Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Kënga e Anës
- 1 Atëherë Ana u lut e tha:Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit, m`u trash krahu në saje të Hyjit tim; hapur e kam gojën kundër armiqve të mi, sepse më gëzove me bamirësinë tënde.
- 2 Askush s`është i shenjtë krahas me Zotin, sepse përveç teje tjetër s`ka!Nuk ka të fortë porsi Hyji ynë!
- 3 Oh, mos folni fjalë të mëdha krenarie, larg gojës suaj fjalët me madhështi: sepse Hyji është Zoti që di gjithçkae prej tij peshohen veprimet!
- 4 Harku i të fortëve u thye, kurse të ligshtit u ngjeshën me fuqi!
- 5 Të ngopurit rrogëtarë u lidhën për bukë goje, kurse të uriturit më s`sprovojnë skamje.Beronja lindi fëmijë me shumicë, kurse ajo që pati shumë u shua.
- 6 Zoti bën që të vdiset e të jetohet, plandos në Nëntokë dhe andej nxjerr.
- 7 Zoti bën skamnor e të pasur, përul edhe lartëson;
- 8 prej pluhurit e ngre varfanjakun, prej llomit e lartëson skamnorin, që të rrijë me princa, që ta zërë vendin e nderit.Sepse të Zotit janë shtyllat e tokësmbi to e vendosi botën.
- 9 Ai i ruan hapat e besnikut të vet, në errësirë do të zhduken keqbërësit, s`është forca që burrin e bën burrë!
- 10 Zoti do t`i ndrydhë kundërshtarët e vet, prej qiellit mbi ta thekshëm do të bubullijë!Zoti do ta gjykojë mbarë botën, sundimin do t`ia japë mbretit të vet, Ai do t`ia ngrejë ballin Mesisë së vet!
- 11 Atëherë Elkana u kthye në Ramë në shtëpinë e vet. Fëmija ishte shërbëtor në praninë e Zotit nën mbikëqyrjen e Heliut prift.Bijtë e Heliut
- 12 Bijtë e Heliut ishin njerëz të prishur: nuk çanin kokën për Zotin
- 13 dhe s`ishin në kujdes për sjelljen e mirë priftërore ndaj popullit: kur kushtonte ndokush flinë, vinte shërbëtori i priftit me tërfurk tredhëmbësh dhe, ndërsa zihej mishi,
- 14 e ngulte në mish në kusi, në kazan, në vegësh ose në tavë dhe, gjithsa i kapte tërfurku, e merrte prifti për vete. Kështu ua bënin të gjithë izraelitëve që vinin në Silo.
- 15 Madje, edhe para se të digjnin dhjamin, vinte shërbëtori i priftit e i thoshte atij që kushtonte flinë: Ma jep mishin që t`ia pjek priftit, sepse nuk do që prej teje të marrë mishin e zier, por të freskët;të pazier.
- 16 Flijuesi i thoshte: Një herë le të digjet dhjami, siç është rregulla, dhe atëherë merr sa të dëshirosh, por ky i përgjigjej: Assesi. Më mirë ma jep Tani se, pëdryshe, do të ta marr me dhunë.
- 17 Mëkati i djelmoshave ishte shumë i madh para Zotit, sepse ata përbuznin flinë e Zotit.Samueli në Silo
- 18 Samueli shërbente në praninë e Zotit. Djaloshi ishte i veshur me shpinorin e linjtë.
- 19 E ëma ia punonte edhe nga një gunëz çdo vit e ia sillte kur shkonte bashkë me burrin për të adhuruar e për të kushtuar flinë vjetore.
- 20 Heliu bekonte Elkanën dhe gruan e tij e thoshte: Të dhëntë Zoti të tjerë fëmijë prej kësaj gruaje për dhuratën që i bëri Zotit.Ata u kthyen në shtëpinë e vet.
- 21 Zoti e pa me të mira Anën, ajo ngjizi dhe lindi tre djem e dy vajza. Ndërkaq Samueli rritej në praninë e Zotit.Përsëri për bijtë e Heliut
- 22 Heliu ishte plakur shumë, por kishte dëgjuar gjithçka që bënin bijtë e tij kundrejt të gjithë izraelitëve dhe se ata flinin me gratë që shërbenin në hyrjen e Tendës së takimit.
- 23 Ai u tha: Pse bëni punë të tilla, për të cilat po dëgjoj prej mbarë popullit, punë tejet të liga?
- 24 Mosni, bijtë e mi! Nuk po dëgjoj fjalë të mira që po fliten... Po shkandulloni popullin e Zotit.
- 25 Nëse njeriu mëkaton kundër njeriut, është Zoti ai që do të gjykojë;por, në qoftë se njeriu mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërmjetësojë për të?Por ata nuk e dëgjuan zërin e t`et, sepse Zoti kishte vendosur t`i vriste.
- 26 Ndërkaq Samueli rritej e përparonte dhe i pëlqente Zotit e njerëzve.Paralajmërimi i ndëshkimit
- 27 Një ditë erdhi një njeri i Hyjit te Heliu e i tha: Kështu thotë Zoti: A thua nuk i jam zbuluar qartë shtëpisë së babait tënd kur ishte në Egjipt, në shtëpinë e faraonit?
- 28 Unë e zgjodha atë që të jetë, në mes të të gjitha fiseve të Izraelit, prifti im, që të ngjitet në lterin tim, të djegë kemin e të mbartë shpinorin në praninë time. Unë ia dhashë shtëpisë së babait tënd të gjitha flitë që i kushtojnë të gjithë izraelitët!
- 29 Përse shqelmoni flinë time, dhuratat e mia që urdhërova të kushtohen në tempull, e ti më tepër i nderove bijtë e tu se mua, për t`u ngopur me pjesët më të mira të flive që i kushton Izraeli, populli im?
- 30 Për këtë arsye thotë Zoti, Hyji i Izraelit: `Pata folur e pata thënë: shtëpia jote e shtëpia e babait tënd do të shërbejnë në praninë time për amshim; por tani;është fjala e Zotit;Kurrë më, assesi! Sepse unë do t`i nderoj ata që më nderojnë, kurse ata që më përbuzin, do të jenë të përbuzur.
- 31 Ja, po vijnë ditët, kur do ta pres krahun tënd dhe krahun e shtëpisë së tët eti, kështu që s`do të ketë më plak në shtëpinë tënde.
- 32 Ti do ta shikosh kundërshtarin tënd në tempull të mbuluar me të gjitha të mirat e Izraelit, kurse plak më kurrë prej shtëpisë sate s`do të ketë!
- 33 Megjithatë do të lë ndonjë mashkull prej shtëpisë sate në lterin tim, me qëllim që të humbin sytë e tu në rrashtë e të të pëlcasë zemra, kurse pjesa më e madhe e meshkujve të tu do të vdesin posa t`ia arrijnë moshës së burrërisë.
- 34 Për shenjë do të kesh atë që do t`u ndodhë dy bijve të tu Ofniut e Fineesit: në një ditë do të vdesin të dy!
- 35 E unë do të bëj të ngrihet për vete një prift besnik. Ai do të veprojë sipas zemrës sime e sipas dëshirës sime. Unë do t`i ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme dhe ai do të jetojë para të shuguruarit tim gjatë gjithë jetës.
- 36 E do të ndodhë që edhe ai që do të mbesë gjallë prej shtëpisë sate, do të vijë e do të përkulet para tij për një kacille të argjendtë e për një qeth bukë e t`i lutet: `Më prano, po të bëj lutje, në çfarëdo shërbese priftërore të kem një kafshatë bukë`.