Beselidhja e VjeterNumrat: Uji i Meribës
- 1 Dhe izraelitët, mbarë bashkësia, arritën në shkretëtirën Sin. Ishte muaji i parë. Populli nguli në Kades. Këtu vdiq Maria dhe qe varrosur në të njëjtin vend.
- 2 Pasi nuk kishte ujë për popull, u bashkuan kundër Moisiut e Aronit
- 3 e nisën të grinden me Moisiun e Aronin. Thanë: Oh, sikur të kishim mbaruar ndërmjet vëllezërve tanë në praninë e Zotit!
- 4 Përse e nxorrët bashkësinë e Zotit e prutë në shkretëtirë që të vdesim ne dhe bagëtitë tona?
- 5 Përse na bëtë ta lëmë Egjiptin e na sollët në këtë vend të keq që nuk mund të mbillet, ku nuk ka as fiq, as vreshta as shega, ku madje nuk ka as ujë për të pirë?
- 6 Moisiu e Aroni e lanë bashkësinë e shkuan në hyrje të Tendës së takimit, ranë me fytyrë për dhe e përmbi ta u dëftua Lavdia e Zotit.
- 7 Atëherë Zoti i tha Moisiut:
- 8 Merre shkopin ti e Aroni, vëllai yt dhe bashkoni popullin, folini shkëmbit ndër sy të tij dhe ai do t`u japë ujë. Kur ta kesh nxjerrë ujin prej shkëmbit, atëherë le të pijë bashkësia dhe bagëtitë e saja.
- 9 Atëherë Moisiu e mori shkopin që ishte në praninë e Zotit ashtu si i urdhëroi Ai.
- 10 Moisiu e Aroni e bashkuan popullin para shkëmbit, e Moisiu tha: Dëgjoni, o kryekëcyer! A thua prej shkëmbit do t`ju nxjerrim ujë?
- 11 Moisiu e çoi dorën, dy herë i ra me shkop shkëmbit, doli ujë me shumicë dhe piu bashkësia e bagëtitë e saja.Ndëshkimi i Moisiut e i Aronit
- 12 Por, Zoti i tha Moisiut e Aronit:Pasi nuk më besuat mua që ta bëni të ndriçojë shenjtëria ime ndër sy të bijve të Izraelit, ja, pra, ju nuk do ta shtini këtë popull në tokën që do t`jua dhuroj.
- 13 Këto janë ujërat e Meribës, ku izralitët u grindën me Zotin, dhe ku Ai u dëftua i shenjtë.Edomi nuk i lë të kalojnë izraelitët
- 14 Moisiu i dërgoi prej Kadesit disa lajmëtarë te mbreti i Edomit për t`i thënë: Të çon fjalë Izraeli, yt vëlla: Ti i di të gjitha të vështirat që na kanë gjetur:
- 15 se si patën zbritur etërit tanë në Egjipt dhe si banuam atje për një kohë shumë të gjatë, se si egjiptianët na munduan ne dhe etërit tanë.
- 16 Ne e thirrëm në ndihmë Zotin e Ai na dëgjoi dhe e dërgoi engjëllin e vet e na nxori nga Egjipti. Ja, kemi ngelur në qytetin e Kadesit që është në skajin e kufijve të tu.
- 17 Po të bëjmë lutje të na lësh të kalojmë nëpër tokën tënde. Nuk do të biem nëpër ara e vreshta të tua, nuk do të pimë ujë prej pusave të tu, por do të kalojmë udhës së madhe e nuk do t`i shmangemi as djathtas as majtas derisa t`i kalojmë kufijtë e tu.
- 18 Edomi iu përgjigj: Ruaj se kalon nëpër tokën time, ndryshe të dal i armatosur të ndesh.
- 19 Izraelitët përgjigjën: Do të biem rrugës së rrahur e, nëse do të pimë ujin tënd unë dhe bagëtitë e mia, do të paguaj sa është e drejtë, s`do të jetë farë vështirësie për çmim: mjaft që të kalojmë sa më shpejt.
- 20 Por, ai u përgjigj: S`kalove andej!Dhe Edomi i doli para me shumë njerëz e me fuqi të madhe,
- 21 dhe nuk ia pranoi lutjen Izraelit që të kalojë nëpër tokën e tij, prandaj edhe Izraeli u largua prej tij.Vdekja e Aronit
- 22 Pasi bënë çojën prej Kadesit, izraelitët arritën në malin Hor.
- 23 Aty, në malin Hor, që është në kufijtë e tokës së Edomit, Zoti foli me Moisiun e me Aronin; Ai tha:
- 24 Aroni le të bashkohet me të parët e vet. Ai nuk do të shkelë në tokën që ua kam dhënë izraelitëve, sepse e kundërshtuat urdhrin tim tek uji i Meribës.
- 25 Merre Aronin e me të edhe Eleazarin, birin e tij, dhe çoj në malin Hor.
- 26 Pasi t`ia kesh zhveshur petkat e t`et, veshja ato Eleazarit, të birit; Aroni do të bashkohet me të parët e vet e do të vdesë atje.
- 27 Siç urdhëroi Zoti ashtu bëri Moisiu. Në sy të mbarë bashkësisë u ngjitën në malin Hor.
- 28 Pasi ia zhveshi Aronit petkat e tija ato ia veshi Eleazarit, birit të Aronit. Si vdiq Aroni në majë të malit, Moisiu zbriti me Eleazarin.
- 29 Mbarë bashkësia pa se kishte vdekur Aroni dhe mbarë shtëpia e Izraelit i bëri gjëmë për tridhjetë ditë.