Beselidhja e VjeterNumrat: Trashëgimi i bijave
- 1 Atëherë u afruan bijat e Salfaadit, birit të Heferit, birit të Mahirit, birit të Manaseut, prej vëllazërive të Manaseut, që qe biri i Jozefit. Këto thirreshin: Maala, Noa, Hegla, Melka e Tersa.
- 2 Qëndruan para Moisiut e Eleazarit prift dhe para prijësve e para mbarë bashkësisë në hyrje të Tendës së takimit dhe thanë:
- 3 Ynë atë vdiq në shkretëtirë. Ai nuk mori pjesë në kryengritje që e nxiti kundër Zotit Koreu; ai vdiq kryekëput për shkak të mëkatit të vet. Ky nuk pati djem.
- 4 Pse të shuhet emri i tij prej fisit, vetëm pse nuk pati djem? Na jep edhe ne trashëgim ndër vëllezër të babait tonë.
- 5 Moisiu e qiti çështjen e tyre në gjyqin e Zotit.
- 6 Zoti i tha:
- 7 Bijat e Salfaadit kanë të drejtë. Jepu trashëgim ndër vëllezërit e atit të tyre dhe ato le ta trashëgojnë të atin.
- 8 Kurse bijve të Izraelit thuaju kështu: Kur ndokush të vdesë e të mos lërë djalë, prona e tij le të kalojë në të bijën;
- 9 po në mos pastë as vajzë, trashëgimtarë le t`i jenë të vëllëzerit.
- 10 Po qe se as vëllezër nuk ka, jepjani trashëgimin e tij vëllezërve të t`et.
- 11 Po qe se nuk ka as djem ungjish, trashëgimi le t`i jepet atij që është më i afërt prej vëllazërisë së tij: ai le ta trashëgojë. Kjo le të jetë për bijtë e Izraelit një rregull ligjor e përhershme e shenjtë në përkim me urdhrin që Zoti i dha Moisiut.Jozuehi kryetari i bashkësisë
- 12 Pastaj Zoti i tha Moisiut:Ngjitu mbi këtë mal të Abarimit, dhe shikoje prej andej vendin që do t`ua jap izraelitëve.
- 13 Pasi ta kesh kundruar, edhe ti do të shkosh te të parët e tu ashtu siç shkoi edhe yt vëlla Aroni,
- 14 sepse më ke fyer në shkretëtirën e Sinit, kur më kundërshtoi bashkësia e ju nuk deshët ta dëftoni para syve të bashkësisë shenjtërinë time lidhur me ujë. Është fjala për ujin e Meribës në Kades të shkretëtirës së Sinit.
- 15 Moisiu iu përgjigj:
- 16 Zoti, Hyji që i jep frymën secilës krijesë, le ta gjejë njeriun që të jetë në krye të kësaj bashkësie,
- 17 të mund t`i prijë në të dalë e në të hyrë, ta lëshojë e ta kthejë, që populli i Zotit të mos jetë si delet pa bari.
- 18 E Zoti i tha: Merre Jozuehin, birin e Nunit;është burrë me shpirt; vëre mbi të dorën tënde.
- 19 Sille para Eleazarit prift dhe para mbarë bashkësisë dhe në sy të tyre dorëzoja pushtetin,
- 20 dhe bëje pjesëtar të madhërisë sate që t`i vihet nën urdhër mbarë bashkësia e bijve të Izraelit.
- 21 Le të qëndrojë para Eleazarit prift, i cili le të pyetë për të para Zotit mendimin e Urimit. Sipas fjalës së tij le të dalë e le të kthehet ai e të gjithë izraelitët me të;mbarë bashkësia.
- 22 Moisiu bëri siç urdhëroi Zoti. E mori Jozuehin e vuri para Eleazarit prift dhe para mbarë bashkësisë
- 23 dhe, pasi ia vuri mbi kokë të tij duart, i dha pushtetin siç kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.