Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Kryengritja kundër filistenjve
- 1 Sauli ishte tridhjetë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi njezet vjet mbi Izraelin.
- 2 Sauli zgjodhi për vete tre mijë izraelitë: me Saulin qëndronin dy mijë vetë në Makmas e në malin Betel, kurse një mijë vetë ishin me Jonatanin në Gaba të Beniaminit. Mbarë popullin tjetër e lëshoi të shkonte secili në shtëpinë e vet.
- 3 Jonatani e vrau rojën e filistenjve që ishte në Gaba. Filistenjtë e morën vesh. Sauli i ra borisë në mbarë Izraelin duke kumtuar: Le ta dinë hebrenjtë!
- 4 Në mbarë Izraelin u hap zëri: Sauli e vrau rojën e filistenjve! Izraeli ka rënë në armiqësi me filistenj. Prandaj populli u mblodh në Galgalë pas Saulit.
- 5 Edhe filistenjtë u bashkuan për të luftuar kundër Izraelit. Ishin tri mijë karroca lufte, gjashtë mijë kalorës, kurse populli tjetër i shumtë si rëra që është në bregun e detit. U ngjitën dhe ngulën fushimin në Makmas, në krahun e lindjes të Betavenit.
- 6 Kur e panë bijtë e Izraelit se e kishin punën pisk;sepse populli u ligështua për së tepërmi, disa u fshehën nëpër shpella e nëpër pyje, nëpër qeta e nëpër gërdhata e nëpër cistea.
- 7 Disa hebrenj kaluan edhe përtej Jordanit, në tokën e Gadit e të Galaadit.Këputja mes Samuelit e SaulitSauli ishte ende në Galgalë dhe popullin që ishte me të, e kishte kapluar një tmerr i madh.
- 8 Ai priti shtatë ditë, si kishte caktuar Samueli të vinte në takim, por Samueli nuk erdhi në Galgalë. Populli filloi të shpëdahet prej tij.
- 9 Prandaj Sauli tha: M`i sillni këtu flitë e shkrumbimit e të pajtimit! Dhe ai kushtoi flinë e shkrumbimit.
- 10 Dhe, ndërsa po i jepte fund flisë së shkrumbimit, ja, po vinte Samueli. Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.
- 11 Samueli i tha: Ç`ke bërë? Sauli iu përgjigj: Kur pashë se populli po shpëdahej prej meje e kur pashë se edhe ti nuk po vije brenda ditëve që ke caktuar ti vetë e, pastaj, kur pashë se filistenjtë janë bashkuar në Makmas,
- 12 thashë: Tani do të zbresin kundër meje filistenjtë në Galgalë dhe unë ende nuk e kam kryer lutjen ndaj Zotit, i shtrënguar nga nevoja, kushtova flinë e shkrumbimit.
- 13 Samueli i tha Saulit: Ke vepruar marrëzisht! Oh, sikur t`u ishe përmbajtur urdhërimeve të Zotit, Hyjit tënd, që t`i dha! Me siguri tani Zoti do ta kishte përforcuar mbretërinë tënde për amshim mbi Izraelin.
- 14 Por mjerisht mbretëria jote nuk do të qëndrojë assesi! Zoti kërkoi një tjetër njeri sipas zemrës së vet. Zoti atë edhe e vuri prijës mbi popullin e vet. Shkaku është pse ti nuk i kreve ç`të ka urdhëruar Zoti.
- 15 Samueli u ngrit, e la Galgalën dhe shkoi në punë të vet. Populli tjetër shkoi pas Saulit për t`u ndeshur me ushtrinë në luftë. Prej Galgalës shkuan në Gaba të Beniaminit. Sauli numëroi popullin që ishte me të: ishin diku gjashtëqind burra.Përgatitja për luftë
- 16 Sauli e Jonatani, djali i tij, si dhe populli që ishte me të, ishin në Gaba të Beniaminit, kurse filistenjtë kishin ngulur fushimin në Makmas.
- 17 Prej fushimit të filistenjve dolën për të plaçkitur tri çeta: njëra çetë shkonte drejt Efrës në tokën Sual,
- 18 tjetra drejt Betoronit, ndërsa çeta e tretë kishte marrë drejtimin nga lugina Seboim përballë shkretëtirës.
- 19 E në mbarë dheun e Izraelit nuk kishte farkëtarë, sepse filistinët ishin kujdesur që hebrenjtë të mos punonin shpata e heshta.
- 20 Kështu mbarë Izraelit i duhej të shkonte te filistenjtë për të mprehur pallën, o capën, sakicën ose draprin.
- 21 E çmimi i mprehjes ishte: për pallë e për capë dy pjesë të siklit, kurse për të mprehur sakicën e për të ndrequr strumbullarin e treta pjesë e siklit.
- 22 Kështu, kur erdhi dita e luftës së Makmasit, në dorë të mbarë popullit nuk u gjet as shpatë as heshtë, të popullit që ishte me Saulin e me Jonatanin, me përjashtim të Saulit e të Jonatanit.
- 23 Ndërkaq një njësit e filistenjve kishte dalë drejt grykës së Makmasit.