Beselidhja e Re1 e Korintasve: Shërbesa e apostujve
- 1 Prandaj, gjithkush le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit e për mbarështues të mistereve të Hyjit.
- 2 Tashti, në fund të fundit, prej mbarështuesve kërkohet që secili të jetë besnik.
- 3 Sa për mua, aspak nuk shqetësohem se më gjykoni ju apo çfardo gjyqi njerëzor. Por as vetë nuk e gjykoj vetveten.
- 4 Vërtet, ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë, por nuk është kjo që më bën të drejtë, sepse gjykatësi im është Zoti.
- 5 Prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti! Ai do të qesë në dritë çka është e fshehur në errësirë dhe do t`i zbulojë synimet e zemrave. Atëherë gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket.
- 6 Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. `Jo përtej asaj që është e shkruar!` që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit.
- 7 E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh sikur s`e ke marrë?
- 8 Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, të bëheshit vërtet mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!
- 9 E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;
- 10 ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin, ne të dobët, ju të fortë, ju të nderuar e ne të përbuzur,
- 11 deri tani s`ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplëng e të pashtëpi,
- 12 lodhemi duke punuar me duart tona.Na shajnë e ne flasim mirë për ta, na salvojnë e ne durojmë;
- 13 na shpifen e ne ngushëllojmë.U bëmë deri më sot porsi plehrat e botës, porsi mbeturinat e gjithkujt!
- 14 Nuk po jua shkruaj këto që t`ju turpëroj, por që t`ju qortoj si fëmijët e mi të dashur.
- 15 Sepse, edhe po t`i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin.
- 16 Prandaj, ju përbej: më përngjani!
- 17 Po për këtë punë jua dërgova Timoteun, që e kam bir të dashur dhe besnik në Zotin. Ky do t`ju përkujtojë udhëzimet e mia në Krishtin (Jezus): gjithçka ashtu sikurse mësoj gjithkund, në çdo kishë.
- 18 Tani disa, duke menduar se unë nuk do të vij atje te ju, çuan kokë e po shesin mendjemadhësi!
- 19 Por, ja, nuk do të vonoj, në dashtë Zoti, e do të vij te ju dhe do të shqyrtoj, jo fjalët e atyre mendjemëdhenjve, por veprat e tyre,
- 20 sepse Mbretëria e Hyjit nuk qëndron në fjalë, por në virtyt.
- 21 Çka dëshironi më tepër: të vij te ju me thupër apo me dashuri e me shpirt butësie?