Beselidhja e VjeterJozuehu: Tri fiset e mëdha në perendim te Jordanit
- 1 Kurse ky është trashëgimi që morën bijtë e Izraelit në tokën e Kanaanit, të cilën ua ndanë Eleazari, prift, Jozuehu, i biri i Nunit, dhe krerët e vëllazërive të fiseve të Izraelit.
- 2 Ata të gjitha i ndanë me short, siç kishte urdhëruar Zoti përmes Moisiut, nëntë fiseve e gjysmës së fisit.
- 3 Dy fiseve e gjysmë Moisiu ua pat dhënë trashëgimin përtej Jordanit, me përjashtim të levitëve, të cilëve nuk u dha asgjë ndër vëllezër të vet.
- 4 Porse bijtë e Jozefit janë të ndarë në dy fise: në atë të Manaseut e të Efraimit, kurse levitët nuk morën tjetër pjesë nga toka, përveç qytetet për të banuar dhe kullotat përreth tyre për të mbajtur bagëtinë, gjënë e gjallë të tyre.
- 5 Bijtë e Izraelit vepruan si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut dhe e ndanë tokën.Pjesa e Kalebit
- 6 Bijtë e Judës, asohere, u paraqitën tek Jozuehu në Galgalë dhe Kalebi, biri i Jefoneut, cenezeas, i tha: Ti e di mirë çka i tha Zoti Moisiut, njeriut të Hyjit, për mua e për ty në Kadesbae.
- 7 Dyzetvjeçar isha unë, kur prej Kadesbaesë më dërgoi Moisiu, shërbëtori i Zotit, t`i bëja hetime vendit. Unë atëherë i lajmërova ç`m`u duk se ishte e vërtetë.
- 8 Kurse vëllezërit e mi, që u ngjitën bashkë me mua, ia shtinë frikën popullit në zemër, megjithatë, unë vendosa të kryeja vullnetin e Zotit, Hyjit tim.
- 9 Atë ditë Moisiu u përbetua e tha: `Toka që e shkeli këmba jote, do të jetë prona jote dhe e fëmijëve të tu për amshim, sepse e kreve vullnetin e Zotit, Hyjit tim`.
- 10 Dhe, ja, Zoti ma ruajti jetën, siç premtoi, deri në ditën e sotme. Dyzet e pesë vjet janë që kur Zoti ia tha këtë fjalë Moisiut, derisa Izraeli ende shtegtonte nëpër shkretëtirë; e unë sot kam tetëdhjetë e pesë vjet,
- 11 dhe jam shëndoshë si në atë kohë kur qeshë dërguar të bëja hetime. Forca e atyre ditëve edhe sot e kësaj dite qëndron në mua qoftë për të luftuar, dhe qoftë për të hyrë e për të dalë.
- 12 M`i jep, pra, këto male që m`i premtoi Zoti atë ditë, si dëgjove edhe ti vetë. Aty banojnë enacimët. Qytetet janë të mëdha e të fortifikuara. Nëse do të jetë Zoti me mua, do të mund t`i shpartalloj, siç më ka premtuar.
- 13 Atëherë Jozuehu e bekoi dhe ia dha për pronë Hebronin.
- 14 Kështu Hebroni prej aso dite u bë prona e Kalebit të Jefoneut, cenezeasit, deri më sot, sepse kishte ndjekur i vendosur vullnetin e Zotit, Hyjit të Izraelit.
- 15 Hebroni më parë quhej Kariatarbe /d. m. th. qyteti i Arbeut/. Arbeu kishte qenë njeriu më i madh ndër enacimët.Pastaj vendi nuk pati më luftë.