Beselidhja e VjeterLigji i Përtërirë: Arka e Besëlidhjes dhe zgjedhja e Levit
- 1 Asohere Zoti më tha: `Latoji dy rrasa guri si ato të mëparshmet dhe ngjitu tek unë në mal. Puno dhe një arkë druri.
- 2 Unë në rrasa do t`i shkruaj ato fjalë që qenë në rrasat e para që i theve. Pastaj shtjeri në arkë.`
- 3 E punova, pra, arkën prej druri të akacies, i latova dy rrasa guri po si ato të mëparshmet dhe u ngjita në mal me to në dorë.
- 4 Dhe shkroi në rrasa po ato fjalë që i kishte shkruar më parë, Dhjetë fjalët që Zoti jua tha në mal nga zjarri, kur populli qe bashkuar në tubimin e gjithmbarshëm, dhe m`i dha.
- 5 Unë u ktheva prej malit dhe i vendosa në arkën që kisha punuar. Edhe sot e kësaj dite gjenden në të po ashtu si më kishte urdhëruar Zoti.
- 6 Bijtë e Izraelit çuan nga Berotbeneiakani në drejtim të Mozerës, ku pat vdekur e qe varrosur Aroni. Në vend të tij u bë prift Eleazari, i biri.
- 7 Prej andej erdhën në Gadgad.Prej këtij vendi çuan e ngulën zemërimiën në Jetebatë, vend i pasur me përrenj.
- 8 Asokohe Zoti e veçoi fisin e Levit për të mbartur Arkën e Besëlidhjes së Zotit, për të qëndruar në shërbesë në praninë e Zotit dhe për të bekuar në emër të tij, siç bën edhe në ditën e sotme.
- 9 Për këtë arsye Levi nuk ka pjesë as pronë me vëllezërit e vet, sepse vetë Zoti është trashëgimi i tij, siç i premtoi Zoti, Hyji yt.
- 10 Unë qëndrova në mal, si edhe herën e parë, dyzet ditë e dyzet net, dhe Zoti ma dëgjoi lutjen edhe kësaj here: Zoti nuk deshi të të asgjësojë.
- 11 Atëherë Zoti më tha: `Çohu, nisu e prij popullit që të hyjë e ta pushtojë tokën që me përbetim ua premtova etërve të tyre se do t`ua jap. `Rrethprerja e zemrës
- 12 E tani, o Izrael, çfarë kërkon Zoti, Hyji yt, prej teje? Kërkon që ta druash Zotin, Hyjin tënd, të ecësh udhëve të tija, ta duash e t`i shërbesh Zotit, Hyjit tënd, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd,
- 13 t`i mbash rregullat e urdhërimet e Zotit, që po t`i jap unë sot për të mirën tënde.
- 14 Po, Zotit, Hyjit tënd, i perket qielli, qielli i qiellit, toka dhe gjithçka është në të.
- 15 Megjithatë, Zoti u lidh ngushtë me etërit e tu, i deshi e, pas tyre, në mes të gjithë popujve, ju zgjodhi ju, d. m. th. pasardhësit e tyre, si vërtetohet edhe sot.
- 16 Pra, rrethpritni zemrën tuaj dhe mos e ngurroni më zverkun tuaj,
- 17 sepse Zoti, Hyji juaj, është Hyji i hyjve, Zoti i zotëruesve, Hyji i madh, i pushtetshëm i tmerrshëm, që nuk bën krahambajtje, që nuk e prishin dhuratat;
- 18 i jep të drejtën bonjakut dhe vejushës, e do të ardhurin, i jep ushqimin dhe veshën.
- 19 Kini edhe ju dashuri për të ardhurin, sepse edhe ju keni qenë të ardhur në dheun e Egjiptit.
- 20 Druaje Zotin, Hyjin tënd, dhe atij shërbeji, qëndroji besnik dhe në emrin e tij përbetohu!
- 21 Ai është nderi yt e Hyji yt! Ai i bëri për ty këto punë të mëdha e të tmerrshme që i panë sytë e tu!
- 22 Kur etërit e tu zbritën në Egjipt, nuk ishin veçse shtatëdhjetë frymë. E tani? Zoti, Hyji yt, të shumoi si yjet e qiellit!