Beselidhja e VjeterNumrat: Kufijtë e vendit
- 1 Zoti foli me Moisiun e tha:
- 2 Urdhëroju bijve të Izraelit e thuaju: Kur të hyni në dheun Kanaan e ta meri në trashëgim me anë të shortit, ja vendi me kufijtë e tij:
- 3 Pjesa e jugut do të fillojë prej shkretëtirës Sin, që gjendet përbri Edomit. Për kufi në anën e lindjes do të ketë Detin e Kripur.
- 4 Atëherë kufiri do të marrë anën e jugut në krahun e shpatit Akrabim /d. m. th. të Gallomëve/, dhe do të vazhdojë nëpër Sinin e të arrijë në jug në Kadesbaë. Prej andej do të marrë drejt Asaradarit e do të mbërrijë deri në Asemonë.
- 5 Prej Asemonës kufiri do të bëjë dredhë drejt lumit të Egjiptit për të dalë në bregun e Detit të Madh.
- 6 Për kufi të perëndimit do të fillojë prej Detit të Madh e me të do të marrë fund.
- 7 Për kufi në anën e veriut do të jetë prej Detit të Madh drejt e në malin Hor;
- 8 prej tij do të shkojë në hyrje të Ematit e do të marrë fund në Sedadë.
- 9 Atëherë kufijtë do të vazhdojnë deri në Zefronë e në Asarenon. Ky do të jetë kufiri verior.
- 10 Prej këndej le të vihen kufijtë në krahun e lindjes prej Asarenonit deri në Sefamë.
- 11 Prej Sefamës le të zbresin deri në Reblë në anën e lindjes të Ajinit. Prej andej le të vazhdojnë të zbresin e të mbërrijnë deri në krahun e Detit Keneret në lindje
- 12 e të prekin deri në Jordan e të marrin fund në Detin e Kripur.Kjo do të jetë toka juaj me kufij përreth.
- 13 Moisiu u dha bijve të Izraelit këto udhëzime: Kjo është toka që do ta fitoni me short dhe të cilën Zoti urdhëroi t`u ndahet nëntë fiseve e gjysmës së një fisi.
- 14 Sepse fisi i Rubenit, sipas vëllazërive të veta dhe fisi i Gadit sipas vëllazërive të veta si dhe gjysma e fisit të Manaseut,
- 15 d. m. th. dy fise e gjysmë i morën pjesët e veta përtej Jordanit, përballë Jerikut, në anën e lindjes.Pleqtë e caktuar për të bërë ndarjen
- 16 Atëherë Zoti i tha Moisiut:
- 17 Këta janë emrat e njerëzve që do t`jua ndajnë tokën: Eleazari prift dhe Jozuehi i Nunit
- 18 dhe për çdo fis nga një prijës.
- 19 Këta janë emrat e tyre:prej fisit të Judës, Kalebi, biri i Jefoneut;
- 20 prej fisit të Simonit, Samueli, biri i Amiudit;
- 21 prej fisit të Beniaminit, Elidadi, biri i Kaselonit;
- 22 prej fisit të bijve të Danit, Boci, biri i Jogliut;
- 23 prej bijve të Jozefit: prej fisit të Manaseut, Hanieli, biri i Efodit;
- 24 prej fisit të Efraimit, Kamueli i Seftanit;
- 25 prej fisit të Zabulonit, Elisafani i Faakut;
- 26 prej fisit të Isaharit, prijësi Faltiel, biri i Ozanit;
- 27 prej fisit të Aserit, Ahiudi i Salomiut;
- 28 prej fisit të Neftaliut, Fedaeli i Amiudit.
- 29 Këta janë njerëzit që Zoti u urdhëroi t`ua ndajnë bijve të Izraelit dheun e Kanaanit.