Beselidhja e VjeterJozuehu: Jozuehu bën një përmbledhje të shkurtër të veprës së vet
- 1 Kishte kaluar shumë kohë që kur Zoti i kishte dhënë Izraelit paqe prej të gjithë popujve që e rrethonin. Jozuehu tashmë ishte shumë i moçëm dhe kishte arritur pleqërinë e thellë.
- 2 Atëherë Jozuehu thirri mbarë Izraelin: pleqtë prijësit, gjyqtarët dhe udhëheqësit e tyre e u tha: Unë tashmë u plaka dhe kam hyrë në moshë të thellë.
- 3 Ju patë gjithçka u bëri Zoti, Hyji juaj, të gjitha këtyre kombeve dhe si luftoi Ai për ju.
- 4 Ja, me short jua ndava fiseve tuaja për pronë kombet që mbetën gjallë dhe ato që i zhduka, që nga Jordani e deri në Detin e Madh, në perëndim.
- 5 Zoti, Hyji juaj, do t`i shpëdajë dhe do t`i zhdukë prej faqes suaj dhe ju do ta meri për pronë tokën e tyre, siç jua ka premtuar.Sjellja mes popujve të huaj
- 6 Veçse jini të fortë e të qëndrueshëm në zbatimin e të gjithave që janë shkruar në Librin e Ligjit të Moisiut dhe mos u bëni lak as djathtas as majtas.
- 7 Mos u përzieni me popujt që mbetën ndër ju, mos u përbetoni në emër të hyjnive të tyre dhe mos u shërbeni as mos i adhuroni.
- 8 Qëndroni besnikë Zotit, Hyjit tuaj, siç keni bërë deri Tani.
- 9 Zoti dëboi para fytyrës suaj popuj të mëdhenj e tejet të fortë dhe asnjë popull nuk mundi t`ju qëndrojë përballë:
- 10 një jush vë në të ikur një mijë armiq, sepse Zoti, Hyji juaj, lufton për ju siç ju është zotuar!
- 11 Porse këtë gjë ruajeni me kujdesin më të madh: duajeni Zotin, Hyjin tuaj!
- 12 Por në qoftë se do t`i miratoni gabimet e këtyre popujve që mbetën ndër ju, dhe do të përzieni me ta martesa e do të lidhni miqësi,
- 13 dijeni që tani se Zoti, Hyji juaj, nuk do t`i zhdukë para fytyrës suaj, por do të jenë për ju rrjetë, gropë, lak, frushkull për shpinën tuaj, ferrë për sytë tuaj derisa t`ju shpëdajë prej kësaj toke të mrekullueshme që jua dha.
- 14 Ja, unë sot po nisem për atë rrugë që do ta rrahë çdo krijesë! Pranojeni me gjithë zemër se asnjë prej premtimeve të mira që ju ka bërë Zoti, nuk ka shkuar huq!
- 15 Pra, sikurse çoi në vend gjithçka premtoi e erdhën të gjitha ato të mira, po ashtu do të çojë mbi ju të gjitha të këqijat me të cilat është kërcënuar derisa t`ju zhdukë nga kjo tokë e mirë që jua dhuroi.
- 16 Nëse do t`i shmangeni Besëlidhjes së Zotit, Hyjit tuaj, që jua ka urdhëruar, e do t`u shërbeni hyjnive të huaja dhe do t`i adhuroni ato, do të ndizet flakë kundër jush zemërimi i Zotit, do të zhdukeni shpejt prej kësaj toke të mrekullueshme që jua dhuroi Zoti.