Beselidhja e VjeterNumrat: Ndarja e Transjordanisë
- 1 Bijtë e Rubenit e bijtë e Gadit kishin bagëti shumë, një numër jashtëzako nisht të madh gjë të gjallë. Kur panë se Jazeri e Galaadi ishin vende të përshtatshme për blegtori,
- 2 erdhën te Moisiu, e te Eleazari prift dhe te prijësit e bashkësisë e thanë:
- 3 Ataroti e Diboni, Jazeri e Nemra, Heseboni e Elealeja, Sabani e Neboja e Beoni,
- 4 vendet që Zoti i goditi para syve të bashkësisë së izraelitëve, është trevë posaçërisht e pasur për blegëtori dhe ne, shërbëtorët e tu, kemi bagëti shumë.
- 5 Dhe shtuan: Nëse kemi gjetur hir para syve të tu, le t`u jepet shërbëtorëve të tu kjo tokë për pronë dhe mos na bëj të kalojmë përtej Jordanit.
- 6 Moisiu u përgjigj: Si? Vëllezërit tuaj do të shkojnë në luftë e ju do të rrini këtu?
- 7 Pse doni t`ua mbushni mendjen bijve të Izraelit të mos kenë guxim të kalojnë në tokën që Zoti e ka në mend t`ua japë?
- 8 Po a nuk vepruan kështu edhe etërit tuaj, kur u nisa prej Kadesbaes për të bërë vrojtimin mbi vendin?
- 9 Ata kur arritën në Neheleskol e pasi e shqyrtuan vendin, ua prishën zemrën bijve të Izraelit që të mos hynë në tokën që Zoti ua kishte dhënë.
- 10 E Zoti i hidhëruar tha:
- 11 `Këta njerëz që dolën prej Egjiptit njëzet vjeç e përpjetë nuk do ta shohin tokën që me përbetim ua kam premtuar Abrahamit, Izakut e Jakobit, sepse nuk deshën të më ndjekin mua,
- 12 përveç Kalebit, birit të Jefoneut, Cenezeut, e Jozuehit, birit të Nunit: vetëm këta e ndoqën Hyjin`.
- 13 Zoti atëherë, i hidhëruar kundër Izraelit, e solli andej-këndej nëpër shkretëtirë për dyzet vjet, deri të mbaronte mbarë ajo brezni që mëkatoi para syve të tij.
- 14 Dhe, ja;shtoi;ju u ngritët në vend të etërve tuaj;pjellë njerëzish mëkatarë, që ta shtoni zemërimin e hidhërimit të Zotit kundër Izraelit.
- 15 Nëse nuk do të doni ta ndiqni atë, do ta bëjë përsëri këtë popull të endet nëpër shkretëtirë dhe ju do të bëheni shkaku i sharrimit të të gjithëve.
- 16 Atëherë ata iu afruan edhe më fort e thanë: Ne këtu do të punojmë vathë për bagëtitë tona dhe qytete për fëmijët tanë;
- 17 kurse ne, të armatosur e të ngjeshur, do të shkojmë në luftë para bijve të Izraelit derisa t`i shtiem ata në vendet e tyre. Kurse fëmijët tanë le të qëndrojnë në qytete të rrethuara me mur për shkak të pritave të banorëve.
- 18 Ne nuk do të kthehemi në shtëpitë tona, derisa ta kenë marrë për pronë bijtë e Izraelit trashëgimin e vet.
- 19 Ne nuk do të kërkojmë pjesë përtej Jordanit e mëtej, sepse ne e kemi tashmë trashëgimin tonë në trevën e tij të lindjes.
- 20 Moisiu u tha: Nëse do të bëni, siç po premtoni, nëse do të shkoni në luftë para Zotit,
- 21 nëse çdo luftëtar i armatosur do ta kalojë Jordanin, derisa Zoti t`i dëbojë armiqtë e vet para vetes
- 22 e, pasi të jetë nënshtruar tërë ky vend, do të ktheheni, atëherë do të jeni të pafajshëm para Zotit e para Izraelit dhe do ta fitoni për trashëgim para Zotit.
- 23 Por, nëse nuk do të bëni, si thoni, s`ka farë dyshimi se mëkatoni kundër Zotit dhe mbajeni mend mirë se mëkati juaj ju do t`ju ndrydhë.
- 24 Ndërtoni, pra, qytetet për fëmijët tuaj dhe vathat për bagëtitë tuaja, dhe mbajeni fjalën që e dhatë.
- 25 Atëherë bijtë e Gadit e të Rubenit i thanë Moisiut: Jemi shërbëtorët e tu, do të bëjmë gjithë sa urdhëron zotëria ynë:
- 26 fëmijët tanë, gratë, bagëtitë e gjëja jonë do të rrinë këtu në qytetet e Galaadit,
- 27 kurse ne, shërbëtorët e tu, të gjithë kush janë të armëve do të shkojnë para Zotit në luftë, po ashtu, siç po thua ti, Imzot.
- 28 Prandaj, Moisiu i urdhëroi Eleazarit prift, Jozuehit, birit të Nunit, dhe të gjithë krerëve të vëllazërive të fiseve të Izraelit dhe tha:
- 29 Nëse do të kalojnë bijtë e Gadit e të Rubenit përtej Jordanit bashkë me ju të gjithë të armatosur për luftë në praninë e Zotit dhe vendi do të jetë pushtuar prej jush, jepuni atyre për pronë Galaadin.
- 30 Por, nëse nuk do të duan të kalojnë të armatosur me ju në dheun Kanaan, le ta kenë pronën e tyre ndër ju.
- 31 Bijtë e Gadit e bijtë e Rubenit përgjigjën: Sikurse Zoti u ka thënë shërbëtorëve të tu, po ashtu do të bëjmë.
- 32 Të armatosur do të dalim para Zotit në dheun e Kanaanit; kurse prona jonë do të jetë në këtë anë të Jordanit.
- 33 Dhe kështu Moisiu u dha bijve të Gadit e të bijve të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manaseut, birit të Jozefit, mbretërinë e Sehonit, mbretit të amorrenjve dhe mbretërinë e Ogut mbretit të Basanit, tokën me qytetet e tyre e me kufijtë e saj, qytetet e vendit përreth.
- 34 Kështu bijtë e Gadit i ndërtuan qytetet: Dibon, Atarot, Aroer,
- 35 Atrotsofan, Jazer, Jegbaa,
- 36 Betnemra e Betaran, qytete të fortifikuara. Ndërtuan edhe vathë për bagëtitë e tyre.
- 37 Kurse bijtë e Rubenit ndërtuan: Hesebonin, Elealenë, Kariataimin,
- 38 Nabon e Baalmeonin;emrat janë të shndërruar;edhe Sabamën. Ata ua ngjitën emrat e vet qyteteve që ndërtuan.
- 39 Kurse bijtë e Mahirit, birit të Manaseut, shkuan në Galaad, e pushtuan atë pasi i dëbuan amorrenjtë, banorët e tij.
- 40 Kështu Moisiu tokën e Galaadit ia dha për pronë Mahirit të Manaseut dhe ai nguli të banojë në të.
- 41 Jairi, biri i Manaseut, shkoi e i pushtoi fshatrat e tij e u ngjiti emrin Havot Jair /d. m. th. Qytetet Jair/.
- 42 Shkoi edhe Nobeu dhe e pushtoi Kanatin me fshatrat e tij dhe u ngjiti emrin e vet: Nobe.