Beselidhja e ReZbulesa: Rënia e Babilonisë
- 1 Pastaj thashë: një tjetër engjëll po zbiste nga qielli dhe kishte pushtet të madh dhe mbarë toka shndriti prej shkëlqimit të tij.
- 2 Ai bërtiti me një zë të fortë: >>Ra, ra Babilonia e madhe! U bë banesë e djajve, strofull shpirtrash të ndytë, i të gjithë shpendëve të ndytë e të urrejtur,
- 3 sepse me verën e hidhërimit të fëlligështisë së saj u dehën popujt mbarë, me të bënë fëlligështi mbarë mbretërit e tokës dhe prej luksit të pamasë të saj u pasuruan tregtarët e botës<<.
- 4 Dëgjova edhe një tjetër zë nga qielli, që thoshte: >>Dilni prej saj, populli im që të mos bëheni pjesëtarë në mëkatet e saj, të mos ju gjejnë të këqijat e saj!
- 5 Sepse, mëkatet e saj arritën deri në qiell dhe Hyjit i ranë në mend padrejtësitë e saj.
- 6 Hakmerruni dhe gjë mos i lini mangut, shpaguajani dyfish sipas veprave të saj, në gotën që ajo ju ndikonte - dyfish ndikoni!
- 7 Sa ajo u mbulua me lumturi dhe luks, aq kthejani ju me mundime e me dhimbje! Sepse ajo thoshte në zemrën e vet: `Rri në fron si mbretëreshë dhe askurrë s`do të mbetem e vejë, kurrë nuk do të sprovoj ç`është vuajtja!`
- 8 Prandaj në të njëjtën ditë do të vijnë mbi të plagët: vdekja, e vaji, e zia e bukës, dhe krejtësisht do të digjet në zjarr. Sepse i fuqishëm është Zoti, Hyji, Gjykatësi i saj!
- 9 Mbi të do të qajnë dhe do të vajtojnë mbretërit e dheut që me të bënë fëlligështi dhe jetuan në qejfe, kur do ta shohin tymin e zjarrit të saj.
- 10 Duke ndenjur larg nga frika e vuajtjeve të saj do të qajnë: >>Vaj, vaj qyteti i madh! Babiloni, qytet i fortë! Të doli mjaft një çast për të të gjetur dënimi!<<
- 11 Po edhe tregtarët e dheut e qajnë dhe e vajtojnë, sepse akush më nuk ua blen tregtinë:
- 12 as ar, as argjend, as xhevahirë, as perla, as pupur, as mëndafsh, as kadife, as dru erëndshëm, as enë elefanti, as kurrfarë ene druri të çmueshëm, bronzi, hekuri, apo mermeri;
- 13 as cinamom, as balsam, as erëra të mira, as mirë, as kem, as verë as vaj, as miell të bardhë, as grurë; as lopë as dele, as kuaj as qerre, as robër, as shpirt njeriu të gjallë!
- 14 Po edhe pemët që i dëshironte shpirti yt, ikën prej teje, çdo stoli dhe madhështi humbi për ty! Jo, askurrë më nuk do të gjendet!
- 15 Tregtarët që me këto tregtonin e ajo i pasuroi, larg do të rrinë nga frika e mundimeve të saj duke qarë e duke vajtuar
- 16 e do të thonë: >>Vaj, vaj! Qyteti i madh, i veshur me li, me purpur me kadife, i stolisur me gur të paçmueshëm dhe me margaritarë!<<
- 17 Sa shpejt mbaroi gjithë kjo pasuri! Po edhe çdo timonier, të gjithë ata që lundrojnë afër brigjeve, çdo detar dhe kush punon në lundrim, qëndrojnë larg
- 18 dhe bërtasin duke parë tymin e zjarrit të saj: >>Cili qytet ishte i ngjashëm me qytetin e madh?<<
- 19 Dhe hodhën pluhur mbi kokë të vet e bërtisnin duke qarë dhe duke vajtuar: >>Vaj, vaj për qytetin e madh! Pasuria e tij pasuroi të gjithë ata që kishin anije deti, dhe ja - pëjëherë u shkatërrua!<<
- 20 Gëzo, o qiell, për rrënimin e tij, edhe ju të gjithë shenjtërit, apostujt dhe profetët, sepse Hyji, duke e dënuar atë, juve ju dha drejtësi.
- 21 Atëherë një engjëll i fuqishëm mori një gur të madh, si gur mulliri, dhe e flaku në det duke thënë: >>Kështu do të flaket poshtë rrëmbyeshëm Babilonia, qyteti i madh dhe askurrë më nuk do të gjendet!
- 22 Këngë harpistësh e muzikantësh, fyelltarësh dhe trumbetarësh më në ty s`do të dëgjohet!Kurrfarë mjeshtri të çdo mjeshtrie në ty më kurrë jo nuk do të gjendet! Ushtimë mokre në ty më s`do të dëgjohet!
- 23 As dritë pishe në ty, jo, nuk do të shihet! Jo zë dhëndri as zë nuseje të re kurrë në ty më s`do të dëgjohet. Sepse tregtarët e tu ishin princat e botës, sepse shortitë e tua gënjyen mbarë kombet,
- 24 në ty u gjet gjaku i profetëve dhe i shenjtërve dhe i të gjithë atyre që mbi tokë u prenë!<<