Beselidhja e VjeterNumrat: Vëllazërit e levitëve:
- 1 Zoti foli me Moisiun e Aronin e tha:
- 2 Ndaje numrin e bijve të Kaatit prej bijve të Levit sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre,
- 3 prej tridhjetë vjet deri në pesëdhjetë vjet, të të gjithë atyre që e kanë në kujdes të punojnë në Tendën e takimit.
- 4 Dhe, ja, shërbesa e bijve të Kaatit në Tendën e takimit: kujdesim për gjërat më të shenjtat.
- 5 Kur do të duhet të bëhet çoja, Aroni dhe bijtë e tij le të hyjnë e le ta heqin koltrinën që është e varur në hyrje para e me të le ta mbulojnë Arkën e Dëshmisë.
- 6 Pastaj le ta mbulojnë përsëri me mbulesën e lëkurave të delfinit, mbi të le ta shtrijnë një pëlhurë vjollce, dhe le t`i shtijnë shtojagat.
- 7 Po ashtu edhe tryezën e bukëve të kushtimit le ta mbulojnë me pëlhurë ngjyrë vjollce e mbi të le të vënë enët, kusitë, qypat, lugët për flitë e njomjes. Bukët duhet të jenë vazhdimisht në të.
- 8 Atëherë le të shtrijnë mbi të një pëlhurë të kuqe, të cilën le ta mbulojnë prapë me mbulesën e lëkurave të delfinit e le t`i shtijnë shtojagat.
- 9 Le ta marrin edhe pëlhurën ngjyrë vjollce, e me të le ta mbulojnë shandanin me dritëza, zhirheqës e lotmbajtës dhe të gjitha enët e vajit, që janë të domosdoshme për t`i përgatitur dritëzat.
- 10 Përmbi të gjitha le të vënë mbulesën prej lëkurash delfini dhe le ta vënë mbi mbartëse.
- 11 Gjithashtu edhe lterin e artë le ta mbështjellin me pëlhurë ngjyrë vjollce e le ta mbulojnë me lëkura delfini dhe le t`i shtijnë shtagat.
- 12 Të gjitha enët që përdoren për shërbesë në Shenjtërore, le t`i mbështjellin me pëlhurë ngjyrë vjollce, le të shtrijnë mbi të mbulesën prej lëkurash delfini dhe le t`i vënë mbi mbartëse.
- 13 Po edhe lterin le ta pastrojnë nga hiri dhe le ta mbështjellin me pëlhurë të kuqe:
- 14 le t`i vënë mbi të të gjitha enët, të cilat i përdorin në shërbesën e tij, d. m. th. prushorët, pirunjtë, lopatëzat, kupat. Të gjitha enët e lterit le t`i mbulojnë së bashku me mbulesë lëkurash delfini e le t`i fusin shtagat.
- 15 Pasi Aroni e bijtë e tij ta kenë mbështjellë Shenjtëroren dhe të gjitha enët e shenjta të saja kur të bëhet çoja nga zemërimia, atëherë le të hyjnë bijtë e Kaatit për t`i mbartur ashtu të mbështjella, por të mos e prekin Shenjtëroren që të mos vdesin.
- 16 I përket Eleazarit, birit të Aronit prift, të kujdeset për vajin e dritëzave, për kemin e erëndshëm, për flinë kushtimore bimore që kushtohet vazhdimisht, për vajin e shugurimit si dhe për të gjitha që i përkasin kultit të Banesës dhe për të gjitha orenditë që janë në Shenjtërore.
- 17 Zoti foli me Moisin e Aronin e tha:
- 18 Mos lejoni të shuhet vëllazëria e Kaatajve prej fisit të Levit,
- 19 por bëni kështu me ta që të jetojnë e të mos vdesin, kur t`u afrohen gjërave më të shenjta: Aroni e bijtë e tij le të hyjnë e le ta caktojnë punën e secilit dhe le të ndajnë çka kush duhet të mbartë.
- 20 Ata të mos hyjnë as për të parë, qoftë edhe një moment të vetëm, në Shenjtërore; ndryshe do të vdesin.B. Gersonajt
- 21 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 22 Regjistroji edhe bijtë e Gersonit sipas vëllazërive e barqeve të tyre;
- 23 numëroji të gjithë prej tridhjetë vjetëve e përpjetë deri në pesëdhjetë vjet që mund të hyjnë në rend për të shërbyer në Tendën e takimit.
- 24 Ja detyra e vëllazërive të Gersonajve në shërbim e në mbartje:
- 25 le të mbartin koltrinat e Banesës, Tendën e takimit, mbulesën e saj dhe mbulesën mbi të të lëkurave të delfinit, koltrinën që varet në hyrje të Tendës së takimit,
- 26 koltrinat e tremes dhe velin në hyrje të tremes që rrethon Banesën dhe lterin, litarët dhe veglat të gjitha që u janë dhënë për të kryer shërbimin e tyre.
- 27 Nën urdhrin e Aronit e të bijve të tij Gersonajt le të mbartin e secili le të dijë çka i duhet të bëjë.
- 28 Kjo është detyra e vëllazërisë së Gersonajve në Tendën e takimit. Le të jenë nën drejtimin e Itamarit, birit të Aronit prift.C. Merariajt
- 29 Regjistroji edhe bijtë e Merariut sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre
- 30 të gjithë ata tridhjetë vjet e përpjetë deri në pesëdhjetë vjet, që hyjnë në rend për të kryer detyrën e shërbimit të vet në Tendën e takimit.
- 31 Ja detyrat e tyre: le të mbartin dërrasat e Banesës dhe shtagat e tyre, shtyllakët dhe fundësorët e tyre,
- 32 shtyllakët e tremes për rrethim me fundësorët e tyre, kunjat dhe litarët e tyre: të gjitha veglat për shërbimin e tyre: shkruani me emër secilën gjë që duhet të mbartin.
- 33 Kjo është detyra e bijve të Merariut dhe shërbimi i tyre në Tendën e takimit. Le të jenë nën drejtimin e Itamarit, birit të Aronit prift.Regjistrimi i levitëve
- 34 Moisiu, Aroni dhe prijësit e bashkësisë i regjistruan bijtë e Kaatit sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre,
- 35 të gjithë ata tridhjetë vjet e përpjetë deri në pesëdhjetë vjet që mund të hynin në rend në shërbim të Tendës së takimit:
- 36 dolën dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë.
- 37 Ky është numri i anëtarëve të familjeve të Kaatit, që shërbejnë në Tendën e takimit: këta i regjistruan Moisiu e Aroni me urdhërin që Zoti i dha Moisiut.
- 38 U regjistruan edhe bijtë e Gersonit sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre
- 39 të gjithë ata tridhjet vjet e përpjetë deri në pesëdhjetë vjet, që hyjnë në rend për shërbim në Tendën e takimit:
- 40 u gjetën sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë.
- 41 Ky është numri i Gersonajve, i të gjithë atyre që shërbejnë në Tendën e takimit, që i regjistroi Moisiu e Aroni sipas urdhrit të Zotit.
- 42 U regjistruan edhe anëtarët e familjes së Merariut sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre
- 43 të gjithë ata tridhjetë vjet e përpjetë deri në pesëdhjetë vjet, që shërbejnë në Tendën e takimit:
- 44 dhe dolën tri mijë e dyqind.
- 45 Ky është numri i familjeve të bijve të Merariut, që i regjistruan Moisiu e Aroni sipas urdhrit që Zoti i dha Moisiut.
- 46 Të gjithë levitët e regjistruar, të cilët i shkruan për emër Moisiut, Aroni dhe prijësit e Izraelit sipas vëllazërive dhe barqeve të tyre
- 47 tridhjetë vjet e përpjetë deri në pesëdhjetë vjet, të gjithë ata që mund të hyjnë në rend për shërbim në Tendën e takimit dhe për të mbartur barrë në Tendën e takimit,
- 48 e dolën tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë.
- 49 Me urdhërin që Zoti i dha Moisiut ai i regjistroi secilin sipas detyrës që kryente e çka mbarte, ashtu si i kishte urdhëruar Zoti.