Beselidhja e ReHebrenjve: Kryeprifti në mënyrën e Melkizedekut
- 1 Në të vërtetë, ky - Melkizedeku - Mbreti i Salemit, Prifti i Hyjit të Tejetlartë, i doli para në takim Abrahamit, që po kthehej nga luftimi pasi i shfarosi mbretërit, dhe e bekoi.
- 2 Këtij Abrahami i dha të dhjetën e të gjithave. Emri i tij në përkthim do të thotë më së pari: >>Mbreti i drejtësisë<< dhe pastaj edhe: >>Mbreti i Salemit<< domethënë >>Mbreti i paqes<<.
- 3 Ky është pa babë, pa nënë, pa brezni; s`ka as fillim as mbarim të jetës - pra, i ngjashëm me Birin e Hyjit - mbetet prift për amshim.
- 4 Vëreni, pra, sa i madh duhet të jetë ai njeri, të cilit Abrahami si patriark i dha të dhjetën e më së mirës pjesë të presë!
- 5 Vërtet, edhe ata prej bijve të Levit që marrin priftërinë, kanë urdhër nga Ligji të marrin të dhjetat nga populli, d. m. th. nga vëllezërit e vet, edhe pse edhe ata janë pasardhës të Abrahamit.
- 6 Por ai që nuk është në brezninë e tyre, i mori të dhjetën Abrahamit dhe e bekoi atë që kishte premtimet.
- 7 Dhe është jashtë çdo diskutimi: ai që është më i madh e bekon atë që është më i vogël.
- 8 Këtu shto edhe se të dhjetën e mbledhin njerëzit e vdekshëm, ndërsa atje ai, për të cilin dëshmohet se jeton!
- 9 Madje, në personin e Abrahamit, pothuajse edhe vetë Levit që merr të dhjetat, i merret e dhjeta,
- 10 sepse ende ishte në ijën e t`et, kur Melkizedeku i doli para në takim Abrahamit.
- 11 Tashti, po të ishte fituar përsosmëria me anë të priftërisë levitike - sepse në bazë të saj populli e fitoi Ligjin - ç`nevojë atëherë do të kishte pasur të ngritet një tjetër prift në mënyrën e Melkizedekut dhe të mos emërtohej sipas mënyrës së Aronit?
- 12 Dhe s`ka dyshim, në qoftë se ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe Ligji.
- 13 Sepse, ai, për të cilin është fjala, është nga një fis tjetër, prej të cilit askush nuk i qe kushtuar lterit.
- 14 Dhe dihet se Zotëria ynë vjen nga fisi i Judës, fis ky për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinjtë.
- 15 Dhe kjo bëhet shumë më qartë, në qoftë se prifti tjetër vihet në mënyrën e Melkizedekut,
- 16 që nuk bëhet prift në fuqi të rregullores së Ligjit të trashëgimisë trupore, por në fuqi të jetës së pashkatërrueshme.
- 17 Sepse dëshmohet: >>Ti je prift për jetë të jetës në mënyrën e Melkizedekut<<.
- 18 Këndej zhbëhet rregullorja e mëparshme për shkak të paaftësisë së saj dhe të padobisë,
- 19 - sepse asgjë s`ka përsosur Ligji - dhe shtihet në fuqi shpresa më e mirë, me anë të së cilës i afrohemi Hyjit.
- 20 Dhe kjo nuk ndodhi pa përbetim, kurse ata u bënë priftërinj pa përbetim,
- 21 ndërsa Ky në bazë të përbetimit të Atij që i tha: >>U përbetua Zoti dhe nuk do të pendohet: ti je prift për jetë të jetës!<<
- 22 Në këtë mënyrë Jezusi u bë dorëzani i Besëlidhjes më të mirë.
- 23 Për më tepër asi priftërinjsh qenë shumë, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin përgjithmonë.
- 24 Kurse Ai, pasi mbetet përgjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë.
- 25 Këndej edhe mund t`i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit - sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.
- 26 Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt
- 27 - i cili s`ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë e tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur flijoi vetveten.
- 28 Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit - që vjen pas Ligjit - vë Birin që u bë i përsosur për amshim.