Beselidhja e VjeterPredikuesi: Paraja
- 1 Mos fol gjë me guxim të tepruar dhe zemra jote të mos jetë e shpejtë për të thënë fjalë para Hyjit, sepse Hyji është në qiell e ti je në tokë: prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.
- 2 Pas kujdeseve të shumta vijnë ëndrrat e në fjalë të shumta gjendet marria.
- 3 Nëse ia ke bërë Hyjit ndonjë kusht mos vono t`ia kryesh: sepse Atij nuk i pëlqen premtimi i marrë, prandaj çkado që të kesh kushtuar, kryeje!
- 4 Është shumë më mirë të mos kushtosh asgjë se, pasi të jesh kushtuar, të mos e çosh në vend çka je zotuar.
- 5 Mos e lejo gojën tënde të të bëjë të mëkatosh dhe ruaj se thua përpara engjëllit: E bëra nga pavëmendja!, që Hyji të mos ketë arsye të hidhërohet kundër veprës së duarve të tua për shkak të fjalëve të tua e t`i shkatërrojë veprat e tua.
- 6 Prej shumë ëndrrave vijnë shumë zhgënjime e shumë fjalë: ti veç druaje Hyjin!
- 7 Nëse sheh se shkelen skamnorët, se shpërdorohen gjyqet e drejtësia në vend, mos u çudit për këtë punë, sepse mbi të madhin përgjon një edhe më i madh e pastaj edhe mbi të mëdhenjtë përgjojnë edhe më të mëdhenjtë;
- 8 kurse e mira e vendit është mbreti që kujdeset mbi gjithçka për punimin e tokave.Paraja
- 9 Kush e do paranë me para s`do të ngihet, po edhe kush e do pasurinë, asfarë përfitimi s`do të ketë prej saj. Edhe kjo është kotësi.
- 10 Sepse, ku ka shumë pasuri, shumë janë edhe nga ata që e hanë gati, e atëherë ç`dobi tjetër ka pronari përveç se i shikon me sy?
- 11 Për punëtorin është i këndshëm gjumi si në hëngërt pak si në hëngërt shumë;kurse ngopja e të pasurit, pasanikun nuk e lë të flejë.
- 12 Është edhe një lëngatë shumë e keqe që e pashë nën diell:pasuria e ruajtur për të keqen e të zot.
- 13 Me një ndërmarrje të gabuar pasuria e tillë mbaron e djali që i lind të zot do jetojë në skamje të madhe.
- 14 Sikurse nga barku i s`ëmës lindi lakuriq, po ashtu lakuriq do të shkojë sikurse edhe erdhi, dhe asgjë s`do të marrë me vete prej mundit të vet.
- 15 Vërtet mjerim për t`u vajtuar: Si erdhi ashtu edhe shkon! Ç`përfitim ka që ka punuar? Si të kishte mihur në ujë!
- 16 Të gjitha ditët e jetës së vet i hëngri në errësirë, në kujdesime të mëdha, në shqetësime e në trishtim!
- 17 Ja, ç`mendoj unë se është e mirë dhe e bukur: të hajë, të pijë e ta gëzojë me gëzim djersën e mundit të vet që iu desh ta bëjë gjatë jetës së vet nën diell që ia dhuroi Hyji, sepse vetëm kaq është fati i tij.
- 18 Kështu edhe çdo njeri, të cilit Hyji i dhuroi pasuri e kamje, ka të drejtë të plotë të hajë prej saj e të marrë pjesën e vet e ta gëzojë mundin e vet: edhe kjo është dhuratë e Hyjit.
- 19 Ai në të vërtetë s`do të mendojë tepër shumë për ditët e jetës së vet, sepse Hyji i jep kënaqësinë të gëzohet me gjithë zemër.