Beselidhja e ReHebrenjve: Disiplina e Hyjit
- 1 Këndej, pra, edhe ne, të rrethuar me një re kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftimin që na u caktua,
- 2 me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenji në të djathtën e fronit të Hyjit.
- 3 Mendoni, pra, atë që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra.
- 4 Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut,
- 5 dhe e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve: >>Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as mos të të lëshojë zemra kur ai të qorton,
- 6 sepse atë që e do Zoti e edukon me disiplinë, e frushkullon atë që e pranon për bir<<.
- 7 Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë?
- 8 Në qoftë se nuk ndëshkoheni siç ndëshkohen të gjithë bijtë e tjerë, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por të paligjshëm.
- 9 Pastaj etërit tanë tokësorë na edukuan me disiplinë dhe patëm nderim për ta. A thua nuk do t`i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave për të fituar jetën?
- 10 Ata në të vërtetë na qortuan për pak kohë dhe ashtu si ua merrte mendja, ndërsa Ai, për të mirën tonë me qëllim që të na japë shenjtërinë e vet.
- 11 Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqeje dhe drejtësie.
- 12 Prandaj ngritni lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur,
- 13 dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por më mirë të shërohet.Ndëshkimi për ata që e përbuzin hirin e Hyjit
- 14 Kujdesohuni për paqe me të gjithë dhe për shenjtërim, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin.
- 15 Mundohuni që askush të mos i shmanget hirit të Hyjit, që të mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe të shkaktojë turbullim ose ta infektojë bashkësinë,
- 16 që të mos bëhet ndokush fëlligështar ose çnderues gjërash të shenjta si Ezau, i cili për një ngrënie të vetme shiti të drejtat e parëlindësisë.
- 17 Ju e dini se edhe më vonë, kur deshi të trashëgojë bekimin, qe përjashtuar, sepse nuk pati mundësi ndërrimi, edhe pse e kërkoi me lot.
- 18 Sepse ju nuk iu afruat malit të prekshëm, as flakëve të zjarrit, as errësirës, as territ, as stuhisë,
- 19 as zërit të trompetës, as ushtimës së fjalës - ata që e dëgjuan, u lutën të mos u fliste më,
- 20 sepse s`mund ta duronin urdhrin: >>Nëse edhe një shtazë e prek malin, le të vritet me gurë!<<
- 21 sepse aq e tmerrshme ishte ajo pamje, sa që vetë Moisiu tha: >>Fort po trembem dhe po dridhem!<<
- 22 Përkundrazi, i jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jezusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë,
- 23 bashkimit të të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit - Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që e arritën përsosmërinë,
- 24 Jezusit - Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit.
- 25 Kini kujdes të mos e përbuzni Atë që ju flet! Sepse, në qoftë se nuk mundën të gjenin shpëtim ata që nuk deshën ta dëgjojnë atë që jepte urdhra mbi dhe, aq më pak do të mund të shpëtojmë ne në qoftë se nuk e dëgjojmë Atë që flet nga qielli.
- 26 Zëri i tij atëherë e trandi tokën, kurse tani premton: >>Edhe një herë do ta tund nga themeli, jo vetëm tokën, por edhe qiellin<<.
- 27 Dhe fjala: >>Edhe një herë<<, do të thotë se gjërat që mund të tunden, janë të caktuara të zhduken, sepse të krijuara, në mënyrë që të mbeten vetëm ato që nuk mund të tranden.
- 28 Prandaj, pasi ne marrim në trashëgim mbretërinë që nuk mund të trandet, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit t`i japim Hyjit një kult të pëlqyeshëm me nderim e me frikë.
- 29 Vërtet, Hyji ynë është zjarr që përpin!