Beselidhja e VjeterIsaia: Mbi Jerusalemin
- 1 Vaj për Arielin! Për Arielin, qytet që e rrethoi Davidi!Le t`i shtohet viti vitit derisa festat të marrin fund,
- 2 atëherë do të rrethoj Arielin, e do t`ia nisë gjëma e ofshama, atëherë do të më jesh Ariel i vërtetë.
- 3 Do të të rrethoj si Davidi, kundër teje do të ngreh llogore, do të ngreh penda kundër teje.
- 4 Do të përulesh, nga dheu do të flasësh, nga pluhuri e vdekur do të dalë fjala, si i fantazmës nga dheu do të dalë zëri, fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri.
- 5 Pluhur i hollë do të jetë turma e armiqve të tu, porsi byku që e mbart era turma e ndrydhësve të tu,
- 6 sepse papritmas do të të vijë në pasi Zoti i Ushtrive me gjëmë moti, me tundje të tokës, me poterë të madhe, vorbull, me stuhi, me flakë zjarri që përpin.
- 7 Do të jetë porsi ëndrra, si një vegim që shtihet natën, turma e të gjithë popujve që lufton kundër Arielit, të gjithë ata që luftojnë kundër tij, edhe kundër qytezës së tij, si dhe ata që në rrethim i mbajnë.
- 8 Do të jetë porsi i urituri kur ëndërron se ha, e kur zgjohet, barku zbrazët; porsi i eturi kur ëndërron se pi, e kur zgjohet, i etshëm, goja shkrumb e barku zbrazët; kështu do t`i ndodhë turmës së të gjithë popujve që luftojnë kundër Malit Sion.
- 9 Habituni, shtanguni nga habia, verbohuni, me sy mos shihni! Janë të dehur, por jo prej verës, këmbët u merren, por jo nga të dehurit!
- 10 Sepse Zoti e ndikoi mbi ju shpirtin e molisjes: sytë jua mbylli;o profetë, kokën jua mbuloi;o shikues.Fshehtësia e zbulesës
- 11 Për ju çdo zbulesë do të jetë porsi fjalët e librit të vulosur. Nëse ia japin dikujt që di të lexojë e i thonë: Na e lexo!, ai do të përgjigjet: Nuk mundem, sepse është i vulosur!
- 12 Ose i jepet libri atij që s`di të lexojë e i thuhet: Lexoje!, ai do të përgjigjet: S`di të lexoj.Kërcënim
- 13 E Zoti tha: Pasi ky popull më afrohet vetëm me fjalë, e më nderon vetëm me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje, frika e tij ndaj meje nuk është tjetër, veç një rregullore njerëzish, e mësuar,
- 14 këndej, pra, unë do të vazhdoj të sillem çuditshëm me këtë popull, në mënyrë të çuditshme e të sterçuditshme: do të zhduket urtia e të urtëve të tij, do të errësohet mençuria e të mençurve të tij. Kundër këshilltarëve të këqij
- 15 Mjerë ata që prej Zotit thellë i fshehin synimet e veta, që veprojnë në terr e thonë: Kush na sheh e kush na njeh?
- 16 Sa i poshtër është mendimi juaj! Vallë, vorbëtari do të çmohet si balta, që vepra e tij t`i thotë krijuesit të vet: Ti s`më përftove, t`i thotë ena basit të vet: Ti s`ke mend!?
- 17 Vallë është pak, krejt edhe pak kohë, e Libani a s`do të kthehet në pemishte, e pemishtja a s`do të mbahet për pyll?
- 18 Atë ditë të shurdhët do t`i dëgjojnë fjalët e librit, të çliruar nga errësira e terri, do të shohin sytë e të verbërve.
- 19 Gëzim mbi gëzim do të kenë në Zotin të varfërit, në Shenjtin e Izraelit do të gëzojnë më skamnorët,
- 20 sepse mujshar më s`do të ketë, përqeshësit do të zhduken, sendërtuesit e së keqes do të zhduken:
- 21 ata që me fjalë fajtorë qesin të tjerët, që e shtrembërojnë në pleqëri gjyqin e për asgjë poshtë e hedhin të drejtin.
- 22 Prandaj kështu i thotë Shtëpisë së Jakobit Zoti që e shpërbleu Abrahamin: Tani e tutje s`do të turpërohet më Jakobi, askurrë më fytyra s`do t`i skuqet,
- 23 sepse, me të parë veprën time mes tij, të Shenjtë do ta shpallin Emrin tim, të Shenjtë do ta shpallin Shenjtin e Jakobit, frikë do ta kenë Hyjin e Izraelit,
- 24 shpirtrat e gabuar do ta njohin urtinë e ata që murmurisin do të bien në fije.