Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Fitorja kundër amonitëve
- 1 Kur ja, u ngrit Naas Amoniti për të luftuar kundër Jabesit të Galaadit. Të gjithë njerëzit e Jabesit i çuan fjalë Naasit: Na prano për aleatë e do të të shërbejmë.
- 2 Naasi Amonit u përgjigj: Kështu do të bëj besëlidhje me ju: secilit prej jush do t`ia nxjerr syrin e djathtë e kështu do ta turpërojë mbarë Izraelin.
- 3 Por krerët e Jabesit i thanë: Na jep shtatë ditë afat që të dërgojmë lajmëtarë në të gjitha skajet e Izraelit e, në mos u gjettë kush që na mbron, do të dalim e do të të dorëzohemi ty.
- 4 Erdhën, pra, kasnecët në Gaba të Saulit dhe i treguan të gjitha fjalët para popullit. Mbarë populli plasi në vaj me zë.
- 5 Kur ja, po vjen Sauli pas qeve prej fushës dhe pyeti: Ç`ka populli që po qan? Ata i treguan fjalët e burrave të Jabesit.
- 6 Kur i dëgjoi Sauli këto fjalë, e pushtoi shpirti i Zotit dhe zemërimi i tij u ndez flakë.
- 7 Mori një pendë qe, i preu copa-copa dhe me dorë të lajmëtarëve i dërgoi në çdo vend të Izraelit me këtë porosi: Kush të mos dalë në luftë dhe të mos ndjekë Saulin e Samuelin, qetë e tij do t`ia gjejë ky nder. Popullin e kapi frika e Zotit dhe dolën në luftë si të ishin një njeri i vetëm.
- 8 Në Bezek i numëroi: ishin izraelitë treqind mijë, kurse prej Judës tridhjetë mijë.
- 9 Pastaj Sauli u tha kasnecëve: Kështu thoniu trimave që janë në Jabes të Galaadit: Nesër, kur të nxejë dielli, do t`ju vijë shpëtimi.Lajmëtarët shkuan dhe u lajmëruan njerëzve të Jabesit. Ata u gëzuan
- 10 e i çuan fjalë Naasit: Nesër në mëngjes do të dalim tek ju dhe bëni me ne si t`ju pëlqejë juve.
- 11 Të nesërmen Sauli e ndau popullin në tri njësi dhe, në të zbardhur të agimit, u sul në mes të fushimit dhe i vrau amonitët derisa nisi të nxejë dielli. Të tjerët u shpëdanë, kështu që s`mbetën as dy vetë së bashku.Sauli shpallet mbret
- 12 Atëherë populli i tha Samuelit: Kush është ai që tha:`A thua Sauli do të mbretërojë mbi ne`? Sillni këtu ata njerëz e do t`i vrasim!
- 13 Atëherë tha Sauli: Ditën e sotme të mos vritet askush, sepse sot Zoti e shpëtoi Izraelin!
- 14 Pastaj Samueli i tha popullit: Ejani të shkojmë në Galgalë e ta ripërtërijmë mbretërinë.
- 15 Mbarë populli shkoi në Galgalë dhe, ata, para Zotit, e bënë mbret Saulin në Galgalë. Aty kushtuan flitë e pajtimit para Zotit. Aty Sauli, bashkë me mbarë Izraelin, bëri festë të madhe fort.