Beselidhja e ReVeprat e Apostujve: Trazirë në Selanik
- 1 Duke kaluar nëpër Amfipol e Apoloni, mbërritën në Selanik, ku hebrenjtë kishin një sinagogë.
- 2 Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe për tri të shtuna rresht rragatej me ta në bazë të Shkrimit të shenjtë
- 3 duke ua shtjelluar e vërtetuar se Mesisë i është dashur të pësojë e të ngjallet prej së vdekuri. Dhe Mesia;u thoshte;është Jezusi, të cilin unë jua predikoj.
- 4 Disave prej tyre iu mbush mendja dhe u bashkuan me Palin e me Silën. Po ashtu bëri edhe një shumicë e madhe grekësh që besonin në Hyjin edhe jo pak gra të përmendura.
- 5 Porse judenjtë, të nxitur nga smira, i bënë për vete disa rrugaçë të këqij tregjesh, i ngacmuan dhe e çuan peshë qytetin, ranë para derës së Jasonit dhe kërkuan që Pali e Sila të nxirreshin para popullit.
- 6 Pasi nuk i gjetën, morën Jasonin e disa vëllezër dhe i çuan para krerëve të qytetit dhe bërtitën: Ja, edhe këtu njerëzit që e kanë çuar peshë mbarë botën,
- 7 e Jasoni i pranon në shtëpi! Të gjithë këta veprojnë kundër urdhrave të Cezarit. Këta pohojnë se është një mbret tjetër;Jezusi.
- 8 Kështu e përzien dhe krerët e qytetit që po i dëgjonin këto fjalë.
- 9 Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve dorëzaninë, i lëshuan.Apostujt në Berejë
- 10 Vëllezërit atëherë, shpejt e shpjet, natën, i dërguan Palin e Silën në Berejë. Apostujt, kur arritën atje, shkuan në sinagogë të hebrenjve.
- 11 Këta ishin më zemërmirë se hebrenjtë e Selanikut. Pranuan fjalën me gatishmëri dhe përditë e shqyrtonin Shkrimin e shenjtë pale a është ashtu.
- 12 Shumë prej tyre e pranuan fenë. Po ashtu edhe prej grekëve disa gra bujare dhe jo pak burra.
- 13 Por, kur hebrenjtë e Selanikut morën vesh se Pali po e shpallte fjalën e Hyjit edhe në Berejë, shkuan edhe atje dhe e përzien dhe e çuan peshë edhe atje.
- 14 Atëherë vëllezërit e pëcollën Palin deri në det. Sila e Timoteu zunë vend aty.
- 15 Ata që e përcollën Palin e çuan deri në Athinë. Atëherë u kthyen prapa me urdhër për Silën e Timoteun që të shkojnë sa më parë tek ai.Pali në Athinë
- 16 Ndërsa Pali po i priste ata në Athinë, thellësisht u shqetësua në shpirt sepse e shihte qytetin plot me idhuj.
- 17 Në sinagogë diskutonte me hebrenj dhe me ata që besonin në Hyjin, ndërsa në treg për çdo ditë me ata që takohej.
- 18 Me të diskutonin edhe disa filozofë epikurenj e stoikë. Disa thoshin: Çfarë dëshiron të thotë ky papagal? Disa të tjerë prapë: Duket se është predikatar hyjnish së huaja! Sepse predikonte Jezusin dhe ngjalljen nga vdekja.
- 19 Atëherë e morën dhe e çuan në Areopag dhe i thanë: A mund ta dimë cili është ky mësim i ri që ti po e mëson?
- 20 Sepse po na i mbush veshët me disa gjëra të çuditshme. Dëshirojmë ta dimë për çka është fjala!
- 21 Të gjithë athinasit dhe të huajt që banojnë aty në asgjë tjetër s`e tresin kohën sa në të treguar e në të dëgjuar të lajmeve të fundit.
- 22 Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha: Qytetarë të Athinës! Po shoh se në çdo pikëpamje qenkeni njerëz shumë besimtarë.
- 23 Sepse, duke kaluar e vërejtur monumentet tuaja të kultit hyjnor, gjeta edhe një lter, në të cilin është shkruar: `Hyjit të panjohur.` Pra, Atë, të cilin ju e nderoni pa e njohur, unë jua kumtoj.
- 24 Hyji që krijoi botën dhe gjithçka është në të, Zotëruesi i qiellit e i dheut, Ai as nuk banon në tempuj të punuar me duar të njerëzve,
- 25 as nuk i shërbejnë duart e njerëzve;thuajse ka ndonjë farë nevoje për çfardo gjëje;Ai që u jep të gjithëve jetën, frymën e çdo gjë tjetër.
- 26 Prej një njeriu krijoi mbarë gjininë njerëzore, që ta banonte mbarë sipërfaqen e dheut; caktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre:
- 27 që ta kërkojnë Hyjin e në ndonjë mënyrë të mund ta gjejnë. Ai nuk është larg asnjërit prej nesh.
- 28 Sepse në Të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse edhe disa prej poetëve tuaj thanë:`Sepse jemi prej rodit të tij.`
- 29 Nëse, pra, jemi prej rodit të Hyjit, atëherë s`bën të mendojmë se Hyjnia është e ngjashme me arin, me argjendin e me gurin e punuar nga mjeshtria dhe arti i njeriut.
- 30 Dhe Hyji, duke mos i marrë parasysh kohët e padijes, tani urdhëron: le të kthehen të gjithë njerëzit e çdo vendi,
- 31 sepse Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën me anë të një Njeriu, të cilin e caktoi për këtë gjë dhe e përforcoi para të gjithëve duke e ngjallur nga të vdekurit.
- 32 Kur dëgjuan Të ngjallurit e të vdekurve, disa e përqeshën e disa të tjerë i thanë: Në lidhje me këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër!
- 33 Kështu Pali u largua prej tyre.
- 34 Megjithatë, disa ia pëlqyen fjalën dhe besuan. Ndër ta ishte Dionizi Areopagit, një grua me emër Damarë dhe disa të tjerë.