Beselidhja e Vjeter1 i Samuelit: Jonatani e sulmon rojën
- 1 Një ditë Jonatani, biri i Saulit, po i thotë armëmbajtësit të vet: Eja e të shkojmë te roja e filistenjve që e kemi këtu përballë. Të atit nuk ia tregoi këtë gjë.
- 2 Sauli qëndronte në pjesën e skajme të Gabasë nën shegën që ishte në Magron. Me të ishin rreth gjashtëqind vetë prej popullit.
- 3 Akia, biri i Akitobit, i të vëllait të Ikabodit, të birit të Fineesit, që kishte lindur prej Heliut, priftit të Zotit, prej Silos, mbante efodin. Por as populli nuk e dinte se Jonatani kishte shkuar.
- 4 Përpjetës nëpër të cilën Jonatani mendonte të afrohej për ta sulmuar postën e filistenjve ishte nga një dhëmb qete në njërën anë dhe në tjetrën anë: njëri quhej Boses e tjetri Sene,
- 5 njëri shkëmb ishte në anën e veriut, në anën e Makmasit e tjetri në jug, përballë Gabasë.
- 6 Jonatani i tha djaloshit, armëmbajtësit të vet: Eja të kalojmë te roja e këtyre rrethpaprerëve, sepse ndoshta Zoti do të bëjë ndonjë gjë për ne, sepse Zoti nuk e ka të vështirë të na shpëtojë si në qofshin shumë, si në qofshin pak.
- 7 Armëmbajtësi i tij iu përgjigj: Bëj gjithsi të të pëlqejë ty. Nisu ngado të dëshirosh, unë do të jem me ty gjithkund ku të duash.
- 8 Jonatani i tha: Ja, ne po kalojmë te këta njerëz. Nëse kur të na vënë re,
- 9 do të na thonë:`Prisni atje derisa të vijmë tek ju`, atëherë do të ndalemi aty ku do të ndodhemi e nuk do të ngjitemi tek ata;
- 10 e nëse do të thonë: `Ngjituni tek ne`, do të ngjitemi, sepse Zoti na i ka lëshuar në duar tona. Kjo do të jetë shenja jonë.
- 11 Të dy dolën që të shihen nga roja e filistenjve. Filistenjtë thanë: Ja, hebrenjtë po dalin prej shpellave ku ishin fshehur.
- 12 Njerëzit e postës folën me Jonatanin e me armëmbajtësin e tij e thanë: Ngjituni tek ne e do t`ju tregojmë diçka. Jonatani i tha armëmbajtësit të vet: Të ngjitemi! Eja pas meje, sepse Zoti i lëshoi në duar të Izraelit!
- 13 U ngjit, pra, Jonatani duke u kacavarur me duar e me këmbë dhe armëmbajtësi i tij pas tij. Filistinët binin para Jonatanit e armëmbajtësi i tij i vriste pas duke ndjekur atë.
- 14 Dhe u bë kërdia e parë, në të cilën Jonatani e armëmbajtësi i tij vranë rreth njëzet vetë në një vend;një gjysmë pendë qesh arë.Lufta e përgjithshme
- 15 Atëherë u hap tmerri në fushim, në fushë. Një frikë e madhe kaploi edhe mbarë popullin nëpër postat e tyre dhe çetat që kishin dalë për të plaçkitur. Po edhe toka u trand dhe ishte një tmerr hyjnor që e kaploi vendin.
- 16 Po edhe vrojtuesit e Saulit që ishin në Gabanë e Beniaminit, vunë re se në fushim ushtria po lëvizte andej;këndej e po ikte.
- 17 Atëherë Sauli i tha popullit që ishte me të: Shikoni e hetoni kush është larguar prej nesh. Kur shikuan, gjetën se nuk ishte aty Jonatani dhe armëmbajtësi i tij.
- 18 Atëherë Sauli i tha Akisë:Merre shpinorin! Sepse ai e mbante shpinorin ato ditë në praninë e bijve të Izraelit.
- 19 Ndërsa Sauli po bisedonte me priftin, po bëhej një pështjellim i madh në llogoret e filistenjve; shkonte dalëngadalë duke u rritur edhe zhurma bëhej më e qartë. Sauli i tha priftit: Tërhiqe dorën!
- 20 Atëherë Sauli dhe mbarë populli që ishte me të, u ngritën dhe shpejtuan në vendin e luftës. Kur, ç`të shikosh! Të gjithë kishin ngritur shpatën kundër njëri-tjetrit! Ishte një pështjellim tejet i madh!
- 21 Madje edhe hebrenjtë, të cilët që më parë ishin në shërbim të filistenjve e kishin shkuar me ta në ushtri, edhe ata e lëshuan ushtrinë e u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin e me Jonatanin.
- 22 Gjithashtu edhe të gjithë izraelitët që ishin fshehur në malet e Efraimit, kur dëgjuan se kishin ikur filistenjtë, edhe ata u bashkuan me të vetët në luftë.
- 23 Zoti atë ditë e shpëtoi Izraelin. Lufta u shtri deri përtej Betavenit.Një ndalim i Saulit prishur prej Jonatanit
- 24 Izraelitët ishin të lodhur e të këputur atë ditë dhe Sauli kishte lëshuar këtë mallkim mbi mbarë popullin: Qoftë mallkuar ai njeri që të hajë bukë deri në mbrëmje, derisa të hakmerrem kundër armiqve të mi. Mbarë populli nuk hëngri bukë.
- 25 Mbarë populli arriti në një grykë mali pyjor, ku gjithkund nëpër tokë kishte fashoj mjalti.
- 26 Hyri, pra, populli në atë pyll dhe panë se si rridhte mjalti: por askush nuk e çoi dorën te goja, sepse populli e druante mallkimin.
- 27 Porse Jonatani nuk e kishte dëgjuar t`anë kur e kishte përberë popullin, shtriu majën e shkopit që kishte në dorë dhe e ngjeu në fashuall të mjaltit, atëherë e afroi dorën te goja dhe sytë e tij u bënë të qartë.
- 28 Atëherë dikush prej popullit i tha: Me përbetim yt atë e shtrëngoi popullin e tha: `Qoftë mallkuar kush do të hajë sot! E pra, populli u mek.
- 29 Jonatani tha: Im atë po i sjell fatkeqësi vendit! A po shihni si më ndriçuan sytë pse kërkova një pikë kësi mjalti.
- 30 Ç`do të kishte ndodhur po të kishte ngrënë populli nga preja që i mori armikut sot?! A nuk do të ishte bërë një kërdi edhe më e madhe mbi filistinët?Kundërvajtje rituale e popullit
- 31 Atë ditë i vranë e bënë një emnesë mbi filistenj prej Makmasit e deri në Ajalon, porse populli u lodh e u këput.
- 32 Atëherë iu lëshua presë e të morën dele, lopë e viça e t`i prenë ashtu për tokë dhe populli e hëngri mishin me gjak.
- 33 E lajmëruan Saulin e i thanë: Ku e le, se populli po ha me gjak! Po mëkaton kundër Zotit!Ai tha: E lëshuat rrugën! Ma rrokullisni atë gur të madh këtu!
- 34 E shtoi: Hyni në popull e thoniu le të bjerë secili kaun ose dashin e vet dhe le ta presë këtu mbi gur e hani dhe mos mëkatoni kundër Zotit duke ngrënë mish me gjak. Atëherë të gjithë prej popullit sollën çka u ishte gjendur për doresh atë mbrëmje dhe i prenë aty.
- 35 Sauli ndërtoi një lter për nder të Zotit. Ishte hera e parë që filloi të ndërtojë lter për nder të Zotit.Jonatani shpallet fajtor, por e shpëton populli
- 36 Atëherë Sauli tha: Të sulemi kundër filistenjve sonte e të çetojmë deri në mëngjes dhe të mos lëmë asnjë mashkull gjallë! Populli iu përgjigj: Bëj gjithsi të duket se është mirë! Prifti tha: Të afrohemi këtu tek Hyji.
- 37 Sauli kërkoi këshillë prej Hyjit: A ta ndjek Filisteun? A do t`i lëshosh në duar të izraelitëve? Por atë ditë Hyji nuk iu përgjigj.
- 38 Sauli urdhëroi: Le të vijnë këtu të gjithë prijësit e popullit! Le të shqyrtohet dhe le të shihet për faj të kujt ndodhi sot ky mëkat.
- 39 Pasha Zotin e gjallë, Shpëtimtarin e Izraelit, në qoftë se e ka bërë edhe Jonatani, im bir, patjetër do të vdesë! Askush prej popullit nuk deshi t`i përgjigjej Saulit.
- 40 Atëherë Sauli i tha mbarë Izraelit: Dilni ju në njërën anë dhe unë e Jonatani, im bir, në anën tjetër. Populli iu përgjigj Saulit: Bëj si të duket se është mirë!
- 41 Sauli iu lut Zotit, Hyjit të Izraelit: Pse nuk iu përgjigje sot shërbëtorit tënd? Nëse faji është në mua ose në Jonatanin, djalin tim, o Zot, Hyji i Izraelit, jep Urim; por, nëse ky faj është në popullin tënd, Izraelin, jep Tummim. Doli që faji ishte në Jonatanin e në Saulin, kurse populli doli i lirë.
- 42 Sauli tha: Qiteni shortin ndërmjet meje e Jonatanit, djalit tim. Shorti ra mbi Jonatanin.
- 43 Atëherë Sauli i tha Jonatanit: Më trego ç`ke bërë. Jonatani i tregoi e tha: Me majën e shkopit që kisha në dorë kam kërkuar ca pika mjaltë. Tani jam gati të vdes!
- 44 E Sauli vazhdoi: Mua Zoti ma qoftë këtë të keqe e shtoftë edhe më të mëdha, nëse s`do të vritesh, o Jonatan!
- 45 Populli i tha Saulit: Pra, u dashka të vdesë Jonatani që i solli Izraelit këtë fitore të madhe!? Do të ishte turp e faqe e zezë! Pasha Zotin, fije floku prej kresë së tij s`do të bjerë në tokë, sepse sot Hyji ka vepruar me të! Kështu populli e shpëtoi Jonatanin prej vdekjes.
- 46 Sauli u tërhoq dhe nuk i ndoqi filistenjtë. Filistenjtë u kthyen në vendin e vet.Mbretërimi i Saulit
- 47 Sauli, si e përforcoi mbretërinë mbi Izraelin, vazhdoi të luftonte kundër të gjithë armiqve të tij që ishin përreth. Kundër Moabit, bijve të Amonit, të Edomit, kundër mbretit të Sobës e kundër filistinëve, dhe kundër kujtdo që mësynte, ngadhënjente.
- 48 Luftoi si burrat dhe e goditi Amalekun e shpëtoi Izraelin prej duarve të atyre që e cubnonin.
- 49 Sauli kishte djem: Jonatanin, Jesujin e Melkisuën. Dy vajzat e tij quheshin: e madhja Merobë e vogla Mikolë.
- 50 Gruaja e Saulit quhej Akinoamë. Ishte e bija e Akimaasit. Emri i prijësit të ushtrisë së tij Abner. Ishte i biri i Nerit, ungjit të Saulit.
- 51 Sepse Cisi, babai i Saulit dhe Neri, babai i Abnerit, qenë bijtë e Abielit.
- 52 Gjatë krejt jetës së Saulit u bë luftë e ashpër kundër filistenjve. Sauli këdo shihte të ishte burrë i fortë e luftëtar i zoti, e merrte në ndjekësorinë e vet.