Beselidhja e ReHebrenjve: Feja
- 1 Feja është një mënyrë të pasuri të gjërave që shpresohen, mjet të njihen gjërat që nuk shihen.
- 2 Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.
- 3 Me anë të fesë e dimë se botërat u trajtuan prej fjalës së Hyjit, në mënyrë që çka shihet u përftua nga ato që nuk shihen.
- 4 Me anë të fesë Abeli i kushtoi Hyjit fli më të mirë se Kaini. Me anë të saj mori dëshminë se është i drejtë - Hyji u dha dëshmi dhuratave të tij - dhe, me anë të saj, edhe pse i vdekur, ende flet.
- 5 Me anë të fesë Henoku u ndërrua vendit që të mos e shohë vdekjen dhe më nuk u gjet, sepse Hyji i ndërroi vend. E njëmend, para mbartjes mori dëshminë se i kishte pëlqyer Hyjit.
- 6 Por pa fe nuk është e mundshme t`i pëlqehet Hyjit, sepse ai që i afrohet duhet të besojë se Hyji është dhe se i shpërblen ata që e kërkojnë.
- 7 Me anë të fesë Noehi, i mësuar prej Hyjit për gjëra që ende nuk shiheshin, i bindur në shpirt, e punoi arkën për shpërtimin e familjes së vet; me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtari i drejtësisë që vjen nga feja.
- 8 Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte.
- 9 Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim,
- 10 sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.
- 11 Me anë të fesë - edhe vetë Sara beronjë - fitoi mundësinë të bëhej nënë - megjithëse i kishte kaluar mosha - sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin.
- 12 Këndej, prej një njeriu - dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit.
- 13 Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë.
- 14 Vërtet, ata që flasin kështu, dëftojnë qartë se kërkojnë atdheun.
- 15 Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin.
- 16 Por, tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë - d. m. th. atmen qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.
- 17 Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin,
- 18 të cilit i qe thënë: >>Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut<<,
- 19 plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi - dhe qe një shëmbëlltyrë.
- 20 Me anë të fesë Izaku bekoi Jakobin dhe Ezaun pikërisht në vështrim të gjërave që kishin për të ndodhur.
- 21 Me anë të fesë Jakobi - në fill të vdekjes - bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe, thellë u përkul i mbështetur mbi dorëzën e shkopit të vet.
- 22 Me anë të fesë Jozefi - në fill të vdekjes - përmendi Daljen e bijve të Izraelit dhe dha urdhër lidhur me eshtrat e vet.
- 23 Me anë të fesë Moisiu, i sapolindur, qe fshehur për tre muaj nga prindërit, sepse panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk e druajtën urdhrin e mbretit.
- 24 Me anë të fesë Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej më djalë i bijës së faraonit.
- 25 Më fort deshi të pësojë me e Hyjit se të gëzojë për pak kohë dëfrimin e mëkatit.
- 26 E çmoi pasuri më të madhe mundimin e Krishtit se visaret e Egjiptit, sepse i kishte sytë të ngulur në shpërblim.
- 27 Me anë të fesë e la Egjiptin pa e druajtur zemërimin e mbretit - i patrandshëm si ai që sheh të Papashmin.
- 28 Me anë të fesë i kremtoi Pashkët dhe bëri stërpikjen me gjak që Engjëlli vrasës të mos i prekte të parëlindurit e Izraelit.
- 29 Me anë të fesë kaluan nëpër Detin e Kuq si nëpër tokë të thatë dhe, kur e sprovuan egjiptianët, u mbytën.
- 30 Me anë të fesë u rrëzuan muret e Jerihonit, pasi u qarkuan për shtatë ditë.
- 31 Me anë të fesë Rakaba lavire nuk u vra bashkë me kryengritësit, sepse i priti vëzhguesit paqësisht.
- 32 Po çka të them më? Nuk do të më dilte koha të flas për Gjedeonin, për Barakun, për Samsonin, për Jeftin, për Davidin, për Samuelin dhe për profetët,
- 33 të cilët me anë të fesë nënshtruan mbetëri, vunë në veprim drejtësinë, fituan premtimet, mbyllën gojën e luanëve,
- 34 shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, u shëruan nga sëmundjet, u dëftuan trima të fortë në luftë, zmbrapsën ushtritë e të huajve.
- 35 Disa gra i fituan, me anë të ngjalljes, të vdekurit e vet. Të tjerë, të vënë në mundime, nuk e pranuan faljen, që të fitonin një ngjallje më të mirë.
- 36 Prapë disa të tjerë sprovuan poshtërime, frushkullime, madje, edhe pranga dhe burgje;
- 37 u vranë me gurë, u sharruan, u prenë me teh të shpatës, u enden të veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, të nëpërkëmbur, të marrë me të keq
- 38 - bota nuk ishte e denjë për ta - endeshin nëpër shkretëtirë, nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër gropa dheu.
- 39 Të gjithë këta, edhe pse e morën dëshminë e mirë me anë të fesë, megjithatë, nuk morën çka u qe premtuar,
- 40 sepse Hyji parapa diçka më të mirë për ne: që pa ne ata të mos e arrijnë përsosmërinë.