Beselidhja e Re2 e Korintasve: Qortimet e fundit dhe përshëndetjet
- 1 Është e treta herë që dua të vij te ju.Çdo gjë do të vendoset sipas fjalëve të dy ose tre dëshmitarëve.
- 2 Kur isha te ju, herën e dytë, u pata thënë atyre që kanë mëkatuar dhe të gjithë të tjerëve;po jua them edhe tani që jam larg jush;po jua rithem që përpara: nëse do të vij prapë, nuk do t`ju kursej.
- 3 Sepse ju kërkoni provën se në mua flet Krishti, i cili kundrejt jush nuk është i pafuqi, por i plotfuqishëm në ju.
- 4 Vërtet, ai qe kryqëzuar për shkak të dobësisë, por jeton në saje të fuqisë së Hyjit. Po, edhe ne jemi të ligshtë në Të, por do të jetojmë në Të në saje të fuqisë së Hyjit për ju.
- 5 Shqyrtoni mirë vetveten! Shihni a jeni në fe! Kontrolloni vetveten! A thua ndoshta nuk e njihni vetveten se Krishti Jezus është në ju? Nëse jo, atëherë nuk jeni besimtarë të vërtetë!
- 6 Shpresoj se do të shihni se ne jemi të vërtetë.
- 7 E tani ne i lutemi Hyjit që ju të mos bëni kurjë të keqe; jo, pra, që ne të dalim të drejtë, por që ju të bëni të mirën; ani se mendimi ynë del i gabueshëm.
- 8 Sepse kurrgjë nuk mund të bëjmë kundër së vërtetës: pushteti ynë është vetëm në dobi të së vërtetës.
- 9 Po, po, ne gëzohemi kur jemi të ligshtë e ju të fortë. Prandaj edhe lutemi që ju të bëheni të përsosur.
- 10 Ja, pra, pse larg jush ju shkruaj kështu, me qëllim që, kur të gjendem pranë, të mos më duhet ta përdor me ashpërsi pushtetin që Zoti më dha për të ndërtuar e jo për të shkatërruar.
- 11 Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni së përmirësuari! Ngushëllohuni dhe jini në përkim me njëri-tjetrin! Jetoni në paqe e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju.
- 12 Përshëndeteni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit.
- 13 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë.