1 Mbi mua ra dora e Zotit dhe, në shpirtin e Zotit, më çoi e më vendosi në mes të një fushe që ishte plot me eshtra.
2 Ai më bëri t`i përshkoj në të gjitha drejtimet: mbi sipërfaqen e tokës ishin pa masë shumë e tejet të thatë.
3 Atëherë më pyeti: Biri i njeriut, a të thotë mendja se këto eshtra mund ta rifitojnë jetën? Unë iu përgjigja: Ti e di, o Zot Hyj!
4 Atëherë më urdhëroi: Profetizo mbi këta eshtra e thuaju: O eshtra të thata, dëgjojeni fjalën e Zotit!
5 Kështu u thotë Zoti Hyj këtyre eshtrave: Unë po e fus në ju shpirtin e ju do ta rifitoni jetën.
6 Do të end mbi ju dejtë, do t`ju vesh me mish, do t`ju mbuloj me lëkurë, do t`ju fus shpirtin e ju do ta rifitoni jetën dhe do ta dini se unë jam Zoti.
7 Unë profetizova ashtu si më qe urdhëruar. Ndërsa unë po profetizoja, dëgjova një ushtimë dhe pashë një lëvizje eshtrash: iu afruan njëri-tjetrit, secili asht ashtit përgjegjës.
8 Shikova dhe, ja, u gërshetuan drejtë, u veshën me mish dhe me lëkurë, por ende nuk kishin shpirt.
9 Prapë më tha: Profetizoji shpirtit! Porfetizo, biri i njeriut, e i thuaji shpirtit: Kështu thotë Zoti Hyj: Eja, o shpirt, nga të katër anët e botës e fryj mbi këta të vdekur që ta rifitojnë jetën!
10 Unë profetizova siç më kishte urdhëruar dhe në ta hyri shpirti. Ata e rifituan jetën dhe qëndruan në këmbë të veta;një ushtri të madhe, tejet e madhe!
11 Atëherë më tha: Biri i njeriut, këta eshtra janë mbarë shtëpia e Izraelit. Ata thonë: `Eshtrat tona u thanë, s`kemi më kurrfarë shprese, kemi mbaruar!`
12 Prandaj profetizo e thuaju. Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t`i hap varret tuaja dhe do t`ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t`ju shtie në tokën e Izraelit.
13 Do ta dini se unë jam Zoti kur t`i kem hapur varret tuaja e t`ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im!
14 Do t`jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t`ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Çka them unë, atë edhe e bëj;thotë Zoti Hyj.Juda e Izraeli një mbretëri e vetme
15 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit.
16 Ti, o biri i njeriut, merre një dru e shkruaj në të: Juda e bijtë e Izraelit të bashkuar me të. Merre pastaj një tjetër dru e shkruaj mbi të: Jozefi;druri i Efraimit;e mbarë shtëpia e Izraelit e bashkuar me të.
17 Afroja njërën dru tjetrës si një dru të vetme: le të jenë të bashkuara në dorën tënde.
18 Kur bijtë e popullit tënd të pyesin: `A po na tregon çka do të thotë kjo?`,
19 thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po e marr drunë e Jozefit, që është në dorën e Efraimit edhe fiset e Izraelit të bashkuara me të e po e bashkoj me drunë e Judës dhe po i bëj një dru të vetme: do të jenë një gjë e vetme në dorën time.
20 Mbaj në dorë ndër sytë e tyre drutë, në të cilat ke shkruar
21 e thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po i bashkoj bijtë e Izraelit nga popujt ku janë të tretur, do t`i mbledh prej gjithkahit e do t`i kthej në tokën e tyre
22 dhe do t`i bëj një popull të vetëm në tokën e tyre, në malet e Izraelit; të gjithë do të kenë një mbret, më nuk do të jenë dy popuj dhe më nuk do të jenë të ndarë në dy mbretëri.
23 Më nuk do të përlyhen me idhujt e tyre, me turpësitë e tyre e me të gjitha paudhësitë e tyre, do t`i shpëtoj nga të gjitha kryeneçësitë e tyre me të cilat mëkatuan, do t`i pastroj; ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre.
24 Mbret do ta kenë shërbëtorin tim Davidin e të gjithë do të kenë një bari të vetëm. Do të jetojnë në gjyqet e mia e do t`i kryejnë urdhërimet e mia e me jetë do t`i zbatojnë.
25 Do të banojnë në tokën që ia dhurova Jakobit, shërbëtorit tim, në të cilën banuan etërit tuaj. Në të do të banojnë ata e fëmijët e tyre edhe bijtë e bijve të tyre përgjithmonë. Davidi shërbëtori im, do të jetë prijësi i tyre pëgjithmonë.
26 Me ta do të lidh Besëlidhje paqeje;një Besëlidhje të përhershme me ta. Do t`i vendos e do të bëj të shtohen me shumicë. Në mesin e tyre do ta bëj Shenjtëroren time të përhershme.
27 Banesa ime e përhershme do të jetë mes tyre: do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im.
28 Atëherë popujt do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Shenjtëruesi i Izraelit, kur ta vendos për përgjithmonë Shenjtëroren time në mesin e tyre.