri fytyrën e vet derisa nuk hynte të fliste përsëri me Zotin.