Beselidhja e VjeterLevitiku: Flitë e shkrumbimit holokaustet
- 1 Zoti e thirri Moisiun dhe, prej Tendës së takimit, iu drejtua me këto fjalë:
- 2 Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: Kur ndokush prej jush ka në mendje t`ia kushtojë Zotit ndonjë fli prej bagëtive shtëpiake, mund t`i kushtojë prej bagëtive të trasha ose prej bagëtive të imëta.
- 3 Nëse kushti i tij është prej bagëtive të trasha për fli shkrumbimi, le të kushtojë mashkull pa të meta. Le ta kushtojë te dera e Tendës së takimit për ta fituar përkrahjen e Zotit.
- 4 Le ta vërë dorën e vet mbi krye të flisë, e kështu do të jetë e pëlqyeshme dhe do t`i vlejë kushtuesit për shpërblim.
- 5 Le ta therë mëzatin në praninë e Zotit dhe priftërinjtë, bijtë e Aronit, le ta kushtojnë gjakun e tij e le ta qesin të rrjedhë në rrethin e lterit që është në hyrje të Tendës së takimit.
- 6 Kushtuesi le ta rrjepë e le ta ndajë në pjesë.
- 7 Bijtë e Aronit, prift, le ta vënë zjarrin në lter e le t`i vënë drutë mbi zjarr.
- 8 Atëherë le t`i vënë rende rende pjesët përmbi dru që janë në zjarr mbi lter, me kokë e me dhjamë.
- 9 Kushtuesi le t`i lajë me ujë rropullitë dhe këmbët e pastaj prifti le t`i djegë e t`i bëjë shkrumb mbi lter si fli shkrumbimi, fli e shkrumbuar në zjarr, erë e këndshme në nder të Zotit.
- 10 Nëse është fjala se do të kushtojë fli shkrumbimi një nga bagëtitë e imëta;dele ose dhi;duhet të kushtojë mashkull e të pa të metë.
- 11 Le ta presë para Zotit në krahun e veriut të lterit. Gjakun e tij le ta derdhin bijtë e Aronit, priftërinjtë, gjithreth lterit.
- 12 Kushtuesi le ta ndajë në pjesë, kurse prifti kokë e dhjamë le t`i vërë mbi dru që janë të vëna në zjarr mbi lter.
- 13 Kushtuesi le t`i lajë me ujë rropullitë e këmbët e atëherë prifti le t`i kushtojë të gjitha dhe le t`i djegë në lter: është fli shkrumbimi, fli e djegur në zjarr, erë e këndshme për Zotin.
- 14 Nëse dëshiron t`i kushtojë Zotit si fli shkrumbimi shpendë, atëherë le të kushtojë turtull ose pëllumb.
- 15 Prifti le ta sjellë te lteri, t`ia përdredhë qafën, t`ia këpusë kokën e ta djegë në lter, kurse gjakun e tij t`ia shtrydhë në anë të lterit.
- 16 Le t`ia dëlirë puplat e t`ia heqë gushën dhe ercokun e le t`i qesë në anën e lindjes të lterit në vendin e mbeturinave, aty ku hidhet hiri.
- 17 Le ta shpojë ndërmjet krahëve, por mos ta ndajë dhe prifti le ta djegë në lter duke e vënë përmbi drurët që janë në zjarr: është fli shkrumbimi, erë e këndshme për Zotin.