Beselidhja e VjeterJozuehu: Lidhja e mbretërve të Veriut kundër Izraelit
- 1 Kur mori vesh për këto gjëra Jabini, mbreti i Asorit, dërgoi kasnecë tek Jobabi, mbreti i Madonit, te mbreti i Semeronit, te mbreti i Aksafit,
- 2 po ashtu edhe te mbretërit e Veriut, që banonin në Malësi dhe në Arabë, në jug të Keneretit, edhe në Sefelë dhe në krahinat Dor, në bregun e detit;
- 3 te kananenjtë në lindje e në perëndim, tek amorrenjtë, hetenjtë, ferezenjtë e jebusenjtë në Malësi, po ashtu edhe te hevenjtë që banojnë në rrëzë të Hermonit, në tokën e Masfës.
- 4 Atëherë ata dolën të gjithë me mbarë ushtritë e tyre: një mori e madhe pa masë si rëra që është në bregun e detit, me një shumicë të madhe kuajsh e karrocash.Fitorja në Merom
- 5 U bashkuan, pra, të gjithë këta mbretër dhe së bashku e ngulën fushimin tek ujërat Merom për të luftuar kundër Izraelit.
- 6 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: Mos i druaj! Sepse nesër, mu në këtë orë, do t`i dëftoj të gjithë këta të vrarë para Izraelit. Preju kuajve të tyre dizgoret e karrocat digji me zjarr.
- 7 Jozuehu me mbarë ushtrinë e vet u lëshua ja kundër tyre papritmas tek ujërat e Meromit dhe u sulën në ta.
- 8 E Zoti i lëshoi në duar të izraelitëve. Këta i vranë e i ndoqën deri në Sidonin e Madh, në Maserefot në perëndim dhe deri në fushën e Masfës në lindje, Dhe aq shumë i vranë, saqë s`e lanë gjallë asnjë për be.
- 9 Bëri sikurse Zoti i kishte urdhëruar: kuajve të tyre ua preu dizgoret e karrocat i dogji.Pushtimi i Azorit dhe i qyteteve të tjera të Veriut
- 10 Asokohe Jozuehu u kthye dhe e pushtoi Azorin. Mbretin e tij e preu me shpatë. Azori dikur kishte qenë kryeqyteti i të gjitha këtyre mbretërive.
- 11 Vrau gjithçka ishte gjallë në të: asnjë s`e la gjallë as për be, por zhduki gjithçka deri në shfarosje e vet qytetin e shkatërroi me zjarr.
- 12 Jozuehu i pushtoi të gjitha qytetet përreth e i zuri mbretërit e tyre, i preu dhe i shkatërroi siç kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.
- 13 Megjithatë, Izraeli nuk i dogji qytetet që ishin të ndërtuara mbi kodra; të vetmin Azorin Jozuehu e dogji me zjarr.
- 14 Izraelitët prenë që kapën në këto qytete, dhe gjënë e gjallë e ndanë ndër vete, kurse të gjithë njerëzit i vranë, pa lënë gjallë asnjë.Jozuehu zbaton urdhrin që ia kishte dhënë Moisiu
- 15 Siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut, shërbëtorit të vet, po ashtu Moisiu i urdhëroi Jozuehut. Jozuehu bëri ashtu. Nuk la pa kryer asgjë prej atyre që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.
- 16 E kështu Jozuehu e pushtoi mbarë këtë vend: Malësinë, Nagebin, mbarë tokën Gosen, Sefelën e Arabën, Malësinë e Izraelit me vërrinë e saj.
- 17 Prej malit të Shogët që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baalgad, në fushën e Libanit nën bjeshkën e Hermonit; i zuri robër të gjithë mbretërit e tyre, i vrau e ua treti farën.
- 18 Jozuehu luftoi një kohë të gjatë kundër këtyre mbretërve.
- 19 Nuk pati asnjë qytet që të lidhte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të Heveut që banonte në Gabaon: të gjitha i pushtoi me luftë.
- 20 E kishte thënë Zoti që të ngurtësoheshin zemrat e tyre e të luftonin kundër Izraelit, që të binin të vrarë e të mos meritonin kurrfarë mëshire e të shfaroseshin sikurse Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.Shfarosja e enacimëve
- 21 Në atë kohë erdhi Jozuehu dhe i shfarosi enacimët prej malit Hebron, Dabir, Anab e prej të gjitha maleve të Judës e të Izraelit dhe rrafshoi qytetet e tyre.
- 22 Nuk la asnjë enacim në tokën e bijve të Izraelit. Mbetën vetëm në Gazë, në Get e në Azoto.
- 23 Kështu pra, Jozuehu e pushtoi mbarë dheun, sikurse Zoti i kishte thënë Moisiut, dhe ua dha për pronë bijve të Izraelit, sipas fiseve të tyre. Dhe vendi pushoi nga luftërat.