Beselidhja e Re2 e Pjetrit: Premtimi i udhës së Zotit
- 1 Të dashurit të mi! Ja, po ju shkruaj letrën e dytë. Në të dyja mundohem ta zgjoj kuptimin tuaj të shëndoshë me anë të porosisë,
- 2 që t`i kujtoni fjalët e paralajmëruara prej profetëve të shenjtë dhe urdhrin e Zotit dhe Shëlbuesit që shpallën apostujt tuaj.
- 3 Më së pari duhet ta dini: në ditët e fundit do të vijnë përqeshës që do të përqeshin; ata do të jetojnë sipas prirjeve të veta të ulta
- 4 dhe do të pyesin: >>Ku është premtimi i Ardhjes së tij? Sepse, që kur vdiqën të parët tanë, gjithçka mbetet si në fillim të krijimit!<<
- 5 Ata me qëllim harrojnë se qielli është që moti dhe se toka, në fuqi të fjalës së Hyjit, nxori prejardhjen nga uji dhe nëpër ujë.
- 6 Po në të njëjtën mënyrë, bota e atëhershme, e përmbytur me ujë, mbaroi.
- 7 Edhe qielli dhe toka e tanishme, prej të njëjtës fjalë, ruhen për zjarr dhe presin Ditën e Gjyqit dhe shkatërrimin e njerëzve të këqij.
- 8 Por një gjë, fort të dashur, assesi s`duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme:
- 9 Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen.
- 10 Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi: Atë ditë qiejt do të zhduken me krizmë; elementet do të shkrihen prej të nxehtit dhe toka e veprat në të do të gjenden para Gjyqit.
- 11 Pasi kështu do të shkatërrohen të gjitha këto, sa njerëz të mirë duhet të jeni ju të gjithë me jetë të shenjtë, me përshpirtëri,
- 12 ju që e prisni dhe e shpejtoni Ditën e Ardhjes së Hyjit, në të cilën qiejt do të shkatërrohen me zjarr dhe elementet e botës do të shkrihen prej nxehtësisë.
- 13 Ne veç, sipas premtimit të tij, presim >>qiellin e ri dhe tokën e re<<, ku banon drejtësia.
- 14 Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe!
- 15 Po edhe duresën e Zotit tonë çmojeni si rast shëlbimi, sikurse edhe Pali, vëllai ynë i dashur, ju shkroi me dijen që iu dhurua.
- 16 Kështu ai thotë në të gjitha Letrat, ku flet për këto gjëra. Në to ka nga diçka që merret vesh vështirë, çka të padijshmit dhe të paqëndrueshmit e shtrembërojnë, si bëjnë edhe me pjesët e tjera të Shkrimit të shenjtë - në dënim të vetvetes.
- 17 Ju, pra, o të dashur, pasi jeni të porositur që më parë për këto, ruajuni që, të marrë mendsh nga gabimi i të mbrapshtëve, të mos e humbisni sigurinë që jep feja!
- 18 Por rrituni në hir dhe në njohje të Zotit tonë Jezu Krishtit Shëlbues! Atij i qoftë lavdia që tani dhe deri në ditë të amshimit. [Amen].