Beselidhja e ReVeprat e Apostujve: Themelimi i të shtatëve
- 1 Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve, filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i linin pas dore vejushat e tyre.
- 2 Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë:Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë.
- 3 Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t`i caktojmë për këtë detyrë,
- 4 kurse ne do t`i kushtohemi krejtësisht lutjes dhe shërbesës së fjalës.
- 5 Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë.
- 6 Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta.
- 7 Fjala e Hyjit vazhdonte të shtrihej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë.Arrestimi i Shtjefnit
- 8 Ndërkaq Shtjefni, që ishte plot hir dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha në popull.
- 9 Po asohere disa prej të ashtuquajturës sinagogë e Libertinëve, Cirenianëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre nga Cilicia dhe Azia u çuan për t`u rragatur me Shtjefnin.
- 10 Por nuk mund ta përballonin dijen dhe Shpirtin Shenjt në fuqi të të cilit fliste.
- 11 Atëherë paguan disa njerëz që thanë: Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë fyese kundër Moisiut e kundër Hyjit.
- 12 Kështu e ngacmuan e pleqtë e skribët, pastaj iu afruan, e kapën dhe e çuan në Këshill.
- 13 Aty sollën dëshmitarë të rrejshëm, të cilët thanë: Ky njeri vazhdimisht flet kundër Vendit të shenjtë dhe kundër Ligjit.
- 14 Vërtet e dëgjuam duke thënë: `Jezusi Nazarenas do ta rrënojë këtë vend dhe do t`i shndërrojë traditat që na i ka lënë Moisiu. `
- 15 Të gjithë ata që ishin në Kuvend i drejtuan sytë nga ai dhe panë se ishte në fytyrë si engjëll.