Beselidhja e ReVeprat e Apostujve: Jakobin e vrasin dhe Pjetrin e burgosin
- 1 Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës.
- 2 Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit.
- 3 E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin (ishin ditët e Bukëve të pabrume).
- 4 E pasi e kapi, e futi në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që pas pashkëve ta qesë para popullit.
- 5 Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por lutja e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të.Lirimi i Pjetrit nga burgu
- 6 Atë natë, para ditës që Herodi kishte caktuar ta nxirrte para popullit, Pjetri flinte mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura e para derës rojtarët ruanin burgun.
- 7 Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: Çohu shpejt! Prej duarve i ranë hekurat.
- 8 Engjëlli i tha: Ngjeshu dhe lidhi sandalet! Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: Vishe petkun tënd dhe eja pas meje!
- 9 Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim.
- 10 Kaluan rojën e parë edhe të dytën edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij.
- 11 Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet e më shpëtoi nga dora e Herodit dhe prej gjithçka që priste populli i judenjve.
- 12 Posa u mendua pakëz, u nis drejt shtëpisë së Marisë, nënës së Gjonit që quhet Mark, ku shumë ishin bashkuar në lutje.
- 13 Ky trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore, me emrin Rozë, u afrua për të hetuar kush ishte.
- 14 Si e njohu zërin e Pjetrit, prej gëzimit as nuk ia çeli derën, por u kthye turravrap brenda dhe lajmëroi se ishte Pjetri pas dere.
- 15 Ti je e marrë!;i thanë ata, por ajo pohonte se ashtu ishte. Atëherë ata thanë: Do të jetë, pra, engjëlli i tij.
- 16 Pjetri vazhdonte trokitjen. Kur e hapën derën dhe e panë, u mrekulluan.
- 17 Ai u dha shenjë me dorë, që të heshtnin, u tregoi si Zoti e nxori nga burgu dhe shtoi: Tregojini Jakobit dhe vëllezërve! Atëherë doli e shkoi në një vend tjetër.
- 18 Kur zbardhi drita, u bë një pështjellim jo i vogël në mes të ushtarëve: vallë, ç`u bë Pjetri?
- 19 Herodi zuri ta kërkojë e, kur nuk e gjeti, pasi i mori në pyetje rojtarët, dha urdhër të vriteshin. Atëherë zbriti nga Judeja në Cezare e aty banoi.Vdekja e Herodit
- 20 Herodi ishte shumë i zemëruar kundër tirëve e sidonëve. Ata erdhën së bashku e, pasi e përfituan për vete Blastën, oborrtarin e mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet prej territorit të mbretit.
- 21 Ditën e caktuar, Herodi, i veshur me petkun mbretëror, hipi në fron dhe po u fliste.
- 22 Populli i brohoriste: Është zë i një hyji e jo i një njeriu!
- 23 Por aty për aty, engjëlli i Zotit e ndëshkoi, sepse nuk i dha lavdërim Hyjit e, i brejtur nga krimbat për së gjalli, vdiq.
- 24 Ndërkaq fjala e Hyjit rritej e shtrihej.
- 25 Baaba e Sauli, pasi e kryen misionin e vet në Jerusalem, u kthyen duke marrë me vete Gjonin, që quhet Mark.