Beselidhja e ReVeprat e Apostujve: Pali në Korint
- 1 Pastaj Pali e la Athinën e shkoi në Korint.
- 2 Aty gjeti një çifut që quhej Akuil, me prejardhje nga Ponti, që posa kishte arritur prej Italisë me Prishilën, bashkëshorten e tij, sepse Klaudi kishte pasë dhënë urdhër ta linin Romën të gjithë hebrenjtë. Pali shkoi te ta
- 3 e, pasi kishin të njëjtën zeje, banonte te ta dhe punonte. Ishin mjeshtër tendash.
- 4 Pali çdo të shtunë e merrte fjalën në sinagogë dhe mundohej t`i bindë hebrenjtë e grekët.
- 5 Kur Sila e Timoteu arritën prej Maqedonisë, Pali iu kushtua krejtësisht fjalës, duke dëshmuar para hebrenjve se Jezusi është Mesia.
- 6 Por, pasi ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi petkat dhe u tha: Gjaku juaj mbi kokën tuaj! Unë nuk kam faj! Që tani unë po u drejtohem paganëve!
- 7 U largua prej andej dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu që besonte në Hyjin. Ky quhej Ticje Just, shtëpia e të cilit ishte afër sinagogës.
- 8 Krispi, kryetari i sinagogës, besoi në Zotin, ai dhe krejt familja e tij. Po edhe shumë korintas, duke dëgjuar Palin, pranonin besimin dhe pagëzoheshin.
- 9 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: Mos u tremb, por fol e mos hesht!
- 10 Unë jam me ty! Askush s`do të guxojë të vërë dorë në ty për të salvuar, sepse në këtë qytet kam një popull të madh!
- 11 Kështu Pali zuri vend aty një vit e gjashtë muaj duke predikuar ndër ta fjalën e Hyjit.
- 12 Kur Galioni ishte prokonsull i Akajës, çifutët në përkim të plotë u çuan kundër Palit, e nxorën në gjyq
- 13 dhe thanë: Ky nxit njerëzit që ta nderojnë Hyjin kundër Ligjit.
- 14 Pikërisht kur Pali deshi të flasë, Galioni u tha judenjve: Po të ishte çështja e ndonjë delikti apo e ndonjë vepre të keqe, ju kisha vështruar, o hebrenj, siç e kërkon e drejta;
- 15 porse, pasi çështja është lidhur me fjalë, emra e Ligjin tuaj, rregullojeni ju vetë; lidhur me këso gjërash unë nuk dëshiroj të bëhem gjykatës.
- 16 Dhe i dëboi nga gjykatorja.
- 17 Por ata të gjithë e kapën kryetarin e sinagogës, Sostenin, dhe filluan ta rrahin para gjykatores. Galioni aspak nuk e çau kokën për këtë gjë.Pali kthehet në Antioki
- 18 Pali qëndroi në Korint edhe mjaft kohë, pastaj u përshëndet me vëllezërit dhe me barkë u nis për Siri bashkë me Prishilën e me Akuilën, pasi në Kenhrejë e qethi kokën, sepse e kishte bërë kusht.
- 19 Kur mbërritën në Efes, ata i la aty e vetë hyri në sinagogë për të diskutuar me çifutë.
- 20 Këta i bënë lutje të qëndronte tek ata për një kohë të gjatë, por ai nuk deshi,
- 21 e, duke u përshëndetur, u tha: Në dashtë Zoti do të vij te ju një herë tjetër.Dhe u nis prej Efesit.
- 22 Kur arriti në Cezare, u ngjit të përshëndesë Kishën e atëherë zbriti në Antioki.
- 23 Edhe aty ndenji disa kohë. Pastaj u nis të përshkojë krahinën e Galacisë e të Frigjisë duke i përforcuar në fe të gjithë nxënësit.Apoloni predikon në Efes
- 24 Një farë hebreu që quhej Apolon, me prejardhje nga Aleksandria, kishte ardhur në Efes. Ishte njeri gojëmbarë dhe njohës i mirë i Shkrimit të shenjtë.
- 25 Ishte i njoftuar me Udhën e Zotit dhe me plot zell të shpirtit fliste dhe mësonte me kujdes për Jezusin, edhe pse dinte vetëm për pagëzimin e Gjonit.
- 26 Ai, pra, filloi të flasë plot guxim në sinagogë. Kur e dëgjuan Prishila e Akuila, e morën në shtëpi të tyre dhe ia shpjeguan imtësisht Udhën e Hyjit.
- 27 Kur iu mbush mendja të shkojë për Akajë, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan nxënësve që ta presin mirë. Kur arriti atje, për hir të Zotit, u vlejti shumë besimtarëve
- 28 sepse me aftësi të madhe i hidhte poshtë judenjtë duke ua vërtetuar me anë të Shkrimit të shenjtë se Jezusi është Mesia.